Seanca e sotme parlamentare është përfshirë nga tensione të larta dhe përplasje fizike, duke çuar në ndërprerjen e saj.
Në një lidhje direkte me moderatorin Arnold Kariqi, gazetari i SYRI TV, Klajdi Bodlli ka bërë me dije se shkëndija e konfliktit ishte mosdhënia e fjalës për replikë sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka, nga ana e kryeparlamentarit Niko Peleshi.
Sipas Bodllit, situata agravoi kur deputetja demokrate Elda Hoti tentoi t'i heqë mikrofonin deputetes socialiste Bora Muzhaqi, duke u përfshirë më pas në një debat të ashpër verbal edhe me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Gjithçka nisi kur zoti Noka kërkoi fjalën për replikë lidhur me një diskutim të mëparshëm. Pas refuzimit nga ana e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, deputetët e opozitës u mblodhën para foltores në shenjë proteste.
Pavarësisht kësaj, Peleshi i dha fjalën deputetes socialiste Bora Muzhaqi.
Lidhja në studio:
Kariqi: Cila ishte arsyeja pikë së pari e përplasjes së opozitës dhe çfarë ndodhi mes Elda Hotit dhe Taulant Ballës?
Bodlli: Në një moment, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, zoti Flamur Noka, ka nisur të flasë, por kjo nuk është lejuar nga kreu i kuvendit, Niko Peleshi, dhe kjo ka sjellë tensione dhe debate teksa të gjithë deputetët e opozitës, të cilët ishin të pranishëm në seancë, kanë dalë para foltores dhe kanë kërkuar nga zoti Peleshi që t'i japë fjalës zotit Noka, si një replikë për diskutimin që kishin pasur disa minuta më parë. Megjithatë, zoti Peleshi nuk e ka marrë parasysh këtë kërkesë të deputetëve të Partisë Demokratike dhe i ka dhënë fjalën deputetes së Partisë Socialiste, Bora Muzhaqi. Pikërisht në këtë moment, zonja Elda Hoti ka shkuar që t'i heq mikrofonin zonjës Muzhaqi, duke u përplasur fillimisht me të. Më pas ka pasur dhe një debat verbal midis saj dhe zotit Balla. Le të themi që siç shikohet dhe nga pamjet, është e pakuptueshme se çfarë kanë diskutuar dhe çfarë kanë debatuar midis tyre. Është dashur dhe ndërhyrja e Gardës së Republikës. Pikërisht ka qenë një nga zonjat e Gardës e cila kanë tentuar të ndërhyjë duke bllokuar deputetët e opozitës dhe deputeten Elda Hoti që të heqë mikrofonin zonjës Muzhaqi. Debati ka vijuar për disa minuta dhe pas këtyre tensioneve, teksa tensionet ishin përhapur qoftë në foltoren e kuvendit, por dhe në karriket e deputetëve të Partisë Socialiste, ku një pjesë e deputetëve demokratë kërkonin që zonja Muzhaqi mos fliste, atëherë zoti Peleshi ka ndërprerë seancën duke dhënë 10 minuta pushim për të ulur disi tensionet dhe ndoshta për të gjetur, një kompromis midis palëve për të vijuar normalisht këtë seancë parlamentare. Do të theksojmë që debati midis zotit Peleshit dhe zotit Noka erdhi pasi zoti Peleshi tërhoqi vërejtje zotit Noka, sipas kreut të kuvendit, ai kishte përdorur fjalë të cilat nuk i lejon rregullorja e kuvendit në seancën parlamentare. Megjithatë, zoti Noka e ka akuzuar zotin Peleshi se është peng i disa parqeve fotovoltaike në zonën e Kolonjës dhe pikërisht ky ka qenë, le të themi, nisja e tensionit dhe debatit midis të dyve për të përfunduar më pas në një debat që ka përfshirë të gjithë deputetët e Partisë Demokratike dhe një pjesë të atyre të Partisë Socialiste. Do të presim rinisjen e kësaj seance për të kuptuar nëse do të kemi sërish tensione dhe debate midis palëve apo seanca do të vijojë normalisht. Të paktën deri në momentin që ajo është ndërprerë, ka pasur diskutime dhe debate midis palëve, por pa tensione dhe pa përplasje siç ka ndodhur shpesh në disa seanca parlamentare.
© SYRI.net