Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

'Shpopullimi në Veri: një sinjal për të ardhmen demografike të Shqipërisë'

'Shpopullimi në Veri: një sinjal për të ardhmen demografike të Shqipërisë'

21:30, 16/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Shkëlzen Hasanaj/

Si sociolog i migracionit dhe si studiues që prej vitesh merrem me analizën e proceseve demografike dhe lëvizjeve migratore, këto shifra nuk i lexoj thjesht si statistika. Ato pasqyrojnë një proces të vazhdueshëm shpopullimi dhe përqendrimi të popullsisë, me pasoja që shkojnë përtej dimensionit demografik.

Pas çdo numri fshihet një histori migrimi, një familje e larguar, një shkollë me më pak nxënës dhe një komunitet që humbet gradualisht energjinë e tij rinore. Shpopullimi nuk matet vetëm me numrin e banorëve të humbur, por edhe me humbjen e kapitalit njerëzor, të potencialit zhvillimor dhe të kohezionit social.

Analizat krahasimore tregojnë se fenomene të ngjashme janë vërejtur edhe në rajone të Italisë Jugore. Në shumë zona të brendshme, emigracioni i vazhdueshëm dhe përqendrimi i mundësive ekonomike në pak qendra urbane kanë sjellë plakje të popullsisë, tkurrje të shërbimeve publike dhe dobësim të jetës komunitare. Këto procese nuk ndodhën brenda natës; ato u bënë të dukshme pas një ose dy brezash.

Pyetja që duhet të shtrojmë sot nuk është vetëm sa banorë po humbasin qarqet e Veriut, por çfarë do të thonë këto prirje për Shqipërinë e 10–20 viteve të ardhshme. Sociologjia na mëson se ndryshimet demografike nuk janë vetëm pasojë e zhvillimit, por shpesh përcaktojnë vetë të ardhmen ekonomike, sociale dhe kulturore të një vendi.

Këto të dhëna burojnë nga rezultatet e Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, të publikuara nga INSTAT, dhe meritojnë të lexohen përtej debatit të ditës, si një tregues i rëndësishëm për të ardhmen e shoqërisë shqiptare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco