Tensionet në seancë, Blushi: Kuvendi, rrobaqepësi për klientët e Ramës dhe arenë dhune!

16:27, 02/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Opozita ka denoncuar ashpër seancën e fundit parlamentare, duke e cilësuar atë si një “akt skandaloz” ku mazhoranca i mohoi të drejtën e fjalës dhe përdori dhunë për të kaluar ligje në favor të klientëve të qeverisë.

Në një deklaratë për mediat, deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se Kuvendi është kthyer në një pasqyrë të paligjshmërisë dhe një “rrobaqepësi” që harton ligje me porosi.

Sipas Blushit, mazhoranca socialiste refuzoi diskutimin dhe hodhi në votim në mënyrë të paligjshme disa projektligje të rëndësishme, përfshirë një nismë opozitare që parashikonte kalimin e pronave të sekuestruara nga krimi i organizuar në ndihmë të familjarëve të policëve të rënë në detyrë.

Gjithahstu ligjvënësi i PL, kritikoi ashpër miratimin e ligjit për projektin “Durrës Yacht & Marina”, i cilësuar si një “projekt fantazmë” dhe korruptiv. Blushi retendon se ky ligj synon vetëm t’u heqë taksat klientëve të kryeministrit Edi Rama, të cilët përfitojnë 99.9% të tenderëve publikë. Në mënyrë ironike, u theksua se i ashtuquajturi “park teknologjik” i premtuar nuk është gjë tjetër veçse një “livadh me lopë”.

Duke argumentuar se parlamenti tashmë e ka humbur funksionin e tij, Blushi u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë t'i bashkohen protestës së 17 prillit, duke theksuar se “tashmë fjala i takon dhe duhet ta ketë vetëm populli”.

Të gjithë shqiptarët e panë për të disatën herë një akt skandaloz të hedhjes në votim të së drejtës për t'i mohuar opozitës të flasë për projektligje, për një shumë projektligje në fakt të rëndësishme, një prej të cilave ishte propozuar edhe nga deputetët e opozitës sa i përket pronave të sekuestruara të krimit të organizuar, të cilat duhet të shkojnë për familjarët e policëve të rënë në krye të detyrës.

Por tanimë është e qartë, ky kuvend është pasqyra e paligjshmërisë, e thellimit të paligjshmërisë, e shkeljes flagrante të Kushtetutës, e legjitimitetit, jo vetëm, në thonjëza e them këtë, të shndërrimit të kuvendit në një rrobaqepësi për të qepur ligje me porosi për klientët e Edi Ramës, për të qepur ligje si ai që patë që u votua vetëm me votat e mazhorancës për projekte fantazmë, që në fakt nuk janë asgjë tjetër veçse projekte korruptive dhe i referohem projektligjit për Durrës-in e Pashës, ku unë vetë personalisht e kam denoncuar mungesën, qoftë edhe fiktive, të një rezidence të këtij parku të ashtuquajtur teknologjik.

Besoj dhe ju i keni transmetuar pamjet e një livadhi me lopë, apo jo? Sa është për të qeshur, por në fakt është për të vënë duart mbi kokë, për vetë faktin sepse bëhet fjalë për një projekt korruptiv, i cili në vetvete nuk synon asgjë tjetër veçse t'u heqë taksa të gjithë klientëve të Edi Ramës, ata që përfitojnë edhe 99.9% të tenderave publikë, në një kohë kur kjo shumicë refuzon të miratojë, pra nga një anë u heq taksat oligarkëve dhe nga anën tjetër refuzon të miratojë dy projektligje shumë të rëndësishme: atë për uljen e TVSH-së për ushqimet e shportës nga 20% në 5%, në kushtet kur çmimet po kalojnë në stratosferë, dhe projektligjin tjetër që po gjithashtu kemi propozuar dhe që lidhet drejtpërdrejtë me çmimin e naftës, pra projektligjin për uljen e çmimit të naftës nëpërmjet heqjes së dy taksave, projektligje të cilat refuzohen.

Ndaj besoj se jo vetëm të drejtat kushtetuese të opozitës sa i përket ngritjes së komisioneve hetimore po refuzohen, por tanimë me dhunë, me forcë kartoni, në një akt të paprecedent, as në kuvendet e Bjellorusisë, të Rusisë e ku do tjetër nuk besoj se ndodhin të tilla akte, kaq flagrante, por sigurisht këto ndodhin në Kuvendin e Shqipërisë. Ndaj u shfrytëzoj edhe këtë komunikim me ju, në kushtet kur ky parlament pothuajse e ka humbur funksionin e tij, t'i ftoj edhe një herë të gjithë qytetarët shqiptarë, të ftoj popullin shqiptar në protestën e datës 17 prill, sepse tanimë fjala i takon dhe duhet ta ketë vetëm populli.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco