Gazmend Bardhi, kreu i grupit parlamentar, theksoi se Komisioni Hetimor për kontratat koncensionare dhe tenderat për ndërtimin e rrugëve është një detyrim kushtetues, dhe se argumenti se këto kontrata janë çështje e drejtësisë dhe nuk mund të hetohen nga Parlamenti nuk qëndron.
Ai rikujtoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 dhe nënvizoi se qëllimi i komisionit është të verifikojë kontratat, të konstatojë problematikat dhe të propozojë ndryshime ligjore për të siguruar transparencë dhe përgjegjësi.
Fjala e tij:
Argumenti se kontratat janë subjekt i drejtësisë dhe se nuk mund të ketë komision hetimor nuk qëndron. Gjykata Kushtetuese, në një vendim të saj të vitit 2014, shprehet se fakti që organet e tjera kushtetuese përmbushin detyrat e veta nuk mund të shërbejë kurrsesi si argument për të refuzuar ushtrimin e detyrave nga Parlamenti.
Ne nuk po kërkojmë të bëjmë punën e prokurorisë, por të verifikojmë kontratat, të konstatojmë problematika, qoftë edhe për mënyrën se si funksionojnë institucionet, dhe të bëjmë propozime ligjore. Dhe e përsëris, ju e keni detyrim kushtetues ngritjen e komisioneve hetimore. E vetmja çështje ku ju mund të pretendoni është objekti, formulimi i objektit. Ne jemi të hapur për propozimin tuaj në lidhje me objektin, nëse keni. Por nuk dëgjova që ju keni një formulim alternativ.
© SYRI.net