Analistja, eksperte e ekonomisë Brisida Shehaj e ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ deklaron se Rama po përdor strategjinë e prodhimit të krizave artificiale për të shmangur largimin nga pushteti.
Sinjalet e para i dha brenda mazhorancës pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste javën e kaluar. Propozimin për kthimin e referendumit për numrin e deputetëve, Shehaj e sheh si një përpjekje për t'u dukur sikur lëshon terren përballë ndërkombëtarëve në çështje dytësore, por pa e lëshuar kurrë pushtetin real dhe pa shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Unë mendoj që e rëndësishmja për t'u diskutuar është pikërisht teza e referendumit që ka hedhur ai zotëria (Rama).
Sepse mendoj që ai do vazhdojë të agravojë situatën duke i dhënë, në këtë moment kur ndërkombëtarët i janë vënë të gjithë, normalisht, kundra, sepse nuk mban më ujë pilafi, nuk e mbajnë dot më Edi Ramën.
"Ai do krijojë problematika me referendumin për uljen e numrit ky që na e mbajti ligjin shtatë vjet sirtar. Tani do bëjë ligjin për referendumet për të bërë këtë, që të uli numrin e deputetëve. Kam idenë do krijojë problematika dhe në reformën territoriale. Ai do prodhojë kriza për të arritur në pikën që mos të lëshojë pushtetin. Pra të duket sikur me ndërkombëtarët do lëshojë pe te këto dhe mos të lëshojë pushtetin e tij, pra që të kalojmë ne në zgjedhje të parakohshme. Kjo mendoj unë që do të bëjë ai. Dhe paralelisht mendoj që opozita duhet të ishte në gjendje të prodhonte krizë institucionale. Unë nuk jam për dhunë, jam kundra dhunës, nuk mendoj që protesta e dhunshme, por mendoj që duhet të ishte inovatore protesta. Pra nuk mund të jetë e njëjta gjithmonë.
Duhet të jesh inovator në atë që bën për t'iu përgjigjur hapave që bën ai. Pra ti duhet ta lexosh kundërshtarin dhe t'i përgjigjesh kundërshtarit aty ku i dhëmb kundërshtarit. Nuk i dhëmb kundërshtarit se ti del te rruga dhe proteston. Jo. Problemi është leku i krimit, pastrimi i parave dhe problematikat me ndërkombëtarët që ka ai sot" tha Shehaj.
© SYRI.net