Deputeti i opozitës Tritan Shehu denoncoi atë që e cilësoi si një praktikë të paprecedentë: refuzimin sistematik të çdo propozimi të opozitës. Sipas tij, mazhoranca funksionon “si robot”, duke mos pranuar “asnjë ndryshim, asnjë kompromis, asnjë presje”, çka e kthen procesin ligjvënës në formalitet të njëanshëm.
Shehu ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e përgjigjeve nga kryeministri Edi Rama, i cili, sipas tij, ka injoruar kërkesat e përsëritura për raportim në Komisionin e Jashtëm për çështje që lidhen me orientimin europian të vendit. Ai e cilësoi këtë si “përbuzje të parlamentit” dhe si një tregues të qartë të mungesës së transparencës.
Kërkesa e opozitës për interpelancë me kryeministrin u refuzua nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në një përpjekje për të mbrojtur qeverinë nga përballja publike.
Peleshi argumentoi se kërkesa nuk bazohej në një akt konkret qeveritar, por në burime jo institucionale, duke e përdorur këtë si arsye për rrëzimin e saj. Siç duket kreu i Kuvendit po përdor rregulloren për të penguar debatin dhe jo për ta garantuar atë.
Shehu:
Po, për procedurë, po përpara se të flas për atë pikë të procedurës që doja të flisja, dua të them diçka sepse dëgjova këtu që u tha që ne nuk marrim pjesë në ligjet, nuk i votojmë ato. Unë ju them diçka, ja kam thënë dhe herë të tjera zoti kryetar. Asnjë propozim i jonë, asnjë amendament i jonë, asnjë ndryshim që kemi kërkuar, qoftë dhe një presje, nuk miratohet në komision. Atëherë pse do t'i miratojmë ligjet? S'ka ndodhur në historinë e parlamentit shqiptar kjo, që nga viti '91 asnjëherë. Asgjë nuk miratohet. Si robot qëndrojnë deputetët, nuk pranojnë asnjë ndryshim, asnjë kompromis, asnjë presje të ndryshojnë. Atëherë ç'është kjo?
A mund të marrim pjesë në këtë mënyrë neve në votimin e ligjeve? Jo. Së dyti, zoti kryetar, kam diçka. E kam thënë dhe herë të tjera. Po flitet këtu që nuk respektohet rregullorja, nuk respektohet që nga kryeministri në radhë të parë. Jemi shtatë deputetë, kemi kërkuar disa herë, e kam ngritur dhe këtu, që kryeministri i Shqipërisë të vijë në Komisionin e Jashtëm, për të dhënë shpjegime, për të dëgjuar mendimet e deputetëve për artikullin e turpshëm që ka miratuar, që ka publikuar me Vuçiçin.
Është një artikull shumë i rëndësishëm në kuptimin e keq të fjalës, sepse shkatërron linjat tona të integrimit, principet tona të integrimit, bie ndesh me konceptet europiane dhe ka marrë dhe notën zero nga Bashkimi Europian. Në këtë kohë ne kemi kërkuar që të diskutojmë me kryeministrin në Komisionin e Jashtëm. Asnjë përgjigje. Jo vetëm që nuk vjen, por nuk ka dhe asnjë përgjigje. Si e shpjegoni ju zoti kryetar këtë gjë? Si e shpjegoni ju deputetë të nderuar këtë gjë? Si ju duket kjo gjë? A nuk është kjo një shkelje kaq e rëndë e rregullores? Një përbuzje e parlamentit dhe e komisionit të jashtëm?
Me shumë korrektësi, brenda të gjithë rregullave kemi bërë kërkesën. Nuk vjen. Nuk kërkojmë një gjë... duhet të vijë kryeministri. Kjo më shtyu pastaj që kam kërkuar interpelancë me kryeministrin për këtë gjë. Nuk e di a do vijë apo jo këtu, po me atë kam kërkuar, s'kam kërkuar me njëri-tjetrin, sepse artikulli është me emër personal, por emri personal i kryeministrit është emri i qeverisë dhe politikave shqiptare i cili nxin procesin tonë të integrimit dhe në fakt nuk e nxinë. Po kërkon të justifikojë dështimin e plotë që ky regjim, kjo qeveri, fatkeqësisht, shumë, shumë fatkeqësisht e them, ka në procesin tonë të integrimit. Prandaj ju lutem, në qoftë se flasim për respektim, respektimi duhet të fillojë nga lart. Për parlamentin, për rregulloren, veçanërisht për Komisionin e Jashtëm. Sepse është diçka shumë e jashtëzakonshme, thelbësore. Lidhet me ndryshimin e linjave, të principit të integrimit ndaj Brukselit. Unë ju kërkoj të bëni të gjithë presionin tuaj zoti kryetar, si ju si balanca që duhet të jeni këtu, pikërisht për të respektuar këto parime, këto gjëra, jo vetëm këtu në sallë plenare, po dhe në komisionet tona. E kam kërkuar në komision disa herë, asnjë përgjigje. Heshtje varri.
Peleshi: Atëherë ju informoj se me shkresën numër 1439 fraksion 1, datë 8.4.2026, në bazë të nenit 89, 83 pika 3 e rregullores, i kam kthyer përgjigje një grupi prej shtatë deputetëve të Partisë Demokratike për kthimin e kërkesës për interpelancë me kryeministrin, me qëllim dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me vendimmarrjen e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit.
Pas shqyrtimit të kërkesës për interpelancë me kryeministrin, konstatohet se ajo nuk mund të pranohet. Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit janë të qarta. Interpelanca lidhet me qëndrime dhe vendimmarrje konkrete të qeverisë. Ndërkohë kërkesa e paraqitur mbështetet kryesisht në raporte, artikuj mediatikë, burime të tjera të jashtme dhe nuk identifikon një akt të drejtpërdrejtë të Këshillit të Ministrave. Dua ta theksoj qartë se nuk mund të thirret kryeministri në interpelancë për t'u përgjigjur përmbajtjes së artikujve dhe raporteve. Kuvendi nuk mund të institucionalizojë përgjegjësinë politike mbi bazën e burimeve jo institucionale. Për këto arsye kërkesa për interpelancë nuk pranohet. Në bazë të nenit 89 pika 3 e rregullores, kur deputeti kërkues nuk është në një mendje me kryetarin, çështja i shtrohet kuvendit, i cili pasi dëgjon mendimin e deputetit, për jo më shumë se 10 minuta, vendos me votim të hapur dhe pa debat.
© SYRI.net