Marrëveshja SHBA – Iran, që shmangu katastrofën, Bytyçi: Trump fitoi, por duhet diçka e qëndrueshme...

11:51, 08/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas një periudhe tensionesh të larta dhe retorike kërcënuese që tronditi opinionin ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë arritur një marrëveshje të papritur për një armëpushim dyjavor. Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Pakistani, vjen si një kthesë e fortë nga përshkallëzimi i rrezikshëm i ditëve të fundit, por sipas analistëve, ajo fsheh më shumë një lëvizje strategjike sesa një zgjidhje afatgjatë.

Sipas analistit të çështjeve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, që ishte i ftuar në edicionin e paradites në Syri tv, ky armëpushim ishte një “rrugëdalje” e kërkuar për të qetësuar një situatë që kishte tronditur jo vetëm politikën globale, por edhe tregjet financiare. Ai shpjegon se konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit kishte arritur një pikë kritike, duke e bërë të nevojshme një zgjidhje për de-eskalim.

Në qendër të kësaj lëvizjeje, sipas Bytyçit, qëndron deklarata e fortë e Presidentit amerikan, Donald Trump, i cili kërcënoi me “asgjësimin e një civilizimi”. Kjo deklaratë ekstreme, sipas analistit, e vendosi vetë Trumpin në një pozitë ku i duhej të tërhiqej pa humbur fytyrën. Armëpushimi shërbeu si “trofeu” i nevojshëm për të. “Trofeja ishte ajo që u ndalua një katastrofë botërore dhe së dyti, presidenti amerikan doli i fituar sepse Irani pranoi disa kushte për të ndaluar luftën,” thekson Bytyçi.

Megjithatë, marrëveshja aktuale ka kufizime të theksuara. Analisti gjatë bisedës me moderatoren Eneida Ndoci sqaroi se armëpushimi thjesht “legalizon status quo-në” duke ndalur sulmet ushtarake, një zotim që thuhet se do ta respektojë edhe Izraeli. Por, ai nuk zgjidh çështjet thelbësore: nuk zhbllokon tregtinë jetike përmes ngushticës së Hormuzit dhe nuk adreson asnjë nga qëllimet fillestare të luftës, siç ishte ndryshimi i regjimit në Teheran.

Bytyçi paralajmëron se pa një marrëveshje paqeje afatgjatë, bota rrezikon të zhytet në një “kaos të papërjetuar që nga Lufta e Dytë Botërore”. Për momentin, bota mban frymën ndërsa pret të shohë nëse kjo pauzë e brishtë do të shërbejë si një urë drejt paqes apo thjesht si një qetësi para stuhisë së radhës.

Eneida Ndoci: Në këtë çast jemi në hapësirën e intervistës. Me mua, në një komunikim të drejtpërdrejtë në këto çaste, do të jetë zoti Enver Bytyçi, një analist dhe njohës shumë i mirë i çështjeve ndërkombëtare. Do të doja të dija pak në gjykimin tuaj se si e vlerësoni kthesën e papritur nga përshkallëzimi drejt një armëpushimi mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit. Një vendim i ardhur, e i njoftuar tashmë në platformën sociale X nga presidenti Donald Trump. A mund të jetë kjo një strategji taktike apo një hap real drejt një dëshire të madhe për të pasur me patjetër paqe?

Enver Bytuçi: Konflikti dhe lufta që zhvillohet në Iran dhe kundër Iranit natyrisht, por edhe Irani kundër vendeve të tjera të gjirit, por edhe kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit, është një konflikt tashmë i njohur që ka tronditur opinionin ndërkombëtar, ka tronditur tregjet, ka tronditur në një farë mase gjithçka çfarë mendohet dhe veprohet në, glob. Ishte e paparashikueshme që një sulm ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër Iranit të shkaktojë këtë tronditje të madhe dhe po kërkohej prej kohësh një rrugëdalje. Rrugëdalja do të ishte patjetër një marrëveshje për armëpushim të përkohshëm ose të përhershëm. Irani kërkoi vazhdimisht që të kishte një armëpushim të përhershëm, madje me disa kushte, të cilat sigurisht që nuk do të pranoheshin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri tek kushti i shpërblimeve si reparacione për dëmet që janë shkaktuar gjatë kësaj lufte kundër Iranit.

Presidenti Donald Trump ditën e djeshme me kërcënimin që bëri kundër Iranit dhe për asgjësimin e një civilizimi, i cili nuk do të rikthehet më, thoshte ai, bëri një deklaratë ekstremisht të keqkuptuar, por edhe të keqpërdorur nganjëherë, por që edhe ai vetë nuk besoj që do ta ketë patur, do të ketë patur në mendjen e tij diçka, diçka konkrete për këtë deklaratë, sepse civilizimet është vështirë t'i asgjësosh, nëse ndodh kjo, atëherë kemi të bëjmë me shkelje të të gjitha ligjeve dhe konventave ndërkombëtare. Por ajo ishte një deklaratë dhe kur një njeri i fuqishëm si Donald Trump bën deklarata të tilla, sigurisht që tërheq vëmendjen e opinionit publik dhe shkakton shqetësime kudo. Mbrëmë vonë u arrit një marrëveshje midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Iranit me ndërmjetësimin e Pakistanit natyrisht, për të, për një armëpushim prej dy javësh. Kjo marrëveshje në fakt ka legalizuar status quo-në. Thjesht ka ndaluar sulmet ushtarake të, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por Benjamin Netanyahu është zotuar se edhe ai do ta respektojë, nuk do të ndërmarrë sulme ushtarake ndaj Iranit, por nuk ka zhbllokuar ngushticën e Hormuzit dhe tregtinë në këtë kanal të rëndësishëm të tregtisë botërore dhe nuk ka të bëjë fare me ndryshimin e regjimit në Iran apo me qëllimet e tjera të luftës të cilat qenë përcaktuar në fillim të, sulmeve ushtarake që u ndërmorën ndaj tij.

Kjo do të thotë që armëpushimi ishte një gjetje me qëllim që Donald Trump të tërhiqej nga një kërcënim i tillë çfarë e tronditi botën ditën e djeshme dhe natyrisht që ai do të duhej të tërhiqej duke përfituar një lloj trofeje dhe trofeja ishte ajo që u ndalua një katastrofë botërore do ta quanim, ose një katastrofë shumë e madhe, dhe së dyti, presidenti amerikan doli i fituar sepse, sepse Irani pranoi disa kushte të cilat, ishin dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndaluar luftën.

E rëndësishme është një, marrëveshje afatgjatë e paqes dhe e pushimit të konfliktit dhe kjo është, domosdoshmëri jetike për t'i dhënë fund atij konflikti se ndryshe bota do të shkojë në një kaos, të cilin nuk e ka përjetuar asnjëherë, sidomos mbas Luftës së Dytë Botërore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco