Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit nuk duhet parë si një episod i izoluar, por si pjesë e një arkitekture komplekse pasigurie që dominon rajonin, me Kosovën në epiqendër.
I ftuar në studion e "Kafe Shqeto", Hisen Berisha – Ish-deputet i PDK-së, anëtar i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje në Kosovë, u shpreh se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit nuk mund të shihet si një incident i rastësishëm, por si një pjesë e një strategjie të mirëkalkuluar që ka si qëllim destabilizimin e sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Berisha theksoi se ky sulm është një shembull i qartë i ndërhyrjes së organizuar ushtarake nga Serbia, e cila ka përdorur metoda të sofistikuara për të krijuar një përplasje të rrezikshme në veri të Kosovës.
'Ky akt dhune është një sinjal i fortë për një rrezik të vazhdueshëm ndaj paqes dhe stabilitetit të Kosovës, dhe përpjekje për të minuar integrimin e vendit në strukturat ndërkombëtare.'-u shpreh ai
Ai theksoi gjithashtu se situata ka kaluar nga një tension civil në një kërcënim të organizuar, që kërkon një reagim të menjëhershëm dhe më të koordinuar nga institucionet e Kosovës dhe aleatët ndërkombëtarë.
Pjesë nga deklarata:
Një episod që nuk mund të shihet si i izoluar në aspektin e sigurisë. Ajo është pjesë e një arkitekture të pasigurisë që dominon rajonin, me fokus te Kosova. Interesat gjeopolitike u ndërthuren gjithashtu, sepse nuk jemi të shkëputur; domethënë, nuk mund të zhvillohemi në mënyrë autonome pa praninë, mbështetjen dhe koordinimin me aleatët që na kanë mbështetur deri këtu dhe që janë të pranishëm në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Pastaj, janë edhe projektet rajonale të bashkëpunimit që i theksuat edhe ju në atë rezymenë, pasi çfarë kanë qenë ato: synimi i Shengenit Ballkanik, Open Ballkani e të tjera, me synimet që kanë pasur, dhe të cilat po ashtu kanë krijuar një lloj paqartësie.
Në vend që të prodhojnë normalizim, ato kanë krijuar një paqartësi strategjike, kur e shohim në kontekstin më të gjerë shqiptar apo rajonal. Këto projekte kanë krijuar mundësi për tensione të reja, sepse ka pasur zhvillime që kanë dalë përtej këtyre synimeve, mundësisht t’i quajmë pragmatike dhe të dobishme për rajonin, të paktën në synim dhe në deklarim publik. Mirëpo, kur e shohim raportin politik ndërmjet Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit, synohet vazhdimisht të thuhet se ky është në kuadër të një logjike të bashkëpunimit dhe të iniciativave që ata kanë zhvilluar me disa nga vendet e rajonit, me përjashtime të Kosovës, Bosnjës dhe, në shumë raste, të Malit të Zi. Por, këto janë të shkëputura nga realiteti i sigurisë që ka Kosova. Dhe në vend që të shihet kjo, nuk mund të shihet e izoluar, siç kanë pretenduar duke e lënë anash Kosovën dhe shtetet e tjera të krijuara në ish-Jugosllavi – si Bosnja dhe Mali i Zi. Duhet parë në një pjesë të një tabloje më të madhe, si në kontekst, por edhe në interesin e ngushtë të Kosovës, e cila është në një proces politik të mosmbylljes së konfliktit me Serbinë.
Pastaj, duhet trajtuar edhe balanca e fuqisë, por edhe interesat shtetërore, të cilat janë të dukshme dhe ende po shihen si një trend për ridimensionim të heshtur. Kur them "në mënyrë të heshtur", kam parasysh se shumë interesa të Serbisë, si nga Open Ballkani, por edhe nga plani Franko-Gjerman dhe detyrimet që dalin për marrëveshje teknike, zbatimin e tyre dhe normalizimin e raporteve me Serbinë. Sepse, nga artikulli 35 i kushteve për integrim në BE, ku është kandidate Serbia që nga viti 2012 dhe tani po i hapen ato kapituj, ka qenë e nevojshme të përmbushen tri kushte: njohja e Kosovës, ndryshimi i Kushtetutës, heqja nga sistemi juridik i Serbisë dhe normalizimi. Tani, dy të parat janë hequr për një periudhë 10-vjeçare dhe është dhënë e drejta për të mos i realizuar, ndërsa ka mbetur vetëm normalizimi, për të cilin veprimet e qeverisë sonë gjatë një mandati të plotë dhe në vazhdimësi kanë realizuar shumë nga këto marrëveshje teknike, afërsisht 99 të tilla, të cilat janë në përmbushje, siç janë realizuar disa mbyllje zyrash dhe veprime të tjera që kontribuojnë në hapjen e dyerve për Serbinë drejt Bashkimit Evropian.
Çfarë po dua të them me këtë? Po shtoj këtu sulmin në Banjskë, i cili ka qenë një kthesë e madhe në perceptimin e sigurisë në Kosovë. Mënyra si është organizuar, armatimi, infiltrimi i armatimit që e përmendët edhe ju, dhe niveli i koordinimit kanë treguar se nuk kemi të bëjmë me një incident spontan, që është kryer nga një terrorist, edhe pse Radoiçiqi u vendos si pikë qendrore. Mos harroni, në përbërjen e këtij ekipi kanë qenë oficerë që ishin lëruar për gjashtë muaj, me vendime të përgatitura retroaktivisht, për të mos i implikuar si pjesë të forcave serbe, dhe ata ishin pjesë e operacionit. Këtë nuk po e vë kush në pah, se kemi të bëjmë me një invazion ushtarak. Pra, një sulm, edhe pse u cilësua si akt terrorist, dhe nga një grup terrorist kaloi në individë të armatosur, dhe Vuçiqi pastaj përpiqet ta quajë këtë si qytetarë kosovarë, siç thonë ata për Radoiçiqin nga Gjakova, që janë të frustruar nga diskriminimi, po të themi.
Nëse e shohim si skenar, siç e kam cilësuar në hapat e para, kemi të bëjmë me një operacion që ka dërguar një mesazh të qartë politik dhe faktikisht ka instaluar tre pasoja strategjike. Domethënë, rikthimi i dimensionit të sigurisë së lartë në veri. Nuk kemi të bëjmë thjesht me një sulm spontan, duke e zëvendësuar situatën e tensioneve civile dhe pakënaqësive që kanë ekzistuar që nga koha kur vendosëm pikat doganore dhe fiksuam kufijtë e Kosovës, dhe kemi kaluar në një kërcënim të organizuar që ka karakter ushtarak dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga Serbia, për shkak të prejardhjes së armatimit. Pastaj, elementi i dytë është testimi i kapaciteteve të institucioneve të Kosovës.
© SYRI.net