Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, pritet të takojë shefin e NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, në një kohë kur lufta me Iranin ka përshkallëzuar tensionet mes Uashingtonit dhe aleatëve europianë.
Trump ka kërcënuar me tërheqje nga aleanca 32-anëtare dhe ka kritikuar hapur vendet europiane për mbështetje të pamjaftueshme ndaj fushatës ushtarake SHBA-Izrael kundër Iranit. Ai deklaroi se sulmet do të ndalen pas një armëpushimi dyjavor të rënë dakord mes palëve.
Ndërkohë, SHBA u ka bërë thirrje vendeve që varen nga nafta e Gjirit të ndërmarrin hapa për të sfiduar kontrollin e Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, vendet europiane nuk pritet të përfshihen në operacione ushtarake, për sa kohë konflikti vazhdon.
Irani ka paralajmëruar se do të bllokojë këtë korridor strategjik me mina deri në përfundimin e luftës.
Rutte, i cili ka ndërtuar një marrëdhënie funksionale me Trump, pritet të kërkojë uljen e toneve ndaj NATO-s dhe të theksojë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga ana e Europës. Ai gjithashtu synon të nxisë bashkëpunimin në industrinë ushtarake dhe të diskutojë zhvillimet në Iran dhe Ukrainë.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse NATO do të ketë rol aktiv në Lindjen e Mesme, pasi mandati i saj mbetet i fokusuar kryesisht në Euro-Atlantik.
Konflikti me Iranin ka rritur gjithashtu shqetësimet për Ukrainën dhe përkushtimin afatgjatë të SHBA-së ndaj aleancës. Pavarësisht kësaj, zyrtarë amerikanë kanë siguruar privatisht aleatët se mbështetja për NATO-n vazhdon.
Takimi Trump–Rutte pritet të zhvillohet në një klimë të ndjeshme, ku përplasjet publike dhe presioni politik mund të ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e aleancës transatlantike.
© SYRI.net