Ulja e papërfillshme me 4 lekë e çmimit të naftës nga Bordi i Transparencës nuk ka sjellë asnjë lehtësim për sektorët e ekonomisë të varur prej saj, veçanërisht për bujqësinë dhe blegtorinë. Të përballur me kosto të papërballueshme dhe në prag të falimentit, blegtorët kanë protestuar së fundmi duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga qeveria, por zëri i tyre duket se ka rënë në vesh të shurdhër.
Dashamir Çela, përfaqësues i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit dhe Blegtorëve, në një intervistë pës SYRI TV me moderatorin Armela Ferko, u shpreh se situata përkeqësohet nga viti në vit. Sipas tij, blegtorët dhe fermerët shqiptarë po përballen me një krizë të thellë, të shkaktuar nga një sërë faktorësh. “Nga nafta te gjëja më e vogël fare, kostot tona kanë 30% rritje,” thotë ai, duke përmendur ushqimin për kafshët, plehrat kimike dhe karburantin si shpenzimet kryesore që po i gjunjëzojnë. Përveç kostove të brendshme, një tjetër goditje vjen nga konkurrenca e pandershme e produkteve të importit.
Dashamir Çela: Po ne si blegtorë faktikisht kemi pritur nga viti në vit të bëhet situata më e mirë, po e shohim domethënë që nga viti në vit situata po përkeqësohet, sepse subvencionet janë shumë të pakta, shohim që konkurrenca është e madhe sidomos nga Europa, nga vendet e rajonit si Kosova, Serbia, Hungaria dhe Maqedonia, dhe ne jemi të pasubvencionuar, kështu që ata kanë çmim më të ulët dhe fabrikat preferojnë domethënë të marrin qumësht të huaj. Dhe blegtoria domethënë viti-vitit shkon në të kurrë domethënë. Mungesë subvencionimi real domethënë. Ne kemi pasur një takim para se të shpallej skema e mbështetjes për bujqësinë dhe blegtorinë me ministren atëherë, Krifca, dhe i kemi kërkuar ne si shoqatë, blegtorë prodhim të qumështit që të paktën ne si blegtorë domethënë të na subvenciononte 200 mijë lekë për krerë, për lopë prodhim qumështi dhe për viç 100 mjë lekë.
Dhe për naftën domethënë e kemi kërkuar për të na subvencionuar në bazë të prodhimit që ne shesim. Mos, se tha që ka abuzime me naftën, dakord, edhe ne gjetëm një zgjidhje se si mund të subvencionohen më mirë fermerët dhe blegtorët. Në bazë të faturës që ata prodhojnë. Në qoftë se prodhojnë qumësht, ta përllogarisë ministria dhe t'i japë naftën. As kjo s'u mor parasysh. Doli me një vendim domethënë që ai do subvencionojë 120 krerë për lopë, po dhe kjo ka një limit domethënë deri në 50 krerë. Dhe për viça s'ka fare subvencionim. Se vjet ka pasur edhe për viça faktikisht. U hoq, edhe nafta është hequr domethënë, është lënë për ata që kanë 3 hektarë e lart, por siç dihet, Shqipëria është shumë e vogël domethënë për të pasur ne si fermerë 3 hektarë e lart, janë të paktë fermerët. Zgjidhja më e drejtë për naftën do ishte ajo që thashë unë që në bazë të faturës tatimore që ti shet prodhimin, të merrje dhe naftën e duhur domethënë. U detyruam dhe ne domethënë, mbasi ai shpalli skemën, u detyruam dhe ne që dje të vinim në Ministrinë e Bujqësisë, ne si blegtorë të paktën, se ne e ndjejmë më shumë krizën sepse e kemi, domethënë kemi fushatë përpara tash, s'po mbjellim misra, po korrim jonxha. Domethënë ne naftën e kemi direkt domethënë...
Tani jemi në prag pranvere dhe fillojnë të tëra, dhe me mbjelljen e jonxhës, dhe me mbjelljen e misrave, bluarjen pranveror, vaditja pak më vonë që do vaditur misrat, këto vaditen të tëra me naftë se këtu s'ka as kanale vaditëse apo që të vadisësh... Domethënë nga nafta te gjëja më e vogël fare kanë 30% rritje. Nga koncentrati, 30% rritje, te plehrat, te ureja, te... domethënë çdo gjë është 30% rritje, kurse qumështi jonë është me ulje tërë kohën domethënë. Jemi të destinuar domethënë për, siç e shikon dita-ditës, e themi vazhdimisht, dita-ditës që këtu s'po ka më, nuk po ka më jo lopë, po s'po ka as njerëz. Po të kalosh për fshatra këtej lart, domethënë, as njerëz s'ka më, vetëm pleqtë kanë ngelur. Nuk ka politika domethënë për të mbajtur rininë shqiptare në zonat rurale, po është shpopulluar vendi për, ja këto janë arsyet domethënë, për naftën, për subvencionet, mosmbështetje reale domethënë ndaj blegtorisë dhe bujqësisë domethënë, kështu që të rinjtë detyrohen të ikin nga ky vend ose të vijnë për qytete, jetojnë diçka më mirë.
© SYRI.net