Nga Irena Beqiraj
Qeveria e Shqipërisë nisi të flasë zyrtarisht për herë të parë për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës që në vitin 2017. Pa e fituar ende mandatin e dytë të qeverisjes, në shkurt të vitit 2017, vetë Kryeministri Edi Rama bëri të ditur publikisht se kishte pasur një drekë pune me Presidentin e Republikës së Turqisë, zotin Erdogan, me të cilin diskutuan, ndër të tjera, “edhe projektin e Aeroportit të Vlorës, edhe një linjë ajrore tërësisht shqiptare, si dhe investime të tjera strategjike”.
Një vit më vonë, po Kryeministri Edi Rama tha se qeveria kishte marrë një propozim për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës nga një konsorcium i tre prej kompanive më të mëdha të Turqisë: Cengiz Holding, Kalyon Holding dhe Kolin Construction.
Pas propozimit të marrë nga “miqtë turq”, të cilët, sipas Washington Post, merrnin favore përmes kontratave shtetërore nga presidenti turk për të krijuar rrjete të fuqishme patronazhi, në vitin 2018 Qeveria e Shqipërisë hartoi një projektligj dhe ra dakord t’i jepte konsorciumit një kontratë operative 60-vjeçare. Si në të gjitha “punët e mira për Shqipërinë”, edhe këtu nuk u zhvillua garë dhe, siç e do zakoni në të tilla raste, Bashkimi Evropian reagoi menjëherë.
Komisioneri i atëhershëm për Zgjerimin, Johannes Hahn, tha se Komisioni Evropian do të hetonte çështjen.
Në fund të vitit 2019, Qeveria e Shqipërisë, në mënyrë të papritur, hoqi dorë nga marrëveshja me konsorciumin turk. Nuk dha asnjë shpjegim përse, por, nën mjegullën e mungesës së transparencës, jo shumë kohë më pas nisi një procedurë të re për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, ku sërish turqit nuk munguan.
Më 11 janar 2021, drejtuesi i grupit turk YDA Construction Industry and Trade, Hüseyin Arslan, erdhi në Shqipëri. Edhe pse pothuaj i panjohur në vend, ai shpejt tërhoqi vëmendjen kur deklaroi se kompania e tij do të ndërtonte një spital model jo shumë larg nga Vlora.
“Ne u urdhëruam nga presidenti ynë, z. Recep Tayyip Erdoğan, javën e kaluar gjatë vizitës së kryeministrit të nderuar të Shqipërisë në Turqi, që ta finalizojmë dhe ta dorëzojmë spitalin brenda tre muajsh. Kemi vendosur një bast të madh për këtë,” tha Arslan në një video të postuar në faqen e Facebook-ut të Kryeministrit Edi Rama.
Vetë Kryeministri, sa herë publikonte progresin e spitalit në faqen e tij në Facebook, kujdesej që ta prezantonte spitalin si “bamirësi” të mikut të tij, Presidentit Erdogan.
Kur spitali i ri u përurua, me Presidentin Erdogan të pranishëm virtualisht, Kryeministri Edi Rama lajmëroi se konsorciumi i udhëhequr nga zoti Pacolli, që përfshinte edhe YDA-në turke, kishte fituar tenderin për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Por, sipas deklarimeve publike të z. Pacolli, YDA kishte ardhur në Shqipëri për dy qëllime:
1. për të ndërtuar Spitalin e Fierit dhe
2. për Aeroportin e Vlorës.
Deklarata e Pacollit se YDA ishte takuar me ministren para zhvillimit të procedurës së tenderit, si dhe fakti që ministria ndryshoi kriteret dhe e shtyu disa herë tenderin derisa konsorciumi në fjalë përgatiti ofertën, qartëson përfundimisht faktin që fituesi ka qenë i paracaktuar.
Edhe pse YDA, e cila kishte eksperiencë në operimin e aeroporteve, u bë pjesë e konsorciumit me 40%, sërish kontrata parashikonte që operimi t’i jepej me nënkontraktim.
Për këdo që njeh ligjin e PPP-ve, ky fakt tregon se është ditur dhe pranuar që në krye të herës që YDA do të largohej dhe nuk do të merrte pjesë në operimin e aeroportit. Pra, YDA ishte futur jo si partner real, por si partner fiktiv.
Kjo përfshirje siguroi që YDA të merrte një pagesë indirekte prej 3 milionë eurosh (sipas z. Pacolli, ishte kërkuar 5 milionë). Pra, YDA u pagua “për dhuratën” e Spitalit të Fierit, pagesë e cila, me ndihmën e qeverisë, u maskua si shitje aksionesh.
Sipas deklaratës së z. Pacolli, Aeroporti i Vlorës do të përfundojë së ndërtuari, por nuk do të vihet në operim. Kjo për dy arsye: e para, Aeroporti i Mynihut, i cili kishte rënë dakord ta operonte pas përfundimit të ndërtimit, është tërhequr për shkak të vendimit të këshillit bashkiak të Mynihut, në përmbushje të kërkesave të ambientalistëve, pasi aeroporti shkakton dëme të rënda mjedisore; dhe e dyta, konflikti midis dy partnerëve të mbetur të konsorciumit e bën të pamundur arritjen dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje me një operator tjetër.
Ndërsa populli i varfër iu gëzua “dhuratës” dhe i këndoi këngë Erdoganit, akrobacitë për të paguar “turqit bamirës”, si dhe për të kontrolluar interesat e një biznesi të garantuar me 138 milionë euro nga buxheti i shtetit, na kanë lënë një tjetër “punë për Shqipërinë”: një ngrehinë pa funksionim.
Ky është një shembull tjetër i ngjashëm me Air Albania-n, ku kostot direkte dhe indirekte të punëve pa garë dhe të qeverisjes pa transparencë bien mbi publikun.
Milton Friedman na mëson se çdo gjë që ofrohet falas ka një problem: “kushton shtrenjtë”. Por në Vlorë e thonë edhe më bukur (ose të paktën kështu më duket mua):
“Dhëntë e dhitë e Zeres, nami i Hasan Qeres!”
© SYRI.net