Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka komentuar projektin e Portit të Durrësit, duke shprehur shqetësime për ndikimin e tij në ekonominë dhe pozicionin strategjik të vendit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se ndryshimet e parashikuara në infrastrukturën portuale mund të ndikojnë në rolin e Shqipërisë në transportin rajonal, ndërsa ngriti çështjen e kapaciteteve të porteve dhe funksionalitetit të tyre përgjatë vijës bregdetare.
Lideri i opozitës theksoi gjithashtu aspektin financiar të projektit, duke përmendur kostot dhe ndikimin e mundshëm në buxhetin e shtetit dhe qytetarët.
Deklarata e plotë:
Edhe njëherë u falënderoj shumë për organizimin e këtij takimi.
Falënderoj të gjithë diskutantët, të cilët me përgjegjësi të madhe dhe vërtetësi trajtuan në çdo dimension këtë aferë, e cila në rrafshin korruptiv tejkalon sot çdo aferë tjetër në Europë dhe ndoshta në botë.
Kjo sepse kryeministri pasi dështon në ryshfete për portin e jahteve, i kthehet portit kryesor të kombit dhe mendon e beson se atë mund ta përvetësojë tërësisht me një arab të 1001 netëve për të ndërtuar Dubain e tij.
Nuk ka një akt të tillë në historinë e një vendi.
Të gjithë këtë vjedhje të përmasave të paimagjinueshme e bazon në mashtrimin e qytetarëve.
Jo vetëm përvetëson pasurinë numër një publike të shqiptarëve, që është porti i Durrësit, por gjobit shqiptarët me 1 miliard euro për ndërtimin e një porti të ri, i cili ndëshkon kombin jo vetëm me 1 miliard euro që do paguajnë, por e ndëshkon si një projekt që nuk i përgjigjet absolutisht as pozicionit strategjik natyror të Shqipërisë, pasi është 4 herë më i vogël se porti i Durrësit, dhe Durrësi është pozicioni strategjik më fizibël, më i përshtatshëm në të gjithë bregun e Adriatikut.
Kështu që ky projekt jo vetëm përvetëson disa miliardë dollarë, rreth 4 miliardë dollarë pasuri publike, por ky projekt i jep një goditje fatale pozicionit gjeostrategjik dhe favoreve që rrjedhin nga ky pozicion.
Porti është një ndëshkim madhor edhe për transportin, për çmimin e mallrave sepse shumica e tyre do vijnë nga Tivari, do vijnë nga portet e tjera, në Vlorë është mbyllur porti, Saranda nuk ka, Shëngjini jo, kështu që ky vend me 400 kilometra breg është pothuajse pa porte.
Në një kohë kur ky ishte nyja më e rëndësishme, më e përshtatshme sidomos pas ndërtimit të Rrugës së Kombit.
Rruga e Kombit është korridori më fizibël.
Nëse ju kujtohet ju, edhe Marrëveshja e Uashingtonit përcaktonte hekurudhën Nish-Durrës dhe një port edhe më të thellë sepse ky është pozicioni gjeografik i Shqipërisë.
Shqipëria ka këtë avantazh, Shqipëria e ka paguar çmimin më të shtrenjtë për shkak të këtij pozicioni, e kanë pushtuar fuqitë e huaja nja 30-40 herë vetëm për shkak të pozicionit.
Tani në vend se të përfitojë, tani ky ia heq edhe këtë avantazh për t’u bërë miliarder, për të ndërtuar Dubain e 1001 netëve dhe natyrisht për qëllime antishqiptare të mirëfillta siç duket me të gjithë veprimtarinë e tij të ethshme që tani se e sheh se BE e ka bërë personazh të diskredituar, doli si hajdut mbarë Europës me votimin që bëri për Lubi Ballukun dhe qëndrimin që mban ndaj aferës së AKSHI-t, tani shpresa e vetme e tij ka mbetur Aleksandër Vuçiç dhe çiftimi i tij me Aleksandër Vuçiç ku kërkon një lloj tjetër integrimi, një kuadër ligjor që nuk ekziston në BE.
© SYRI.net