‘Shqipëria, zero rezervë strategjike nafte’/ Projektligji, Bozdo: Qeveria, përfituese nga kriza e çmimeve!

11:48, 09/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në kulmin e një krize globale energjetike, Shqipëria gjendet pa asnjë rezervë strategjike nafte, duke e lënë vendin të ekspozuar dhe të papërgatitur përballë luhatjeve drastike të çmimeve.

Aarmi u dha nga Kuvendi nga ligjvënësi demokrat, Eno Bozdo, ku paraqiti projektligjin që sipas tij, synon të amortizojë goditjen e kostos së lartë të karburanteve për familjet dhe bizneset shqiptare.

Duke e cilësuar gjendjen aktuale si skandaloze, Bozdo tha se Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe Evropë që jo vetëm nuk zotëron rezervën 90-ditore të detyrueshme me ligj, por as nuk ka marrë masa konkrete për të mbrojtur qytetarët nga rritja stratosferike e çmimeve.

Kjo mungesë përgatitjeje, sipas deputetit demokrat, e lë vendin "lakuriq dhe me duart lart" përballë krizës, ndryshe nga fqinjët e saj që kanë mekanizmat e nevojshëm mbrojtës.

Propozimi, theksoi Bozdo, është një zgjidhje urgjente dhe konkrete për një situatë ku qeveria aktuale nuk ka ofruar asnjë plan për të lehtësuar barrën financiare mbi shqiptarët.

Le ta nisim këtë diskutim të domosdoshmërisht si projektligji duke thënë ca të vërteta të mëdha. E vërteta e parë e madhe është që ndërsa flasim në kulmin e një krize energjitike, Shqipëria sot nuk zotëron as edhe një gram naftë rezervë të sigurisë strategjike. Megjithëse kryeministri pretendon të kundërtën, por kjo nuk është aspak e vërtetë. Jemi ndoshta i vetmi vend në botë që nuk e kemi një rezervë të tillë, edhe pse legjislacioni shqiptar e ka të detyrueshme këtë gjë me 90 ditësh. Po, legjislacioni ynë kërkon që qeveria, e kërkon atë, por qeveria nuk e ka vënë ujin në zjarr për këtë dhe kjo ndodh gjithmonë me këtë qeveri, në përballimin e situatave emergjente dhe krizave humanitare. Gjithsesi, në këtë pikë që jemi, i lutemi që kriza mos të thellohet më tej dhe të mos marrim ndonjë detyrim, urdhër nga Bashkimi Europian, nga Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë, për lirimin e rezervave të naftës, të cilat duhet të jenë 90 ditë. Por në fakt sot janë zero ditë, madje zero minuta.

Duke na treguar qartë se sa të përgatitur jemi për menaxhimin e rezervave të naftës. Por kjo është shumë vonë dhe për këtë propagandë të fshehur, që dhe kjo propagandë fsheh skandali më të madh që sot jemi lakuriq dhe me duar lartë, përballë një krize energjitike, kur të gjitha vendet e tjera të BE-së dhe të rajonit i kanë këto rezerva dhe mekanizmat përkatës. Së dyti, më e rëndësishme ende, projektligji, në fakt, ofron mundësinë, hap derën për ndërhyrje ligjore të menjëhershme në raste krizash energjitike dhe i lejon qeverisë hapësirën ligjore të shqyrtojë uljen e taksave që rëndojnë mbi çmimin e naftës, si për shembull ajo e qarkullimit, për të cilën shqiptarët si asnjë vend tjetër e paguajnë dy herë, te kolaudimi, te kontrolli vjetor i makinave, por edhe tek litri i karburantit që furnizohen. Ose ndryshe taksa e karbonit, duke sjellë strukturën e çmimit të naftës shumë të shtrenjtë. Dhe në qoftë se i eliminojmë këto taksa, ne fare mirë mund të konsiderohemi dhe mund të matemi me Maqedoninë dhe Kosovën, gjithmonë duke ruajtur ekonomitë tona familjare dhe ekonominë prodhuese nga kriza energjitike dhe rritja stratosferike e çmimit.

Sepse është e pakuptimtë që Kosova-Maqedonia, vende pa det, ta tregtojnë naftën e tyre 30 deri në 40% më lirë, më lirë se Shqipëria, për familjet e tyre dhe për ekonomitë e tyre. Një tjetër mekanizëm që projektligji propozon është ai që i jep mundësi qeverisë të implementojë automatikisht modelin e akcizës së lëvizshme. Një model që përdoret sot ekzaktësisht në të njëjtën mënyrë nga qeveria italiane. Koncepti është shumë i thjeshtë. Çdo tepricë e TVSH-së që vjen si rezultat i rritjes së çmimit të krizës energjitike dhe që dhe që në thelb derdh më shumë para në mënyrë të pamerituar në thonjëza në arkën e qeverisë, shkon automatikisht për të ulur akcizën në të njëjtën masë. Ky parim universal i ndershmërisë sociale, siguron që qeveria të mos pasurohet kur rritet çmimi i karburanteve dhe kur shqiptarët varfërohen. Siç është në fakt duke ndodhur sot. Sepse për 450 lekë të vjetra që është rritur çmimi i naftës sot, në krahasim me ç'ishte përpara krizës, qeveria fut në xhep 90 lekë. 90 lekë për litër, e janë dhjetëra milionë euro të futura në xhepat e qeverisë, që nuk shkojnë në asnjë drejtim tjetër, vetëm për të fryrë arkën e qeverisë.

Dhe nuk jepet kjo as për fermerët, as për industrinë prodhuese, as për ekonominë familjare. E pra ky projektligj e mundëson automatikisht një mekanizëm të tillë. Së treti, edhe sikur Shqipëria sot të kishte rezervat e saj të sigurisë, gjë që nuk i ka, përsëri nuk ka një mekanizëm institucional të saj, të kërkuar gjithashtu nga direktiva përkatëse. E njëjta direktivë e Bashkimit Europian që përcakton sa duhet të jetë ditët e rezervës së sigurisë të naftës, përcakton që duhet të ketë dhe një mekanizëm për ta shpërndarë atë, që sapo kriza të shfaqet në horizont, mekanizmi shtetëror të jetë atje. Ky mekanizëm merr në dorë menaxhimin e rezervës dhe nëpërmjet procedurave ligjore rakordon lirimin e rezervës për të qetësuar tregun dhe bashkë me këtë dhe çmimin e naftës për konsumatorët. Jo vetëm kaq. Kjo strukturë dhe bashkëpunim me ministrinë që mbulon sektorin zbaton planin e emergjencës kombëtare për t'u përballur me krizën e çmimit dhe furnizimin e naftës. Ky projektligj sot i përafruar thuajse tërësisht me direktivën europiane dhe me mekanizmat që vendet e BE-së përdorin në raste të tilla, e ofron ngritjen e këtij mekanizmi edhe për Shqipërinë. Me pak fjalë, është ekzaktësisht ajo që na duhet dhe propozimi ynë, veçanërisht në këtë situatë, i jep një zgjidhje konkrete. Të nderuar zotërinj deputetë, ky projektligj kërkohet me urgjencë sepse jemi i vetmi vend në Evropë dhe në rajon që s'kemi marrë asnjë masë konkrete për amortizimin e rritjes së çmimit të naftës për shqiptarët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco