Rama pëpiqet të relativizojë pastrimin e parave përmes ndërtimit në Shqipëri

17:49, 09/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjatë një takimi me sipërmarrës të sektorit të ndërtimit, në kuadër të prezantimit të një projekti rezidencial në Tiranë, kryeministri Edi Rama deklaroi se ky sektor po etiketohet padrejtësisht si i lidhur me krimin.

Por ky qëndrim bie në kundërshtim të hapur me një sërë raportimesh dhe hetimesh, vendase dhe ndërkombëtare, të cilat prej vitesh e identifikojnë ndërtimin si një nga sektorët më të ekspozuar ndaj pastrimit të parave në Shqipëri. Përpjekja për ta paraqitur këtë fenomen si një perceptim të padrejtë duket më shumë si një strategji për të relativizuar problemin sesa për ta adresuar atë. Dhe kryeministri përdor qëllimisht takime me sipërmarrës që ndoshta nuk janë të përfshirë skema pastrimi të parave, pikërisht për të pastruar edhe pjesën tjetër të denoncuar nga investigimet mediatike serioze vendase dhe të huaja, por edhe nga agjencitë ndërkombëtare që luftojnë pastrimin e parave në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Në deklaratat e tij, Rama argumenton se nuk mund të përgjithësohet dhe se zhvillimi urban është një dëshmi e progresit të vendit. Megjithatë, ky argument shmang thelbin e çështjes: jo nëse çdo ndërtim është problematik, por nëse një pjesë e konsiderueshme e këtij sektori është përdorur si kanal për qarkullimin e parave me burim të paligjshëm.

Vetë institucionet shqiptare e kanë pranuar ekzistencën e këtij rreziku. Në një intervistë për La Repubblica (10 prill 2023), ish-kreu i SPAK, Altin Dumani, theksoi se, bazuar në hetimet e institucionit, ndër sektorët më të prekur nga pastrimi i parave janë ndërtimi, pasuritë e paluajtshme, lojërat e fatit dhe turizmi hotelier, duke përmendur gjithashtu edhe përdorimin në rritje të kriptomonedhave.

Sipas hetimeve dhe raportimeve mediatike, burimet kryesore të këtyre fondeve lidhen me:

-              trafikun e drogës

-              korrupsionin

-              aktivitetet kriminale ndërkombëtare

Ndërsa mënyrat e integrimit të tyre në ekonomi përfshijnë:

-              kompanitë e ndërtimit

-              investimet në projekte të mëdha urbane

-              transaksionet e fragmentuara dhe përdorimin e parasë cash

Pavarësisht kësaj tabloje, reagimi institucional në Shqipëri ka qenë i dobët dhe shpesh i kufizuar në deklarata publike edhe nga SPAK, pasi ky institucion nuk ka guxuar kurrë të shkojë më thëllë në hetime në çdo rast ku i del para firma e Ramës. Edhe rastet kur hetimet janë nxitur nga partnerë ndërkombëtarë, ato rrallë kanë avancuar në faza konkrete ndjekjeje penale.

Një prej rasteve më domethënëse mbetet ai i vitit 2021, kur Prokuroria e Posaçme njoftoi nisjen e një procedimi penal mbi dyshime për korrupsion dhe pastrim parash në dhënien e lejeve të ndërtimit në Tiranë, në bashkëpunim me autoritetet italiane, pas zhvillimeve që lidhen me organizatën kriminale ‘Ndrangheta.

Sipas vetë SPAK, procedimi u regjistrua mbi bazën e informacioneve të publikuara në media dhe indicieve të dala nga hetimet e Prokurorisë Antimafia në Catanzaro. U zhvilluan takime koordinuese dhe pati pritshmëri për një hetim të thelluar që do të prekte nivele të larta vendimmarrjeje.

Megjithatë, vite më pas, këto hetime nuk kanë prodhuar rezultate konkrete të bëra publike. Kjo ka ushqyer perceptimin se çështje të tilla mbeten në nivel deklarativ, pa u përkthyer në përgjegjësi konkrete ligjore.

Ndërkohë, hetimet italiane kanë dokumentuar, përmes përgjimeve të zgjatura, dyshime serioze mbi mënyrën se si mund të sigurohen lejet e ndërtimit dhe mbi përdorimin e projekteve të mëdha për qarkullimin e kapitaleve me burim të dyshimtë.

Në këtë kontekst, deklaratat politike që synojnë të relativizojnë problemin nuk adresojnë shqetësimin real: mungesën e transparencës, dobësinë e reagimit institucional dhe perceptimin në rritje se sektori i ndërtimit vazhdon të mbetet një nga pikat më të ndjeshme të ekonomisë shqiptare përballë pastrimit të parave.

Debati, për rrjedhojë, nuk është nëse Shqipëria duhet të ndërtojë apo jo, por nëse ndërtimi po zhvillohet mbi baza të pastra dhe të verifikueshme ligjërisht — një pyetje që mbetet ende pa një përgjigje bindëse nga institucionet përgjegjëse.

Për të mos thënë që vetë Edi Rama i nxit një pjesë të mirë të shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit që futen në sektorin e ndërtimit dhe më pas i 'pret në besë' duke ju ndërsyer drejtësinë e komanduar, për t’ua grabitur më pas.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco