Shqipëria e kërcënuar nga Irani/ Bardhi: Qeveria po diskrediton SHBA-të, Rama të vijë në Kuvend...

10:34, 02/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka ngritur shqetësimin në Kuvend lidhur me çështjet e sigurisë kombëtare dhe raportin e qeverisë me aleatët ndërkombëtarë, duke kërkuar praninë urgjente të kryeministrit për të dhënë shpjegime.

Në fjalën e tij, Bardhi kritikoi qëndrimin e qeverisë ndaj njoftimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar reagimin si të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm për besimin mes partnerëve strategjikë. Ai theksoi se opozita nuk ka informacion mbi çështjen, por paralajmëroi se minimizimi i sinjaleve nga SHBA dëmton seriozisht sigurinë dhe imazhin e vendit.

Gazment Bardhi: Çështja e sigurisë kombëtare nuk janë çështje as Twitteri, as qëndrimeve me burime të qeverisë, as çështje kafenesh. Janë çështje të rëndësishme. Sigurisht për të mos e përdorur për politikë dhe për të mos ngjallur asnjë shqetësim tek qytetarët shqiptarë, më duhet të nënvizoj që në fillim se ne si deputetë nuk kemi asnjë informacion mbi çështjet që trajtonte dje njoftimi zyrtar i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, qëndrimi që ju referua ministri i qeverisë ishte përtej të qenurit skandaloz. Sepse një qeveri që nuk arrin dot me radar të kontrollojë tonelata nafte që hyjnë kontrabandë në Shqipëri. Një qeveri që ka dy apo tre vite që s'ka kapur 1 gram kokainë, edhe pse i kalon para syve. Një qeveri që për vite të tëra nuk pa 98% sipërfaqeve të lira të mbjella me kanabis në territorin e Republikës së Shqipërisë, sigurisht që nuk mund të jetë e besueshme. Dhe përpjekjet për të diskredituar informacionin zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si hamendësim, e bën Shqipërinë qesharake në rastin më të mirë. Në rastin më të keq, jep mesazhin se qeveria shqiptare nuk ka bashkëpunim me aleatin tonë strategjik në fushën e sigurisë, apo aq më shumë, mes dy partnerëve strategjikë anëtarë të NATO-s nuk ka besim mes njëri-tjetrit. Prandaj mesazhi politik që dha dje Edi Rama dhe që ministri tha, kemi një reagim e s'kemi pse të diskutojmë më tej, përmes zyrës së shtypit të kryeministrit, është që shqiptarët nuk duhet t'i besojnë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështje të sigurisë dhe se nuk duhet t'i kushtojnë vëmendje njoftimeve të tyre.

Ky nuk është as qetësim për shqiptarët dhe as për turistët, por një tentativë për të diskredituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, zoti kryetar, në mbështetje të nenit 97 të rregullores së Kuvendit, ne kërkojmë që kryeministri të paraqitet menjëherë në seancë plenare dhe t'i japë shpjegime për deputetët për tre çështje kryesore: Pse e cilësoi hamendësim paralajmërimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për synimet me vullnet të keq të Iranit në raport me Shqipërinë?  A ka koordinim mes partnerëve ndërkombëtarë për çështjen dhe çfarë informacionesh ka shkëmbyer qeveria shqiptare me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës? A ka një vlerësim zyrtar të institucioneve shqiptare për situatën e sigurisë në lidhje me çështjen e Iranit dhe çfarë masash parandaluese janë marrë dhe cilat janë strukturat e angazhuara në këtë çështje? Dhe meqenëse na thatë ngrini çështje në përputhje me rregulloren, po ju citoj nenin 47 të rregullores, që kryeministri dhe ministrat e kanë për detyrë të marrin pjesë në seancë plenare kur kërkohen nga deputetët. Dhe në emër të grupit parlamentar të PD-së, unë kërkoj prezencën e kryeministrit për të na dhënë shpjegime për katër pyetjet që citova më lart. Faleminderit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco