Stambolli është tronditur nga një sulm i armatosur në afërsi të konsullatës izraelite, ku tre terroristë shkëmbyen zjarr me forcat e policisë. Ngjarja e rëndë ka shkaktuar panik në një prej zonave elitare të metropolit turk. Sipas informacioneve nga vendngjarja, tre agresorët mbërritën me një makinë të marrë me qira nga qyteti i Izmirit, rreth 120 kilometra larg Stambollit.
Pasi iu afruan godinës së konsullatës, ata dolën nga automjeti të armatosur me kallashnikovë dhe bomba shpërthyese, duke hapur zjarr në drejtim të saj.
I ftuar ditën e sotme në Syri Televizion, analisti Bora Zukali tha se reagimi i forcave të policisë turke, që ruanin objektin, ishte i menjëhershëm.
LEXO EDHE: Sulmi pranë konsullatës/ Siguri e lartë pas marrëdhënieve të tensionuara Turqi – Izrael
Sipas tij, gjatë shkëmbimit të zjarrit, një prej terroristëve mbeti i vrarë në vend, ndërsa dy të tjerë u plagosën. Mësohet se dy sulmuesit e plagosur ishin vëllezër.
Gjatë përplasjes, i plagosur mbeti edhe një efektiv policie.
Autoritetet turke kanë identifikuar sulmuesit si pjesëtarë të grupit terrorist DEASH (ISIS), të cilët dyshohet se merrnin direktiva nga Iraku ose Siria.
Ndonëse konsullata izraelite nuk ishte plotësisht aktive prej rreth dy vjet e gjysmë, ajo ishte një objektiv simbolik, i ruajtur nga policia dhe me flamurin izraelit të vendosur në godinë.
Pas ngjarjes, forcat e sigurisë rrethuan menjëherë zonën, duke vendosur një perimetër të gjerë sigurie dhe duke kufizuar lëvizjen.
LEXO EDHE: VIDEO/ Tre të vdekur nga sulmi me armë pranë konsullatës izraelite në Stamboll, plagosen dy policë
Ky sulm vjen në një kohë tensionesh të larta globale, veçanërisht të lidhura me situatën në Lindjen e Mesme, çka ka bërë që shumë shtete të rrisin nivelin e sigurisë pranë përfaqësive të tyre diplomatike.
Deklarata e plotë:
"Kjo konsullatë prej rreth dy vitesh e gjysmë nuk ka qenë aktive. Ky informacion është bërë i ditur edhe nga guvernatori i Stambollit.
Megjithatë, në ambientet e saj ka pasur herë pas here lëvizje të stafit për çështje pune. Flamuri i Izraelit ka qenë i vendosur në godinë dhe një numër efektivësh policie kanë qëndruar në roje për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar çdo sulm të mundshëm.
Tre personat e dyshuar si terroristë kanë ardhur nga rreth 120 kilometra larg Stambollit. Ata kishin marrë me qira një automjet në Izmit dhe janë nisur drejt Stambollit, konkretisht në një zonë elitare të qytetit, e karakterizuar nga rezidenca të larta, aktivitete financiare, tregtare dhe turistike.
Sipas të dhënave, ata kishin si qëllim sulmin ndaj konsullatës. Pasi iu afruan godinës, dolën nga automjeti të armatosur me kallashnikovë dhe me çanta në shpinë, ku dyshohet se mbanin edhe lëndë shpërthyese.
Forcat e policisë ndërhynë menjëherë. Gjatë përplasjes, një prej sulmuesve mbeti i vrarë në vend, ndërsa dy të tjerë u plagosën. Mësohet se dy të plagosurit janë vëllezër, ndërsa personi i vrarë ishte bashkëpunëtori i tyre.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit mes policisë dhe grupit ekstremist, u konfirmua se ata i përkisnin organizatës terroriste DAESH dhe dyshohet se merrnin direktiva nga Iraku ose Siria.”
© SYRI.net