'Kujtimi i 2 Prillit, thirrje për drejtësi'/ Kreu i PD Shkodër: Shqipëria e lirë dhe demokratike, amanet i dëshmorëve

11:35, 02/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në ceremoninë përkujtimore të 2 prillit, kryetari i Partisë Demokratike në Shkodër Ardit Çylybyli ka nderuar kujtimin e 4 dëshmorëve, një date që shënoi një pikë kthese të dhimbshme por vendimtare në historinë moderne të Shqipërisë.

Duke e cilësuar këtë ditë si një simbol të sakrificës, guximit dhe etjes për liri, ai ka kujtuar katër dëshmorët e demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu, të cilët humbën jetën gjatë protestave kundër regjimit komunist.

Në fjalën e tij, drejtuesi lokal i PD-së theksoi se katër të rinjtë nuk kërkuan asgjë më shumë se dinjitet, fjalë të lirë dhe të drejtën për të zgjedhur të ardhmen, vlera themelore për çdo shoqëri demokratike.

Megjithatë, fjalimi i tij nuk u ndal vetëm te homazhet. Ai shtroi një pyetje të fortë retorike për të gjithë të pranishmit dhe për shoqërinë shqiptare: "A jemi ne sot në lartësinë e sakrificës së tyre? A po e mbrojmë dhe forcojmë çdo ditë demokracinë për të cilën ata dhanë jetën?"

Sipas tij, përkujtimi i 2 Prillit nuk duhet të mbetet thjesht një ceremoni formale, por duhet të shërbejë si një thirrje e vazhdueshme për përgjegjësi, drejtësi dhe si një garanci për të mos lejuar kurrë përsëritjen e së shkuarës tragjike

. Duke vënë në pah rolin historik të Shkodrës si një qytet që ka qenë gjithmonë në ballë të ndryshimit dhe që nuk është përkulur kurrë, ai bëri thirrje për unitet, kurajo dhe besim të palëkundur tek vlerat demokratike.

Në përfundim, ai u zotua se sakrifica e dëshmorëve nuk do të harrohet kurrë dhe se angazhimi do të jetë i përditshëm për të ndërtuar Shqipërinë që ata ëndërruan: një vend të lirë, të drejtë dhe plotësisht demokratik.

Deklarata e plotë:

"Zoti Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike. Zonja dhe zotërinj, sot jemi mbledhur këtu për të përkujtuar një nga ditët më të dhimbshme, por dhe më të rëndësishme në historinë tonë moderne, 2 prillin e vitit 1991.

Një ditë që nuk është thjesht një datë në kalendar, por një simbol i sakrificës, i guximit dhe etjes së popullit të Shkodrës për liri dhe demokraci.

Në atë ditë, qyteti ynë u përball me dhunën e një sistemi që po jepte shpirt, por që ende kërkonte të shtypte zërin e qytetarëve të lirë.

Katër bij të Shkodrës ranë dëshmorë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu, duke u bërë përjetësisht pjesë e ndërgjegjes tonë kombëtare.

Ata nuk kërkuan asgjë më shumë se atë që i takon çdo njeriu, dinjitet, fjalën e lirë dhe të drejtën për të zgjedhur të ardhmen e vet.

Sot pas kaq shumë vitesh, ne nuk jemi këtu vetëm për t'i kujtuar, jemi këtu edhe për të reflektuar.

A jemi ne sot në lartësinë e sakrificës së tyre? A po e mbrojmë dhe forcojmë çdo ditë demokracinë për të cilën ata dhanë jetën?

Si kryetar i Partisë Demokratike në Shkodër, e ndjej si detyrim moral dhe qytetar të them se kujtimi i 2 Prillit nuk duhet të mbetet vetëm ceremoni.

Ai duhet të jetë një thirrje për përgjegjësi, një thirrje për drejtësi e një thirrje për të mos lejuar kurrë që e shkuara të përsëritet.

Shkodra ka qenë gjithmonë në ballë të ndryshimit. Ka qenë qyteti që nuk u përkul, qyteti që folet kur të tjerët heshtën. Dhe sot më shumë se kurrë kemi nevojë ta ruajmë këtë frymë, kemi nevojë për unitet, për kurajo dhe për besim tek vlerat demokratike. Le të përkulemi me respekt para kujtimit të dëshmorëve të 2 prillit.

Le të premtojmë se sakrifica e tyre nuk do të harrohet kurrë. Dhe mbi të gjitha, le të punojmë çdo ditë që Shqipëria të jetë vendi të cilin ata e ëndërruan.

Një vend i lirë, i drejtë dhe demokratik. Lavdi përjetë dëshmorëve të 2 prillit. Zoti e bekoftë Shkodrën dhe Shqipërinë. Faleminderit".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco