Dhjetëra fermerë dhe blegtorë kanë protestuar sërish kundër rritjes stratosferike të kostove të prodhimit, nga nafta tek plehrat kimike.
Ndërsa kërkesat e tyre për mbështetje duket se kanë rënë në vesh të shurdhër, drejtuesi i Departamentit të Bujqësisë në PD, Gjok Vuksani në një intervistë për edicionin e mesditës në Syri Tv, tha se janë politikat e qeverisë, ato të cilat po e çojnë bujqësinë drejt katastrofës.
Sipas Vuksanit, situata është bërë e papërballueshme, me çmimin e naftës që ka arritur në 2300 lekë për litër, punimi i tokës është kthyer në një mision të pamundur ekonomik.
Ai theksoi se premtimi i qeverisë për të rishikuar situatën në shtator është alogjik, pasi sezoni i punimeve të pranverës, nga i cili varet rreth 60% e prodhimit vjetor, do të ketë përfunduar.
Kritik, Vuksani qe ndaj heqjes së skemës së naftës pa akcizë, nga e cila vitin e kaluar përfituan rreth 50,000 fermerë. Kjo masë, që përbënte 3/4 e totalit të mbështetjes, u hoq pa asnjë studim paraprak dhe pa u zëvendësuar me një alternativë të vlefshm, theksoi ai, duke shtuat se në vend të saj, qeveria ka propozuar një skemë të re që mbështet vetëm fermat me sipërfaqe mbi 3 hektarë tokë.
Sipas të dhënave zyrtare të cituara nga Vuksani, kjo skemë e re përjashton në mënyrë automatike 94% të fermave shqiptare, të cilat janë më të vogla se 3 hektarë. “Është ngritur një skemë vetëm për të privilegjuarit, për investitorët strategjikë apo klientët e qeverisë,” u shpreh ai, duke e quajtur atë një politikë të pastër klienteliste që dëmton shumicën dërrmuese të familjeve fermere.
Është e vetmja formë në mënyrë që ato të realizojnë kërkesat e tyre shumë të drejta, ne i mbështesim plotësisht kërkesat e tyre dhe çdo ditë jemi me hallet dhe shqetësimet e tyre dhe ju bëjmë thirrje që mos gënjehen nga diskutimet, nga premtimet boshe, po të vazhdojnë protestën e tyre në Tiranë, në Fier, në të gjitha, në të gjitha rrethet e Shqipërisë, sepse bujqësia është në prag të katastrofës. Fermerët janë shumë të zgjuar dhe kishin bërë një kërkesë sot që e lexova me vëmendje: të bëhet e njëjta skemë lehtësuese për traktorin që punon tokën, për autokombajnën, për zetorrin, e njëjta skemë lehtësuese siç bëhet për jahtet e multimiliarderëve që vijnë në Shqipëri. Pra i njëjti mekanizëm që është përdorur për furnizimin e jahteve, të përdoret edhe për furnizimin e traktorëve bujqësorë. Jemi në periudhën e punimeve të pranverës, nga i cili varet rreth 60% e gjithë prodhimit bujqësor vjetor. Dhe në qoftë se kalon ky sezon pa u punuar toka, zhvillimi bujqësor i këtij viti 2026 është kompromentuar në mënyrë përfundimtare.
Nuk ka as qershor, as shtator, as vjeshtë diskutimi për skemën e naftës. Duhet të them edhe dy shifra. Në vitin e kaluar rreth 50,000 fermerë kanë përfituar naftë pa akcizë. Pavarësisht se mund të kemi rezerva për sa i përket dokumentacionit, të mafies që ju kërkohen fermerëve, por në thelb pra 50 mijë fermerë kanë përfituar naftë dhe vetëm 15,000 fermerë kanë përfituar nga shtatë skemat e tjera. Pra rreth 3/4 e fermerëve shqiptarë që përfitojnë nga skemat mbështetëse të qeverisë shqiptare, kanë përfituar nga, nga nafta e bujqësisë. Dhe tashi pa një studim paraprak, pa një arsye të argumentuar, hiqet kjo skemë dhe nuk zëvendësohet me një skemë tjetër. Mënyra më qesharake është sepse Ministria e Bujqësisë ka vendosur një skemë e cila thotë do mbështeten fermerët mbi 3 hektarë tokë.
Vetëm 6% e fermave shqiptare, mbi bazën e statistikave zyrtare, kanë mbi 3 hektarë tokë. 94% e të gjithë fermave shqiptare janë poshtë këtij limiti të tokës. Pra si të thuash, është ngritur një skemë vetëm për të privilegjuarit, ose siç e tha shumë mirë një fermer sot, është ngritur një skemë për investitorët strategjikë apo për ato klientët e qeverisë që përfitojnë me 1 euro në tokën bujqësore apo të dhëna me qira nga Ministria e Bujqësisë. Pra, ata që e kanë ngritur këtë skemë, ata që e kanë ndërtuar këtë skemë, e kanë ngritur vetëm për arsye klienteliste dhe jo për të mbështetur bujqësinë shqiptare.
Çmimi i domates ka shkuar 4000 lekë. Çmimi i specit 4000. Çmimi i trangullit 2500. Kjo ka ndodhur për arsye të çmimit të lartë të naftës, ka ndodhur për arsye të çmimit të lartë të inputeve bujqësore, sepse janë shtrenjtuar me 30, 40, 50, ca raste dhe 60% çmimi i plehrave kimike, çmimi i farave, fidanëve, pesticideve, produkteve mbrojtëse të bimëve e kështu me radhë. Pra fermeri në këtë moment, me gjithë këtë rritje të kostos për ta punuar tokën, është në dilemën që 'to be or not to be', pra të jesh apo të mos jesh. Dhe ka shumë rëndësi ta theksojmë se e vetmja rrugë që kanë fermerët në këtë rast është protesta, protesta dhe vetëm protesta. Nuk ka premtime qeverie që do mbahen në shtator. Pra është alogjike, në shtator mbaron edhe punimi i vjeshtës.
E gjithë situata është e zymtë. Sepse që të punohet toka duhet të paguash mjetet mekanike, që përgjithësisht në Shqipëri nuk janë te fermerët, përgjithësisht janë ca fermerë të mëdhenj ose ca që e disponojnë mjetin mekanik dhe ky e punon tokën kundrejt shpërblimit. Nga ana tjetër, kësaj toke para se të mbillet, duhet t'i hedhësh pleh, se përndryshe prodhimi do jetë i pamjaftueshëm, do të jetë rendimenti shumë i ulët dhe nuk e justifikon gjithë mundin e fermerit. Nga ana tjetër, tokës duhet t'i hidhet fara, duhet t'i hidhen plehërime plotësuese që e quajmë ne gjatë ciklit të zhvillimit, duhet të korret në fund, duhet të transportohet për ta çuar. Pra të gjithë këto hallka të ciklit agronomik të një kulture bujqësore janë rritur në mënyrë dramatike.
© SYRI.net