Grupi parlamentar i PD-së i ka dërguar një raport ambasadave shqiptare të akredituara në Shqipëri dhe kryetarit të Kuvendit mbi shqetësimin se dita ditës nga ana e maxhorancës po bëhet gjithçka për të pamundësuar rolin e opozitës në kuvendin e Shqipërisë.
Shqipëria ndodhet në një moment kyç në procesin e integrimit europian që duhet të shërbejë si mundësi për të forcuar demokratiziminin e institucioneve shqiptare, përfshirë funksionimin demokratik të Kuvendit të Shqipërisë. Për fat të keq, kjo jo vetëm nuk ka ndodhur, por mazhoranca në kuvend me veprimet dhe mosveprimet e saj, dita ditës po synon asgjësimin e rolit të opozitës në parlament” tha kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi në mbledhjen e sotme të grupit PD.
Në raport evidentohet si PS, partia e kryeministrit Edi Rama vazhdon t'u mohojë deputetëve të opozitës ushtrimin e të drejtave të tyre parlamentare, duke i penguar në përmbushjen e detyrave për mbrojtje të interesit publik.
Janë refuzuar kërkesat për mocion me debat, interpelancë me kryeministrin, seanca dëgjimore në komisionet parlamentare, ngritje të komisioneve hetimore.
Nga ana tjetër, propozimet ligjore të deputetëve të opozitës, përfshirë projektligje apo amendamente, refuzohen pa asnjë arsyetim, thjesht për faktin se janë propozime të një deputeti të opozitës, theksoi më tej Bardhi.
Po kështu, në gjashtëmujorin e kësaj legjislature maxhoranca ka refuzuar ngritjen e pesë komisioneve hetimore.
Ka refuzuar pa asnjë argument, asnjë arsyetim, 63 iniciativa ligjore të deputetëve të opozitës, ku përfshihen 10 projektligje dhe 53 amendamente, duke mos i miratuar ato as në parim. Ka refuzuar të drejtën e lirisë së shprehjes së deputetëve dhe vendimmarrjes demokratike në kuvend si dhe ka përjashtuar nga kuvendi 15 kolegë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, në një kohë totale përjashtimi 295 ditë në vetëm gjashtë muaj funksionimit të kuvendit.
Po kështu në të gjitha proceset që ka ndodhur në gjashtë muaj, opozita është përjashtuar tërësisht nga procesi i përzgjedhjes së emërimit të institucioneve të pavarura kushtetuese apo të krijuara me ligj, duke politizuar në këtë mënyrë çdo institucion të pavarur dhe duke sjellë që mazhoranca aktuale qeverisëse të kontrollojë 100% të gjitha emërimet në institucionet e pavarura. Kjo nënkupton kapje totale të shtetit nga mazhoranca qeverisëse.
Në gjashtë muajt e funksionimit të kuvendit, në këtë legjislaturë, janë kryer 11 emërime në institucionet e pavarura, ku të gjitha janë realizuar vetëm nga mazhoranca përmes një procesi të njëanshëm, nënvizoi Bardhi.
Deklarata e Gazment Bardhit
Raporti për vitin 2025 për Shqipërinë, i Komisionit Europian, thekson ndër të tjera se parlamenti mundi të ushtrojë kompetencat e tij në mënyrë pjesërisht efektive.
Polarizimi politik, mungesa e dialogut të vërtetë politik dhe përplasjet midis shumicës dhe opozitës, ndikuan në veprimtarinë e parlamentit, ndërsa proceset e konsultimit publik mbeten të kufizuara.
Parlamenti gjithashtu pengoi mbikqyrjen efektive ndaj ekzekutivit, ndërkohë që polarizimi dhe politizimi i emërimeve parlamentare në pozita të larta të organeve kushtetuese apo të institucioneve të pavarura të krijuara me ligj, mbetet një çështje serioze. Ndërkohë që në një reagim publik të delegacionit të Bashkimit Europian, në datën 24 mars 2026, ndër të tjera nënvizohet se delegacioni i BE-së thekson se opozita ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në parlament dhe në jetën demokratike të vendit.
Në përgjigje të këtij detyrimi, edhe në kuadër të procesit të integrimit Europian, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, por dhe opozita në tërësi, që në nisje të legjislaturës 11, është angazhuar në mënyrë konstruktive në Kuvendin e Shqipërisë, por dita ditës po na pamundësohet ushtrimi i përgjegjësive tona.
Qartësisht, ka një përpjekje për të bashkuar shtetin me partinë në pushtet dhe shumicën parlamentare, ku kjo e fundit e trajton parlamentin si një institucion një partiak, ku vendimet diktohen jo nga forca e arsyes, jo nga përgjegjësia kushtetuese dhe të drejtat ligjore të deputetëve, por nga forca e numrave të tyre në Kuvendin e Shqipërisë.
Shumica vazhdon t'u mohojë deputetëve të opozitës ushtrimin e të drejtave të tyre parlamentare, duke i penguar në përmbushjen e detyrave për mbrojtje të interesit publik.
Deri më sot, kërkesat tona për mocion me debat, interpelancë me kryeministrin, seanca dëgjimore në komisionet parlamentare, ngritje të komisioneve hetimore, janë refuzuar.
Nga ana tjetër, propozimet ligjore të deputetëve të opozitës, përfshirë projektligje apo amendamente, refuzohen pa asnjë arsyetim, thjesht për faktin se janë propozime të një deputeti të opozitës.
Madje në disa raste është vërejtur që pas refuzimit të iniciativës ligjore të deputetëve të opozitës me votë të mazhorancës, i njëjti propozim është bërë nga një deputet i mazhorancës apo vetë Këshilli i ministrave dhe ai është miratuar disa javë më vonë në Kuvendin e Shqipërisë.
Ky është treguesi i qartë se mazhoranca nuk ka asnjë interes për dialog politik konstruktiv në Kuvendin e Shqipërisë.
Gjithashtu, me veprime të paprecedenta, siç ndodhi dhe në seancën e fundit, në një numër të konsiderueshëm të seancave plenare, votimi i projektligjeve kryhet pa ju nënshtruar procesit të debatit parlamentar, duke i hedhur projektligjet në votim pa diskutuar më parë deputetët dhe pa garantuar transparencën për shtetarët tanë.
Në gjashtë muajt e funksionimit të Kuvendit në legjislaturën e 11, mazhoranca në Kuvend ka refuzuar ngritjen e pesë komisioneve hetimore të kërkuara nga jo më pak se 35 deputetë, në kundërshtim flagrant me nenin 77 të Kushtetutës. Ka refuzuar shtatë kërkesa për interpelancë me kryeministrin, dy kërkesa për interpelancë me zëvendës kryeministren dhe tre kërkesa për interpelancë me ministrin e Shëndetësisë. Ka refuzuar shtatë kërkesa për zhvillim mocioni me debat për çështje që kanë interes për qytetarët.
Ka refuzuar pa asnjë argument, asnjë arsyetim, 63 iniciativa ligjore të deputetëve të opozitës, ku përfshihen 10 projektligje dhe 53 amendamente, duke mos i miratuar ato as në parim. Ka refuzuar të drejtën e lirisë së shprehjes së deputetëve dhe vendimmarrjes demokratike në kuvend.
Nga gjithsej 26 seanca plenare, në vetëm 10 seanca plenare diskutimet kanë përfunduar normalisht dhe është kaluar në votim në përfundim të të gjitha diskutimeve të deputetëve të regjistruar për të folur për projektligjet.
Ka refuzuar të drejtën për informacion të deputetëve të opozitës, drejtuar institucioneve shtetërore, duke mos ndërmarrë asnjë veprim për shkeljen e kushtetutës dhe ligjit nga organet e pushtetit ekzekutiv apo ato lokal. Janë pa përgjigje në tejkalim disa mujor të afateve, 15 kërkesa për informacion të deputetëve të opozitës. Për më tepër, mazhoranca në kuvend ka ndërmarrë një sulm të hapur ndaj deputetëve të opozitës me qëllim për t'i mbyllur gojën atyre.
Në gjashtë muaj funksionimi në legjislaturën e 11, grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka paraqitur shtatë kërkesa për marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve të opozitës, të cilat janë pranuar të gjitha, duke përjashtuar nga punimet e kuvendit 15 kolegë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, në një kohë totale përjashtimi 295 ditë në vetëm gjashtë muaj funksionimit të kuvendit.
Ndërkohë që grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka paraqitur katër kërkesa për marrje masash disiplinore ndaj deputetëve të mazhorancës, nga të cilat nuk është pranuar asnjë. Kjo tregon një sjellje me dy standarte, urrejtje për deputetët e opozitës dhe amnisti për deputetët e mazhorancës.
Nga ana tjetër, Komisioni Europian në raportin për Shqipërinë për vitin 2025, ka përcaktuar si çështje shqetësuese politizimin e emërimeve në organet kushtetuese dhe institucionet e pavarura të krijuara me ligj.
Në të gjitha proceset që ka ndodhur në gjashtë muaj, opozita është përjashtuar tërësisht nga procesi i përzgjedhjes së emërimit të institucioneve të pavarura kushtetuese apo të krijuara me ligj, duke politizuar në këtë mënyrë çdo institucion të pavarur dhe duke sjellë që mazhoranca aktuale qeverisëse të kontrollojë 100% të gjitha emërimet në institucionet e pavarura. Kjo nënkupton kapje totale të shtetit nga mazhoranca qeverisëse.
Në gjashtë muajt e funksionimit të kuvendit, në këtë legjislaturë, janë kryer 11 emërime në institucionet e pavarura, ku të gjitha janë realizuar vetëm nga mazhoranca përmes një procesi të njëanshëm. Akoma më shqetësues është fakti se opozita parlamentare është tërësisht e përjashtuar nga procesi i integrimit, duke mos patur asnjë informacion mbi axhendën e Kuvendit për projektligjet që nevojiten të miratohen në kuadër të përafrimit të legjislacionit, si dhe asnjë informacion të detajuar mbi zbatimet e detyrimeve nga ana e qeverisë në kuadër të procesit të bisedimeve para anëtarësim. Sipas nenit 18 të ligjit numër 15/2015 për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe nenin 103 fraksion 1 të rregullores së Kuvendit, Këshilli i ministrave duhet të informojë, thotë ligji, kuvendin mbi procesin e integrimit Europian, si një formë e kontrollit parlamentar për procesin e integrimit në BE.
Këshilli i ministrave ka refuzuar të përmbushë detyrimin e tij, duke mos raportuar në kuvend brenda datës 31 janar të çdo viti, siç ligji e detyron, duke refuzuar të bëjë transparencë për kuvendin. Prandaj të nderuar kolegë, grupi parlamentar edhe në ditët në vijim, duke mbajtur parasysh të gjitha pengesat që janë bërë gjatë këtyre gjashtë muajve, do duhet t'i japë përgjigje një pyetje. Duke mbajtur në konsideratë të gjitha pengesat sa më sipër, si mund ta luajë opozita rolin e saj të rëndësishëm në parlament dhe në jetën demokratike të vendit, kur ne pengohemi në çdo të drejtë tonë kushtetuese dhe ligjore.
Raportin e plotë me të gjitha rastet dhe të dhënat konkrete, sigurisht që do i dorëzohet brenda ditës së sotme kryetarit të Kuvendit dhe të gjitha ambasadave të vendeve të Bashkimit Europian në Shqipëri.
© SYRI.net