Kryetari i PD-së përshëndeti protestën qytetare rinore e cila prej më shumë se 2 javësh vijon poshtë dritares së kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. I pyetur nga gazetarët nëse mendon se do të arrijë kjo protestë largimin e Edi Ramës, Berisha tha se Rama po mban qëndrime tipike të një diktatori autoritar, ndërsa u shpreh besimplotë se protesta rinore qytetare do të triumfojë.
Pjesë nga konferenca
Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, ju e përmendët pak më parë udhëtimin e Edi Ramës në Zvicër, i cili në fakt vjen në kohën kur në Tiranë protestat anti-qeveritare kanë mbërritur sot në ditën e 17-të. Siç duket, të paktën deri më tani nuk ka asnjë reflektim nga qeveria apo një tërheqje. A mendoni se do të arrijë kjo protestë largimin e Edi Ramës apo së paku tronditjen e pozitave të tij?
Sali Berisha: Gjej rastin dhe një herë të përshëndes përzemërsisht protestën qytetare rinore më madhështoren që ka njohur Shqipëria në historinë e vet.
Dhe të ftoj të gjithë anëtarët, mbështetësit e Partisë Demokratike se sot vendi i tyre është në atë protestë. Të falënderoj me mirënjohje çdo njeri që kontribuon në atë protestë.
Natyrisht, Edi Rama po mban qëndrime tipike të një diktatori autoritar ndaj protestës.
Shpërfillja absolute, anatemim me të gjitha format, nga agjenturë e huaj tek lëvizje fashiste, protestës më paqësore, më qytetare që ka njohur Shqipëria ndonjëherë.
Me asgjë nuk do mund të ndalojë atë protestë, me asgjë nuk do mund të parandalojë fundin e tij të shpejtë. Unë jam besimplotë se protesta rinore qytetare do të triumfojë.
© SYRI.net