'Shqipja nuk negociohet’, Studenti: Të drejta dhe barazi për gjuhën amtare, mos na cenoni

'Shqipja nuk negociohet’, Studenti: Të drejta dhe barazi për gjuhën amtare, mos na cenoni

14:21, 06/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dhjetëra studentë dhe qytetarë u mblodhën në Shkuop sot në një protestë masive për të kërkuar respektimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe. Me pankarta në duar dhe me thirrje të vazhdueshme, protestuesit shprehën vendosmërinë e tyre për të mbrojtur atë që e quajtën themelin e identitetit të tyre.

Gjatë fjalës së tij në podium, studenti u shpreh se protesta nuk duhej të ndodhte kurrë, por ishte bërë e domosdoshme për të mbrojtur një të drejtë themelore: përdorimin e gjuhës shqipe.

Ai theksoi se gjuha nuk është thjesht mjet komunikimi, por vetë identiteti i shqiptarëve, duke paralajmëruar se cenimi i saj prek themelin e shoqërisë.

Sipas tij, studentët janë detyruar të dalin në rrugë për të kërkuar një të drejtë që ligji e njeh, por që nuk po zbatohet në praktikë.

Ai përfundoi se kjo është një betejë për dinjitet dhe barazi, duke nënvizuar se “shqipja nuk negociohet”.

Pjesë nga deklarata:

Të dashur studentë, të nderuar qytetarë, kjo protestë nuk duhej të ndodhte kurrë. Nuk doja as të mendoja që në vitin 2026 studentët të dilnin në rrugë për gjuhën e tyre.

Por ja ku jemi. Nuk japim dorëheqje! Studentët e FILD-it nuk japin dorëheqje. Përpara se të jemi studentë, para se të jemi profesionistë, ne jemi shqiptarë. Dhe kur preket gjuha, preket vetë themeli ynë. Gjuha shqipe nuk është veç mënyra si flasim. Është mënyra si ekzistojmë, mënyra si kemi mbijetuar, si kemi qëndruar e si kemi ardhur deri këtu. Siç thoshte Fishta: “Gjuha shqipe, sa e mirë, sa e ëmbël, sa e lirë.” Kjo është gjuha jonë, ky është identiteti ynë. Dhe shqipja kurrsesi nuk negociohet.

Ne jemi studentë të drejtësisë. Ne jemi ata që nesër do të mbrojmë ligjin. Por sot jemi të detyruar të dalim këtu për të kërkuar diçka që ligji tashmë e njeh: të drejtën për të përdorur gjuhën tonë amtare.

A është kjo shumë? A është kjo kërkesë e tepruar? Kjo është minimumi, baza, dinjiteti. Sepse një shtet që nuk zbaton të drejtat që i ka vetë të shkruara nuk është i fortë, është i brishtë. Nuk kërkojmë favore, kërkojmë barazi. Dhe le të jetë e qartë për të gjithë: ne nuk jemi kundër askujt.

Ne jemi këtu për veten tonë, për gjuhën tonë, për të ardhmen tonë. Mandela thoshte: “Të flasësh me dikë në gjuhën e tij do të thotë t’i flasësh me zemër.” Prandaj sot ne kërkojmë që shteti të na flasë, të na flasë në zemër, në gjuhën tonë, në shqip.

Sepse gjuha është historia, është gjak, është kujtesa. Dhe një popull që detyrohet të kërkojë gjuhën e vet nuk ka problem gjuhe, ka problem drejtësie. Sot jemi këtu të qetë, të vendosur, të bashkuar. Ndoshta jo edhe aq të qetë, por të vendosur. Nuk do të lejojmë që shqipja të trajtohet si opsion, sepse shqipja nuk është opsion, shqipja është identitet.

Sot, nga ky shesh, nga ky zë i përbashkët, ne po themi një gjë shumë të thjeshtë: nuk ka shtet të së drejtës pa respekt për gjuhën, nuk ka barazi pa shqipen, nuk ka të ardhme pa shqipen.

Dhe ne jemi këtu për këtë, jo për sot, por për nesër, për të gjithë ata që do të vijnë pas nesh. Sepse ne jemi brezi që nuk hesht, jemi brezi që nuk dorëzohet, ne jemi brezi që mbron dhe flet shqip.

Kjo nuk është vetëm beteja jonë. Është amaneti i atyre para nesh dhe përgjegjësia ndaj atyre që do të vijnë pas nesh. Le ta dëgjojnë të gjithë: ne nuk do tërhiqemi, nuk do të lodhemi, nuk do të ndalemi derisa e drejta të bëhet realitet. Shqipja nuk negociohet!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco