Gazetari Genc Burimi, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meço në SYRI TV, ka analizuar situatën e sigurisë në Shqipëri në raport me zhvillimet ndërkombëtare dhe praninë e opozitës iraniane në vend.
Burimi e nisi komentimin me një krahasim kritik ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama mbi korrupsionin, duke ironizuar qasjen e tij si ‘perceptim’ dhe duke e krahasuar me retorikën e Donald Trump.
Duke kaluar te çështja e sigurisë, ai ndau terrorizmin në dy kategori: strukturor dhe konjuktural. Sipas tij, vendet si Franca apo Izraeli përballen me terrorizëm strukturor, të lidhur me organizata të qëndrueshme si grupet islamiste, ndaj të cilave kanë ndërtuar mekanizma të avancuar parandalimi.
Duke u ndalur te Shqipëria, Burimi theksoi se vendi ndodhet në një situatë të ‘terrorizmit konjuktural’, që lidhet me rrethana specifike dhe jo me një kërcënim të përhershëm. Ai argumentoi se kjo lidhet drejtpërdrejt me praninë e MEK në territorin shqiptar.
‘Shqipëria nuk ka konflikt të drejtpërdrejtë me Iranin, por është ekspozuar për shkak të pranimit të MEK-ut, një strukturë që nuk është thjesht politike, por me komponent ushtarak,’ u shpreh Burimi. Sipas tij, vendi nuk ka kapacitetet e nevojshme për t’u përballur me kërcënime të këtij niveli përmes mjeteve teknike apo operacionale, duke theksuar se debati publik po shmang thelbin e problemit.
‘Debati sot nuk duhet të jetë për masa teknike apo struktura sigurie, por nëse Shqipëria duhet apo jo të mbajë MEK-un në territorin e saj,’ deklaroi ai, duke shtuar se kjo çështje është de facto e mbyllur për shkak të ndikimit të Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
‘Korrupsioni tha është perceptim. Rama tha nuk ekziston më. Është metafizikë.
Ndaj terrorizmit, ti ke dy zgjidhje, siç e ka Franca apo Izraeli, që të përgatitesh, strukturat, inteligjencën dhe t'i çbësh këto atentate. Rasti i fundit e pamë para pak ditësh, kur në Paris u synua selia e bankës Amerikane. Atentati u çmontua.
Po ke vende që nuk arrijnë dot këtë gjë. Rusia për shembull, s'ka këto shërbime. Para pak kohësh në qendra tregtare në Moskë, ishte terrorizmi islamist, vdiqën 150 të vrarë.
Pastaj ke dhe një terrorizëm që quhet konjuktural. Ky lloj terrorizmi është një terrorizëm që lidhet thjesht me një situatë. Është rasti për shembull në Hormuz. Nëse ti je vend pro amerikan, unë të hedh në erë anijet, nëse s'je pro amerikan mund të kalosh. Aty distancohen dhe kalojnë.
Shqipëria s'ka punë me Iranin. Shqipëria thjesht është i vetmi vend në Evropë që pranoi MEK-un.
Sot Shqipëria duhet të ketë një debat politik. Që, duhet apo nuk duhet mbajtur MEK-u? Ky është debati. Por këtë debatin sot e bëjnë qorr, edhe maxhoranca edhe opozita. Ky ishte një debat që ty ta ka përfunduar dhe ta ka mbyllur Amerika’ u shpreh Genc Burimi në SYRI TV.
© SYRI.net