Me debate dhe tensione të ashpra mes opozitës dhe maxhorancës është shoqëruar seanca plenare në Kuvend, ku nuk munguan përplasjet fizike dhe intimidimet ndaj grave deputete të PD. Niko Peleshi i hoqi fjalën sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka, në Kuvend, çka solli bllokimin e foltores nga ligjvënësit demokratë, teksa Taulant Balla nuk kurseu kërcënimet ndaj deputetes Elda Hoti. Noka akuzoi Ballën si ushtar të Ramës dhe të krimit, ndërsa më herët pati përplasje e debate të ashpra për procesin e integrimit dhe shkeljen e rregullores në Kuvend, mes Gazmend Bardhit dhe Niko Peleshit. Opozita akuzoi Ballën se provokoi duke përmendur dëshmitarët e 2 prillit në Kuvend, teksa kërkoi përjashtimin e tij nga seanca.
Nga Syri TV
Është shoqëruar me tensione e përplasje të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës seanca plenare në Kuvend. Akuzat e deputetëve të opozitës drejtuar kryetarit të parlamentit, Niko Peleshi, dhe kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, nxitën debate të ashpra, teksa kulmi i tyre u shënua kur Peleshi i ndërpreu fjalën në foltore sekretarit të përgjithshëm të PD, Flamur Noka. Deputetët demokratë bllokuan foltoren në shenjë revolte, ndërsa Taulant Balla u përplas me deputeten Elda Hoti, duke mos kursyer intimidimet ndaj saj.
Pas përplasjeve, me urdhër të Ballës, Peleshi ndërpreu për disa minuta seancën.
Mollë sherri e debateve që përfshinë Taulant Ballën me Flamur Nokën ishte procesi i integrimit në BE dhe rreziku që kanoset nga vendimi i specialistëve për të bllokuar drejtësinë për të mbrojtur Ballukun. Teksa Balla mohoi akuzat e kërcënimit të integrimit, Noka e cilësoi këtë të fundit ushtar të Edi Ramës dhe të krimit.
Më herët, pikërisht për këtë çështje, por edhe për shkeljet në rregulloren e Kuvendit, sa i takon projekt-rezolutave dhe mocioneve me debat, u përplasën në foltore edhe kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, me Niko Peleshin.
Debate pati edhe për 2 prillin, ku Taulant Balla kërkoi një minutë heshtje në Kuvend, duke përmendur edhe emrat e dëshmorëve, gjë që u cilësua nga deputetët e opozitës si një provokim i ulët dhe politikë me viktimat e kryengritjes.
© SYRI.net