Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

'Marta Kos i rreh shpatullat Ramës', protestuesi mesazh: Nuk pinë më ujë garancitë, të anulohet ligji 21/2024

'Marta Kos i rreh shpatullat Ramës', protestuesi mesazh: Nuk pinë më ujë garancitë, të anulohet ligji 21/2024

20:09, 16/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Po zhvillohet aktualisht dita e 17-të radhazi e protestës së qytetarëve shqiptarë, të cilët janë mbledhur sërish në shesh për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë dhe për të kërkuar ndryshime politike, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë protestës, një prej pjesëmarrësve mori fjalën para të pranishmëve, duke komentuar deklaratat e fundit të Komisioneres së Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Marta Kos, si dhe zhvillimet që lidhen me projektet në zonat e mbrojtura. 

Sipas tij, institucioneve evropiane u mjafton garancia e qeverisë shqiptare dhe e Ministrisë së Mjedisit se do të respektohen standardet mjedisore dhe se do të kryhet një vlerësim i ndikimit në mjedis. Protestuesi argumentoi se kjo qasje nuk adreson dëmet që tashmë janë shkaktuar në terren.

Në fjalën e tij, protestuesi ngriti edhe pyetjen nëse ekziston ndonjë precedent në vendet e Bashkimit Evropian ku vlerësimi i ndikimit në mjedis kryhet paralelisht me zhvillimin e punimeve infrastrukturore. Sipas tij, realizimi i këtyre proceseve njëkohësisht është i papranueshëm dhe bie ndesh me logjikën e mbrojtjes së mjedisit.

Më tej, ai ironizoi Ministrinë e Mjedisit, duke sugjeruar që ajo të riemërtohet si “Ministria e Turizmit të Paqëndrueshëm”, me argumentin se politikat aktuale nuk përputhen me parimet e mbrojtjes së natyrës.

Protestuesi:

Sot, si përditë, morëm një lajm të ri edhe morëm vesh se çfarë ka bërë Marta Kos. Edhe këtë e tha jo më pak se Marta Kos, Komisionerja e Zgjerimit e Bashkimit Evropian, ndërkohë që i rrihte shpatullat kryeministrit tonë Edi Rama. Edhe meqë shoh shumë pankarta për Martën sot, mbase do na dëgjojë, kështu që do fokusohem pak tek Bashkimi Evropian dhe tek Marta posaçërisht, me disa pika, prandaj edhe do t'i lexoj që të jem shumë korrekt me Bashkimin Evropian.

Me pak fjalë, i mjafton që qeveria shqiptare dhe Ministria jonë e Mjedisit t'i garantojë Bashkimit Evropian që do të ruhen standardet mjedisore dhe do të bëhet një vlerësim i ndikimit në mjedis, që ata të qetësohen. Po me sa duket ata nuk paskan qenë aspak të shqetësuar. Duhet t'i vijë fundi patjetër qasjes "e pa kjo punë". Jemi mësuar me këtë term "e pa kjo punë", u shkatërrua zona e mbrojtur, prandaj tani ta qajmë të shkatërrohet edhe të mos bëjmë asgjë.

Tani po them që pavarësisht se punimet filluan, rrugë të reja u ndërtuan, më shumë se 7 kilometra rrugë janë ndërtuar. Duna shekullore u shkatërruan në Vjosë-Nartë dhe u dëmtuan jo një, por tre habitate prioritare për Bashkimin Evropian të zonës së Nartës. Domethënë, jo një, por tre, se kam vënë re që numërimi për këtë qeveri është problem i madh.

Një pyetje kam për zonjën Marta, si ekspert mjedisi dhe si një biolog që kam punuar prej disa vitesh posaçërisht në zonën e Vjosë-Nartës. Po a ekziston diku tjetër në Bashkimin Evropian një shembull që bëhet vlerësimi i ndikimit në mjedis, njëkohësisht me ndërtimin e rrugëve dhe urave të reja? Domethënë, ndërkohë që biologët numërojnë shpendët që ikin, makineritë dëmtojnë zonën e mbrojtur. Kjo është patjetër jashtë çdo lloj sensi logjik.

Vlerësimeve ju ka ardhur fundi, nëse ato bëhen thjesht për të justifikuar vendime që tashmë janë marrë. Vetë Edi Rama deklaroi se sa të jem unë në krye të qeverisë, ky projekt do të vazhdojë. Atëherë për çfarë do t'i shërbejë vendimmarrësve ky vlerësim që po bëhet aktualisht? Kush nga këta vendimmarrës mund të guxojë të thotë 'jo, ky projekt nuk ndërtohet dhe dëmton mjedisin'? Askush!

Prandaj, për t'i ardhur në ndihmë pak Ministrit të Mjedisit, kam një sugjerim. Mbase është më mirë të riemërtohet Ministria e Mjedisit dhe të quhet Ministria e Turizmit të Paqëndrueshëm. Në këtë mënyrë fjalët e tyre do merrnin kuptim disi.

Prandaj, zoti Edi Rama, zonja Marta Kos, nuk pinë më ujë garancitë këtu. Jo! Duhet të anuloni ligjin 21, duhet të anuloni shkatërrimin dhe të bëni një moratorium për çdo lloj ndërtimi që erdhi si rezultat i ligjit të zonave të mbrojtura 21/2024. Shumë faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco