Një armëpushim dyjavor i arritur me ndërmjetësimin e Pakistanit ka ulur përkohësisht tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke i dhënë botës një "frymëmarrje lehtësuese".
Egon Loli, ekspert i çështjeve ndërkombëtare, i ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV me gazetarin Arnold Kariqi, theksoi se armëpushimi dyjavor mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka sjellë një ulje të përkohshme të tensioneve, por nuk i ka dhënë zgjidhje konfliktit.
Ai nënvizoi se fokusi i zhvillimeve është zhvendosur tashmë te Ngushtica e Hormuzit, ndërsa negociatat mbeten të hapura dhe situata vijon të jetë e paqëndrueshme.
Pjesë nga deklarata:
Po, është e vërtetë që deri vonë pas mesnate mbrëmë kemi mbajtur frymën të gjithë, në pritje të asaj se çfarë mund të ndodhte dhe çfarë pasojash mund të sillte, jo vetëm për Iranin, por për të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme e më gjerë, rajonin tonë e më gjerë në mbarë botën, sepse kërcënimet e presidentit Trump ishin, në të vërtetë, të rënda dhe të paprecedenta. Megjithatë, falë ndërhyrjes së Pakistanit dhe presioneve të minutave të fundit, duhet të themi që ajo që u arrit, u arrit dhe tashmë gjendemi në një periudhë dyjavore ku mund të marrim frymë më lirshëm dhe të analizojmë pak më qetësisht të dyja palët, si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Iranin, sipas propozimeve që secila ka hedhur në tryezën e bisedimeve.
Unë mendoj që armëpushimi, nëse mund ta quajmë armëpushim, sepse edhe teksa ne flasim goditjet me raketa nga të dyja palët ndërluftuese vijojnë, megjithatë, nëse mund ta quajmë armëpushim, ishte i nevojshëm, sepse tashmë edhe fqinjët e Iranit dhe aleatët e Gjirit Persik, të cilët një pjesë e tyre janë negociues të kësaj marrëveshjeje, duhet të llogarisin hapat e mëtejshëm, pasi janë ata që e pësojnë së pari çdo goditje nga palët ndërluftuese dhe janë ata që kanë në dorë edhe fatin e ekonomisë globale. Ja pse ky armëpushim është kaq i rëndësishëm në këndvështrimin tim.
Unë mendoj që kjo nuk është një fitore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, armëpushimi pra, por gjithsesi është një mundësi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin atë që u ka mbetur për të marrë, ndërsa Irani kjo e faktorizon si një fuqi, si një faktor pa të cilin Gjiri Persik tashmë nuk mund t’i bëjë llogaritë e veta.
Kakofonia është elementi që e ka përcaktuar më shumë se çdo gjë tjetër këtë operacion, nëse nuk po e quajmë luftë, por operacion, siç Trumpi ka qejf t’i referohet. Pra, është kakofonia e vendimmarrjes dhe objektivave strategjike ajo që e ka karakterizuar. Dhe kjo kakofoni nuk është shtrirë vetëm në nivelin e brendshëm të dy aleatëve, pra midis Pentagonit dhe administratës Trump brenda Amerikës dhe midis IDF-it dhe administratës së Netanyahut brenda Izraelit, por kemi parë javët e fundit edhe një mosmarrëveshje midis vetë Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Sepse objektivat e kësaj lufte kanë qenë të ndryshëm, me sa duket, për Izraelin dhe për Amerikën dhe vijojnë të jenë të ndryshëm për shkak të pozicioneve dhe interesave të tyre gjeografike.
Megjithatë, përshëndetja që kryeministri Netanyahu i bëri këtij armëpushimi dhe bashkangjitja me presidentin Trump për bisedime në Pakistan tregon që të paktën në këtë moment kemi një harmonizim midis Netanyahut dhe Trumpit. Sigurisht, është e kuptueshme që, pavarësisht se popullariteti i qeverisë Netanyahu është i ulët në Izrael, prirja për të mbështetur luftën nga ana tjetër është shumë e lartë. Kjo për shkak të vetë rrezikut ekzistencial që Irani përbën për Izraelin, sidomos tanimë kur nuk ka më garanci, të paktën deri në këtë moment, se Irani nuk do të godasë Izraelin edhe gjatë apo pas një marrëveshjeje të mundshme.
Nga ana tjetër, qëndrimi i opozitës në Izrael, ku Yair Lapid është shprehur se ky është një armëpushim që nuk merr parasysh interesat e Izraelit dhe përbën një dështim të qeverisë Netanyahu, tregon për ndasitë e brendshme. Megjithatë, mbetet për t’u parë, sepse teksa ne flasim, sulmet e dyanshme vijojnë ende, si në Iranin jugor nga ana e Izraelit, ashtu edhe nga ana e Iranit drejt vendeve të Gjirit, si Emiratet e Bashkuara dhe Kuvajti.
Kjo sepse kur ti e nis një operacion ushtarak me objektiva të paqartësuar, do të përfundosh duke hapur edhe çështje të tjera dhe probleme të tjera për t’i zgjidhur. Nga katër objektiva që ishin artikuluar gjerësisht në mediat ndërkombëtare dhe nga administrata Trump, u bënë pesë. Dhe i pesti nuk ishte i planifikuar në nisje të operacioneve, pra është ngushtica e Hormuzit. Kjo erdhi si pasojë e një dritëshkurtësie në vizionin strategjik të administratës Trump në lidhje me mundësitë dhe taktikat e përdorimit të luftës ndaj Iranit.
Pra, ata nuk e kuptuan që Irani e ka shumë të thjeshtë të bëjë atë që bëri: të bllokojë ngushticën e Hormuzit nëse ndihet i kërcënuar apo nëse sulmohet. Dhe për këtë arsye, nuk e lexoj si një fitore të Washingtonit, sepse praktikisht edhe kërcënimi i presidentit Trump, edhe kushti i armëpushimit dyjavor, edhe motivi fillestar i uljes në Pakistan për bisedime lidhen me këtë pikë të pestë, që nuk ekzistonte në fillim.
Pra, hapja e ngushticës së Hormuzit dhe qarkullimi i lirë i transportit detar dhe i anijeve me karburant dhe plehra kimike është kthyer në thelb të diskutimeve. Dhe kjo është diçka që, në një farë mënyre, po e dikton Irani, jo Washingtoni apo Tel Avivi. Kjo është edhe arsyeja pse Tel Avivi ndihet i kërcënuar.
E përsëris: nëse do të kemi një marrëveshje vetëm për Hormuzin, kjo është humbje. Është një lloj noterizimi i humbjes nga ana e Washingtonit, sepse Hormuzi nuk ishte objektiv strategjik në fillim. Dhe qartazi, kjo nuk mund të konsiderohet fitore. Ndërkohë, çështja e uraniumit mbetet një nyje e fortë dhe, sipas raportimeve të fundit, mund të jetë pengesa kryesore për zhvillimet e mëtejshme.
© SYRI.net