Nga salla e Kuvendit, ligjvënësi demokrat Eno Bozdo ngritit alarmin për fatin e një prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë, atij të manifakturës së eksportit, i njohur gjerësisht si industria fason.
Në fjalën e tij në seancën e kësaj të hëne, Bozdo tha se ky sektor po përballet me një krizë të thellë që rrezikon ta çojë drejt zhdukjes, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e dhjetëra mijëra vendeve të punës dhe duke kërcënuar me rritje të papunësisë dhe emigracionit ekonomik.
Kjo industri, sipas deputetit të PD, ka gjeneruar mbi 1 miliardë euro në dy dekadat e fundit dhe punëson direkt 65,000 persona, ndërsa mbi 100,000 të tjerë i shërbejnë në mënyrë dytësore.
Rëndësia e tij nuk është vetëm ekonomike, por edhe sociale, theksoi Bozdo, pasi punëson kryesisht gra, veçanërisht në zonat rurale dhe shtresat e margjinalizuara. Pavarësisht peshës së madhe, problematikat e ngritura nga përfaqësuesit e këtij sektori kanë rënë vazhdimisht në “vesh të shurdhër” të institucioneve qeveritare.
Bozdo propozon krijimin e një mekanizmi kompensues për kursin e këmbimit dhe zbatimin e skemave të rimbursimit, politika këto që aplikohen edhe në vende të tjera të botës për të mbrojtur industritë vendase.
Desha të ngre këtu dhe të sjell përpara kolegëve të mi dhe këtij kuvendi problematikën shumë të madhe që po has një ndër sektorët më të rëndësishëm të industrisë në Shqipëri. Problematikë e cila për fat të keq ka rënë në ves të shurdhër të gjithë institucioneve qeveritare, dhe jo vetëm kaq, problematikë e cila ka kohë që injorohet, por që është majisur aq sa që vitin e kaluar, për shkak të zhvillimeve dramatike në ekonominë shqiptare, ka filluar të prodhojë vërtet efekte mjaft negative. Bëhet fjalë për manifakturën e eksportit, e njohur ndryshe si sektori fasonist. Hallet dhe shqetësimet e të cilës i kemi dëgjuar përpara komisionit të ekonomisë, i kemi dëgjuar vazhdimisht edhe në media, dhe kërkesat e të cilëve i kemi kërkuar, i kemi dëgjuar në të gjitha instancat. Kërkesa të cilat nuk kanë marrë asnjë përgjigje, kanë rënë në vesh shurdhër, dhe nëse vazhdohet kështu rrezikon reduktimin dhe më pas zhdukjen e një prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë tonë prodhuese.
Është një sektor i cili në dy dekadat e fundit ka gjeneruar më shumë se 1 miliardë euro dhe ka të punësuar sot 65,000 punonjës në nivelin e parë, dhe mbi 100 të tjerë që i shërbejnë në mënyrë dytësore këtij sektori. Është një sektor i cili punëson gra, veçanërisht gratë e lëna me një anë, veçanërisht në zona rurale, veçanërisht shtresa të margjinalizuara. Pra, përveç funksionit të punës, ka dhe një funksion tjetër social. Ky është një sektor që çdo tkurrje e të cilit përkthehet në ulje të të ardhurave, rritje të papunësisë dhe për fat të keq emigracion ekonomik. Është një industri, tutje nga pretendimet e kryetarit të qeverisë, kryeministrit, e cila është shumë mirë e integruar në Bashkimin Europian, e cila prodhon për vendet e Bashkimit Europian, dhe nuk është një industri kurrsesi, siç thotë ai kryeministri dhe të tjerë, e destinuar për t'u zhdukur, por përkundrazi, një industri e cila ka nevojë të ndihmohet dhe të mbështetet. E kush janë hallet e kësaj industrie? Së pari, elefanti në dhomë, ai që është kthyer në makthin e të gjithë industrisë eksportuese në Shqipëri, e gjithë prodhimeve Made in Albania, kursi i këmbimit të euros. Kursi i këmbimit të euros i cili fuqizon lekun dhe ul euron jo për shkak të rritjes së produktivitetit ekonomik shqiptare, jo për shkak të rritjes së motorit ekonomik të Shqipërisë, por për një shkak të vetëm, pastrimit dhe hapjes së dyerve të pastrimit të parave të pista në Shqipëri.
Nuk është më absolutisht asnjë sekret, e gjeni në të gjitha statistikat edhe të institucioneve tuaja. Shikoni se katandisja e euros në 95 lekë, 950 lekë, është duke dëmtuar prodhimet, është duke dëmtuar industrinë, është duke dëmtuar bujqësinë. Tani dhe me rritjen e çmimit të naftës, është goditja më e rëndë që i jepet sektorit prodhues. E dyta, është shumë e rëndësishme të kuptojmë që ajo që u shit si një reformë në fiskalitet dhe ajo që u shit si një mundësi e cila do kontribuonte për shtresat në nevojë, siç është rritja e pagës minimale, për këtë sektor dhe sektor të industrisë, u përkthye vetëm në një kosto shtesë. Sipas vetë shifrave të qeverisë, rritja e pagës minimale nga 40 në 50,000 lekë të reja, me një rënie të rëndë të lapsit, e bën qeverinë që të arkëtojë sa më shumë për hir të sigurimeve shoqërore, por nga ana tjetër, barra është shumë e madhe. 90 milionë euro ka qeveria fut në xhep për këtë arsye. Arsyeja tjetër, fakti tjetër është që industria s'merr asgjë, asgjë mbrapsht. Po çfarë kërkon kjo industri? Shumë thjesht. Atë që të gjithë industritë e tjera po e marrin në çdo vend të botës. Së pari, një mekanizëm kompensues për kursin e këmbimit. Është shumë e thjeshtë dhe me kosto minimale për qeverinë, për stabilizimin e kontratave.
© SYRI.net