Çmimi i lartë i karburanteve në Shqipëri, më i larti në rajon, nuk është pasojë vetëm e tregjeve ndërkombëtare, por një kombinim kompleks i një sistemi fiskal problematik dhe mungesës së rezervave strategjike shtetërore.
Këto ishin pikat kryesore të analizës së bërë nga eksperti i ekonomisë, Eriko Ceko, gjatë bisedës në emisionin 'KUSH PAGUAN' në SYRI TV, ku u zbardhën arsyet pse konsumatorët shqiptarë paguajnë një faturë kaq të kripur në pikat e karburantit.
Sipas ekspertit, një nga faktorët kryesorë është barra e lartë fiskale. Pothuajse i gjithë karburanti në vend importohet, dhe mbi të aplikohet menjëherë një akcizë e lartë. Por problemi thellohet me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), i cili aplikohet që në doganë, duke krijuar një efekt “kaskadë”. Kjo do të thotë se TVSH-ja rritet sa herë që produkti kalon dorë, nga importuesi te shpërndarësi e deri te konsumatori final.
Kësaj skeme i shtohen edhe taksa të tjera, si ajo e qarkullimit dhe e karbonit. Për ta ilustruar, Ceko shpjegoi se një karburant me çmim bazë 65 lekë për litër, vetëm me shtimin e akcizës dhe TVSH-së arrin në 120 lekë, praktikisht duke u dyfishuar përpara se të arrijë te qytetari. Kjo barrë taksash përkthehet në një kosto disproporcionale për xhepat e shqiptarëve. Eksperti solli një krahasim të qartë: ndërsa një qytetar gjerman shpenzon rreth 1% të pagës së tij ditore për një litër karburant, një qytetar shqiptar, për shkak të pagave më të ulëta, detyrohet të shpenzojë rreth 7% të të ardhurave ditore për të njëjtën sasi. Një tjetër pikë alarmante e ngritur gjatë debatit ishte mungesa totale e rezervave shtetërore të karburantit.
Ceko vuri në dyshim rritjen e menjëhershme të çmimeve pas konflikteve ndërkombëtare, duke argumentuar se nëse shteti do të kishte rezerva strategjike, mund të ndërhynte për të stabilizuar tregun dhe për të mos lejuar rritje abuzive, siç bëjnë vende të tjera si SHBA. Sipas tij, Shqipëria nuk ka asnjë rezervë shtetërore karburanti, duke e lënë tregun dhe konsumatorët plotësisht të pambrojtur. Kritikat u shtrinë edhe ndaj rolit pasiv të Bankës së Shqipërisë. Edhe pse disponon një rezervë të konsiderueshme valutore, Ceko theksoi se kjo institucion nuk ka ndërhyrë asnjëherë në histori për të zbutur goditje të tilla ekonomike. Sipas tij, kjo rezervë, e cila është pronë e qytetarëve, duhet të përdorej në situata krizash për të mbrojtur ekonominë dhe fuqinë blerëse të konsumatorëve.
Ceko:
Në përgjithësi Shqipëria i ka çmimet e të gjithë produkteve dhe shërbimeve që lidhen me sektorin e energjisë, të larta, dhe specifikisht karburantet, dhe ky është një kombinim i disa faktorëve. Kryesisht ne pjesën më të madhe të karburantit e importojmë, për të mos thënë 100%, dhe ne nuk bëjmë një diferencë midis sasisë së karburantit të cilin ne e eksportojmë, sepse ne eksportojmë karburant. Dhe karburanti që ne eksportojmë, kur futim brenda, importojmë karburant, pjesën që që eksportojmë ne nuk e zbresim në mënyrë që të paktën kësaj t'i hiqet taksiza. Por ne gjithë naftën që importojmë e importojmë me akcizë. Tjetër është TVSH-ja, e cila i vendoset karburantit që në fillim, sepse ne kemi dhe një problem me TVSH-në, sepse ne kemi TVSH e cila vendoset që në fillim kur futen të gjithë mallrat në doganë, dhe jo TVSH kur shitet produkti.
Dhe kjo TVSH është një TVSH kaskadë, që vazhdon gjatë gjithë zinxhirit të furnizimit. Importuesi kryesor ia jep shpërndarësit, shpërndarësi e çon te pika e karburantit, pika e karburantit ia shet qytetarit. Domethënë ka të paktën katër duar, ku TVSH-ja është, nuk është më 20%, po është 20% e 20%-it. Dhe në fund qytetari paguan gjithë këtë pjesë. Pra, kemi disa faktorë që ndërthuren, plus që kemi dhe taksat për dioksidin e karbonit edhe taksën e qarkullimit edhe disa taksa të tjera që i vishen çmimit të karburantit. Por nuk është vetëm fjala te nafta, te benzina, apo te kerosini, te vajguri, dhe apo te gazi.
Edhe te energjia elektrike, përsëri ne kemi çmim të lartë, pavarësisht se ka disa lëvizje që janë bërë kohët e fundit për të vendosur një çmim tavan për qytetarët, përsëri kemi një problematikë... Për shembull, me rritjen e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, një qytetar gjerman paguan 1% nga paga ditore. Për një litër naftë.
Ndërsa një qytetar shqiptar, meqënëse e ka pagën të ulët në krahasim me qytetarin gjerman, e ka rreth 7% të të ardhurave ditore, çmimin e karburantit.
Po, sipas të dhënave të fundit, 220 lekë, edhe me 4 lekëshin që u hoq, diku 218-220 lekë. Kjo është pak a shumë.
Ne mund ta bëjmë, ne mund të bëjmë një llogaritje pa taksa.
Para para rritjes së çmimit për shkak të konfliktit Iran dhe Shtetet e Bashkuara, Izrael nga krahu tjetër, ishte, nafta në tregun ndërkombëtar ishte 65 dollarë. Po. 65 lekë, ta marrim për litër, mos e bëjmë për fuçi. 35 lekë ishte akciza, ëhë, vajti çmimi i naftës 100 lekë. Edhe 20 lekë TVSH-ja, domethënë pa u futur nafta ende në territorin shqiptar shkonte 120 lekë, dyfish. Vetëm me akcizë dhe TVSH. Shto këtu taksën e karbonit, taksën për qarkullim e të tjera dhe shkonte te qytetarët 185, 175-180 lekë.
Gjatë konfliktit, nafta vajti deri në 220 lekë dhe u detyrua qeveria që të ngrinte, të ndërtonte këtë bordin e administrimit, një mënyrë fiktive që qeveria të lajë duart dhe mos të thotë që s'kam të bëj fare unë me këtë çështje, po e ka fajin bordi. Edhe nesër pasnesër në qoftë se del ndonjë hetim, ndonjë gjë, e ka fajin bordi. Dhe nafta vajti 220 lekë. Tani jemi sot. Konflikti është pezulluar për dy javë. Pse, sapo filloi konflikti të nesërmen brenda 24 orëve çmimet u rritën?
Në qoftë se do ishte ashtu, ne do blinim naftë edhe brenda 24 orëve nafta do vinte aty në port, do shkarkohej. Po atëherë mund të thoshim që u rrit çmimi i naftës për shkak të konfliktit. Ku janë rezervat e detyrueshme të kompanive, një, po mua më shqetëson çështja tjetër.
A ka shteti rezerva karburanti?
Do shpërndante menjëherë rezervën, do stabilizonte çmimet.
E dyta, që mua më shqetëson më shumë. Themi që Banka e Shqipërisë ka një rezervë valutore, është rritur, ka vajtur kaq milionë. Më thoni mua një herë, një herë në historinë e Shqipërisë që Banka e Shqipërisë ka përdorur rezervën valutore. Një herë, më thoni mua. Për çfarë është rezerva valutore?
Rezerva valutore është prona e shqiptarëve, është e qytetarëve shqiptarë. Pse nuk ndërhyn Banka e Shqipërisë me rezervën valutore në situata të tilla krizash ndërkombëtare, ndërkombëtare, se ne s'kemi fare lidhje me me naftën e Iranit për momentin. Për momentin. Ne më shumë kemi lidhje me domatet e Iranit sesa me naftën. Sepse Irani është një ndër katër vendet eksportuese më të mëdhenj të domateve në botë. Dhe ne importojmë domate.
© SYRI.net