Ja si shqiptarët po pastrojnë fitimet e drogës me kinezët, Kepi: SPAK nuk konfiskon paratë e pista...

15:32, 30/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një reportazh i transmetuar nga televizioni publik italian, Rai 3, ka hedhur dritë mbi fuqizimin alarmues të mafias shqiptare në skenën ndërkombëtare dhe aleancat e saj strategjike me organizata të fuqishme kriminale kineze dhe latino-amerikane. Dokumentari zbulon se si kjo aleancë po dominon rrugët e narkotrafikut global, duke përdorur metoda të sofistikuara për pastrimin e parave që i bëjnë pothuajse të pagjurmueshme.

Gazetarja Alba Kepi e ftuar në edicionin e mesditës në Syri tv më gazetarin Arnold Karqqi shpjegoi se, reportazhi e nis udhëtimin e tij nga Prato, një qytet në veri të Italisë, i cili konsiderohet si një nga shqetësimet kryesore të antimafias italiane. Aty, komuniteti i gjerë i sipërmarrësve kinezë ka krijuar një "Chinatown" që, sipas autoriteteve, shërben si një qendër nevralgjike për riciklimin e parave që burojnë nga trafiku i kokainës.

Sipas shpjegimeve të Kepit, mafia shqiptare mban rolin kryesor në furnizimin e tregjeve evropiane me kokainë, duke shtrirë operacionet e saj nga Ekuadori dhe Kolumbia deri në qytetet kryesore të Italisë si Bari, Breshia dhe Bergamo. Thelbi i këtij suksesi kriminal qëndron në një bashkëpunim të heshtur, por tejet të fuqishëm mes grupeve shqiptare, kineze dhe atyre latino-amerikane.

Elementi më tronditës i zbuluar nga Rai 3, shpjegon gazetarja e Syri tv,  është metoda antike kineze e pastrimit të parave, e njohur si "Fei Ch'ien" ose "paraja fluturuese". Kjo skemë i lejon trafikantët të lëvizin shuma marramendëse pa përdorur sistemin bankar tradicional. Procesi funksionon në mënyrë të thjeshtë: një trafikant shqiptar depoziton një shumë të madhe parash, për shembull 500,000 euro, në një biznes kinez në Itali. Në këmbim, ai merr një kod ose një numër serial, të cilin ia dërgon bashkëpunëtorit të tij në Amerikën Latine. Ky i fundit e paraqet kodin në një biznes tjetër kinez atje dhe tërheq shumën ekuivalente, duke financuar kështu blerjen e dërgesës së radhës së kokainës. E gjithë kjo ndodh pa asnjë transferë fizike apo elektronike e parave, duke e bërë thuajse të pamundur gjurmimin nga autoritetet.

Reportazhi gjithashtu prek edhe dimensionin shqiptar të problemit, duke iu referuar "Operacionit Ura", i cili, sipas dyshimeve, u vonua qëllimisht nga autoritetet shqiptare për të mos ndikuar në procesin e shitblerjes së votave në zonën e Durrësit. Kjo ngre pyetje serioze mbi ndikimin e krimit të organizuar në sferat e larta të politikës dhe institucioneve shtetërore në Shqipëri.

Arnold Kariqi: Ndërkohë italianët janë ndalur vazhdimisht tek situata e kriminalitetit në Shqipëri, pastrimi parasë, bandat, grupet kriminale, është përsëri Rai Tre që është ndalur mbrëmë në Shqipëri. Konkretisht për ata që nuk e kanë ndjekur emisionin, për çfarë flise dhe cili është shqetësimi i italianëve?

Alba Kepi: Ka qenë një reportazh i realizuar mjaft mirë, i cili merrte dhe analizonte çdo rrugë të narkotrafikut ndërkombëtar me fokus mafian shqiptare. Niste nga vendi ku është preokupimi më i lartë i antimafias italiane, që është Prato. Është një qytet në veri të Italisë ku sipërmarrësit kinezë janë pothuajse kanë krijuar atë “Chinatown”, pra qytetin e tyre, ku investojnë dhe krijojnë, kanë krijuar ekonominë e tyre.

Dhe shumë operacione të autoriteteve italiane kanë dokumentuar se ky qytet shpeshherë përdoret si mjet, si mënyrë, ato kompani që ndodhen aty, përdoren për riciklimin e parave të narkotrafikut. Dhe ky reportazh niste udhëtimin e tij pikërisht nga Prato dhe më pas u pozicionua në jug të Italisë, në Pulia, në Bari, dhe më pas në Lombardi, në Breshia, në Bergamo, deri në Ekuador, e Kolumbi, deri në Amerikën Latine, për të kuptuar se gjithçka që lëviz narkotrafikun botëror për të furnizuar tregjet e kokainës në Evropë, ka në qendër rolin parësor dhe të mafies shqiptare.

Arnold Kariqi: Në fakt ne jemi, në vend të parë në botë.

Alba Kepi: Patjetër, por ajo që preokupon më shumë dhe mendoj se ka qenë dhe thelbi i këtij reportazhi është bashkëpunimi i heshtur dhe mjaft i fuqishëm mes mafies kineze, mafies shqiptare dhe mafies latino-amerikane. Dhe jo më kot autorët e këtij reportazhi janë ndalur dhe në qytetet, në qytezat ku prodhohet, ku mafia kineze ka investuar dhe ku janë dokumentuar me shumë operacione se përmes një metode antike kineze kryhet riciklimi i parave të narkotrafikut. U bë të paktën dy vitet e fundit në raportet e antimafies italiane, por dhe të Guardia di Finanza-s, që unë kam intervistuar dhe për redaksinë e Syrit, ata kanë theksuar faktin se shqiptarët po bashkëpunojnë me mafien kineze, pasi në këtë metodë antike të riciklimit të parave të pista kanë gjetur habitatin më perfekt për të lëvizur miliona e miliona euro.

Është një metodë e cila unë uroj ta shqiptojmë qartë e mirë, në gjuhën kineze nuk di si mund të shqiptohet, “Fei Ch'ien”, dhe është një metodë ku ti në gjuhën letrare do të thotë “paraja fluturuese”. Ti shkon tek një dyqan kinez dhe depoziton 500.000 euro dhe ai të jep në këmbim një numër, një shifër, në thonjëza, një faturë, që ja komunikon personit që ky broker shqiptar po bën blerjen në Amerikën Latine dhe aty fillon lëvizja e transportit të kokainës.

Pra, një mënyrë antike e eksploruar për të lëvizur miliona e miliona euro, pa përdorur as banka, as thes me para, as funde të fshehura të automjeteve, po përmes një banke të fshehtë, e cila nuk ka as punonjës, as nëpunës, por ka një pakt mes mafies shqiptare dhe mafies kineze për të bërë dhe për të kryer operacionet financiare në shitblerjen e kokainës.

Arnold Kariqi: Lidhet me sistemin “Hawala” kjo, Alba?

Alba Kepi: Është shumë e ngjashme, por thuhet se kjo është më e sofistikuar. Dhe kjo ishte një nga preokupimet e dy viteve të fundit të antimafies italiane dhe mendoj se ka qenë edhe një nga shtysat që ka realizuar ky reportazh. E themi mjaft mirë në prezantim, Rai Tre. Rai Tre është një kanal i radiotelevizionit publik italian, por gjithmonë mjaft i drejtpërdrejtë dhe mjaft i ndjeshëm në analizimin apo në përcjelljen e problematikave të aktualitetit social, aktualitetit të krimit të organizuar, dhe gjithmonë ka pasur në fokus sidomos atë që preokupojnë dhe autoritetet italiane, fuqizimin e mafies shqiptare. Ka qenë një reportazh mjaft i mirë ky i mbrëmshmi, pasi jo vetëm ka pasur një dëshmi konkrete të një operacioni të rëndësishëm, që është operacioni Ura.

Kujtojmë, operacioni Ura u finalizua pak pas zgjedhjeve të majit të 2025-ës me dyshimin e fortë, ndoshta dhe të provuar, të faktit se ky operacion u vonua nga autoritetet shqiptare pikërisht për të mos penguar procesin e shitblerjes së votës dhe influencës së krimit të organizuar në zonën e Durrësit. Dhe reportazhi mbrëmë pati në fokus dhe pikërisht klanin e Durrësit, persona të cilët janë përfshirë në operacionin Ura.

Arnold Kariqi: Alba, kur flasim për përfshirjen e shqiptarëve, cili është roli i Shqipërisë, i Tiranës zyrtare? Sepse kur themi ka trafikantë, këta shqiptarë, trafikantët shqiptarë e nisin organizimin e saj, pra, nis zanafilla që nga brenda Shqipërisë, lidhjet e tyre, çfarë fliste Rai? Ku dyshon? Dhe sepse në Shqipëri gjithmonë është folur për paranë e pistë e cila po injektohet sidomos në ndërtim, në Tiranë, në turizëm, gjithashtu, në ekipet sportive. Pra, a ka një, një shkelje syri dhe nga Tirana zyrtare që janë fuqizuar kaq shumë këto grupet kriminale shqiptare?

Alba Kepi: Mendoj se ky reportazh, apo gjithçka që trajtojnë herë pas here gazetarët italianë, ka në fokus pikërisht këtë. Sensibilizimin qoftë dhe të autoriteteve shqiptare apo ngritjen e vëmendjes, alarmit në atë çka është detyrim që të bëjnë edhe autoritetet shqiptare. Kemi thënë shpesh dhe presim shpesh që nga bota, nga antimafia italiane, nga antimafia holandeze, nga autoritetet gjermane, nga ato amerikane presim që të kemi një zgjidhje konkrete të këtij problemi që ne e jetojmë çdo ditë. Por, sa i takon prokurorive, sa i takon të drejtës ligjore, sa i takon territorialitetit, gjithmonë ka pengesa në finalizimin e këtyre proceseve. Këto procese finalizohen kur ti jo vetëm kryen një operacion të përbashkët me autoritetet italiane, por kur ti arrin, jo vetëm sekuestron, por konfiskon paratë e këtyre grupeve kriminale...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco