‘Në fokus Berisha’, Harxhi: Prania e gjeneralit Wendt pritet të ndikojë zhvillimet politike në vend

22:20, 16/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në 'A Show', Edith Harxhi Ish-diplomatja dhe anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike, u shpreh se Gjenerali Eric Wendt, nuk është thjesht një ndryshim formal diplomatik, por një sinjal politik që tregon një qasje të re të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë dhe zhvillimeve të saj të brendshme.

Sipas saj, profil i tij ushtarak dhe lidhja me strukturat e larta të sigurisë amerikane e vendosin atë në një pozicion të veçantë ndikimi në raport me balancat politike në vend.

Harxhi theksoi se në këtë kontekst pritet një lëvizje më aktive dhe më e drejtpërdrejtë e ambasadorit të ri në skenën shqiptare, përfshirë edhe kontaktet e me kreun e opozitës Sali Berisha.

Ajo e lidhi këtë zhvillim me një klimë të re që mund të krijohet në marrëdhëniet SHBA–Shqipëri, ku prioritetet e sigurisë dhe interesi kombëtar amerikan pritet të kenë peshë më të madhe në përcaktimin e qëndrimeve diplomatike.

Pjesë nga deklarata:

Dëgjoni, gjenerali Wendt është një gjeneral me një karrierë të gjatë në fushën ushtarake. Mbi të gjitha, ai është një gjeneral me tre yje i cili ka qenë shef i misioneve speciale të NATO-s. Për ne është absolutisht një avantazh shumë i madh për Shqipërinë prania e tij këtu, sepse vjen nga një pozicion shumë i lartë. Nuk është diplomat karriere, por ndoshta ne jemi mësuar shumë me diplomatët e karrierës, të cilët i kanë krijuar jo pak probleme Shqipërisë gjatë këtyre viteve.

E dyta, kini parasysh që gjatë gjithë historisë së Departamentit të Shtetit, prej viteve 1960, ka pasur një përplasje të madhe midis Departamentit të Shtetit dhe Pentagonit për sferat e influencës dhe për politikën e jashtme, sepse natyrisht edhe Pentagoni ka politikën e vet, ashtu siç janë edhe institucionet e tjera ligjzbatuese, CIA, FBI e të tjerë. Dhe në këtë përplasje të madhe shpeshherë ka fituar Departamenti i Shtetit.

Në këtë rifreskim që i është bërë në përgjithësi Departamentit të Shtetit me politika konkrete apo edhe në doktrinën e re të politikës së jashtme të administratës Trump, është e qartë që do të mbizotërojë gjithmonë balanca e fuqive brenda departamenteve të ndryshme në SHBA, dhe sidomos kur kjo ka të bëjë me vende që kanë probleme demokratike.

Madje, ka pasur rreth tetë muaj më parë një urdhëresë të sekretarit Rubio, në të cilën thuhej që Shtetet e Bashkuara dhe Departamenti i Shtetit nuk do të marrin pjesë drejtpërdrejt në zgjedhjet vendore apo zgjedhjet e përgjithshme të vendeve të tjera dhe do të ketë një tërheqje të menjëhershme nga pjesëmarrja e tyre politike në zgjedhjet e tyre dhe nga anësimi politik. Dhe kjo u vu re faktikisht.

Pavarësisht se në zgjedhjet e Shqipërisë Departamenti i Shtetit nuk pati asnjë deklaratë, mungesa e deklaratës natyrisht shkon në disfavor të qeverisë në këtë rast. Nga ana tjetër, ata kishin misionin brenda OSBE/ODIHR-it. OSBE/ODIHR-i është krijesë e amerikanëve, nuk diskutohet, dhe atje kanë ndryshuar balancat, si në OSBE ashtu edhe në ODIHR në të njëjtën kohë. Kështu që, për këtë arsye, Departamenti i Shtetit e ka pasur levën e vet.

Me ardhjen e ambasadorit të ri, mendoj që, duke qenë se ai ka pasur një marrëdhënie të posaçme me Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017, mendoj që edhe nëse ka njerëz që mund të kenë mbetur në Departamentin e Shtetit nga periudha e mëparshme, të cilët nuk e shohin Shqipërinë aq problematike, siç është për shembull Martha Youth në Europë apo disa të tjerë në Europë, jam e sigurt që ambasadori do të dijë t’i kalojë. Sidomos me pozicionin e tij si gjeneral. Kini parasysh, ai ka drejtuar ushtri, ka drejtuar brigada të tëra në operacione shumë të rrezikshme...

Ka pasur shumë studentë shqiptarë në Kaliforni, kur ai jepte mësim atje në fund; ka pasur shumë studentë shqiptarë. Por, nga ana tjetër, dhe këtë duhet ta theksoj, në paraqitjen që ai bëri përpara Senatit (nuk po flas për pyetje-përgjigje), ai kishte dy pika shumë të rëndësishme.

E para: familjen. Foli shumë për familjen e tij, që tregon se është family-oriented, pra i orientuar drejt familjes. Dhe e dyta, ai foli për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe gjithçka që do të varet nga politika amerikane, si do të zbatohet në Shqipëri, do të jetë në varësi të doktrinës Trump, sigurisë amerikane dhe interesit kombëtar amerikan.

Unë pres që ai do të shkojë në zyrën e zotit Berisha sapo të vijë.

Mendon se ftesa e Berishës në festimet e 250-vjetorit të themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e rëndësishme, domethënë për fytyrën... se aty me siguri do të jetë kryeministri, nuk mund të lejojë që të mos shkojë në këtë gjë. Është një bllof shumë i madh apo...

Folësi 2: Unë mendoj që është shumë e rëndësishme. Unë nuk e di nëse ftesa i ka mbërritur ose jo, këtë nuk mund ta them. Por mendoj që do të ishte shumë e rëndësishme, sepse natyrisht i bën një kthim shumë të madh, 180 gradë, asaj politike që është ndjekur kundër zotit Berisha gjatë këtyre 5 viteve të fundit. Dhe është një kthesë shumë e madhe, natyrisht.

Të gjithë gazetarët e të tjerë kanë qenë të përfshirë në atë pjesë, të cilët në njëfarë mënyre nuk pranoheshin apo nuk ftoheshin më në festat e ambasadës amerikane apo në takime nga ambasadorja. Kishin krijuar një grup të ngushtë. Po të shihni edhe me deputetët, edhe sot ambasada ka vetëm një grup të ngushtë prej tre-katër vetash, të cilët i thërret. Nuk është ajo hapja që ka qenë këtu 10 vjet përpara, kur ambasadori ishte Marcie Ries, kur ishte Arvizu, që kishte ftesa pafund, kur festa kombëtare e Amerikës bëhej para Galerisë së Arteve, ku ishin të ftuar me qindra e qindra shqiptarë, intelektualë e të tjerë, jo vetëm politikanë. Pra, ka pasur një tkurrje.

Tkurrja ka vazhduar edhe tani. Dhe unë mendoj që ardhja e ambasadorit të ri do të shënojë një hapje, një moment të ri në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, duke pasur parasysh që ai vjen i fokusuar shumë në zbatimin e atyre parimeve kryesore të politikës së jashtme amerikane, që janë interesi kombëtar amerikan, lufta kundër narkotrafikut, që është përmendur më shumë se gjithçka tjetër në seancën e dëgjesës së tij, dhe çështja e bazave ushtarake amerikane në Shqipëri. Dhe unë mendoj që këtu mund të kemi lajme të reja shumë shpejt.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco