Nënkryetari i PD-së Agron Gjekmarkaj, në një prononcim për mediat denoncoi se sot lideri i opozitës Sali Berisha ishte projektuar për tu goditur nga policia gjatë protestës së thirrur sot pasdite nga opozita.
‘Një akt I paprecedentë në 35 vite, një akt shumë i rëndë, një provokim që thyen paqen sociale, deklaroi ai.
Deputeti denoncoi edhe një akt dhune ndaj kolegut të tij.
"Qeveria është kthyer në një bunker që mbron korrupsionin dhe penalizon shqiptarët. Sot ka qenë një ditë dramatike me shumë simbolika të këqija. Siç e vutë re, ndoshta për herë të parë në 35 vite, lideri i opozitës projektohet për t'u goditur nga policia, një akt shumë i rëndë, një provokim që thyen paqen sociale. Është një provokim që s'ka ndodhur asnjëherë më parë.
Po ashtu u godit edhe deputeti Xhelal Mziu nga forcat e policisë me shkop gome. Nga pikëpamja humane ne jemi të gjithë njësoj, por deputeti është përfaqësues dhe ka imunitet pikërisht që mos të jetë viktimë e gjesteve të tilla si këto që ndodhin. Po ashtu njerëzit e zakonshëm që protestojnë janë nëpër komisariate. Ne kemi këtu avokatët tona zonjën Kalaja dhe zonjën Grimci, deputetët e opozitës për t'i asistuar. Katër të mitur u liruan, kemi dhe nëntë persona të tjerë në këtë komisariat. Në çdo komisariat ka mjaft protestues të cilët janë rrëmbyer në mënyrën më të paligjshme të mundshme dhe siç e patë, sot kishte një nervozitet nga ana e policisë sepse është nervoz kryeministri, është nervoze qeveria, janë të gjithë në panik sepse e shohin që qytetarët po reagojnë dhe duan të marrin në dorë fatet e një vendi që po shkon në drejtim të paditur" tha Gjekmarkaj.
Gazetari: Përsa i takon mënyrës se si u soll policia me bllokimin e disa akseve që më herët kishin qenë subjekt ose objekt i kalimit të qytetarëve. Sot ish-blloku ishte bllok,
Agron Gjekmarkaj: Po, të kujton vitin 1991 në fakt, kur turma si printe Neritan Ceka që u ndal sepse kishin dalë tanket e Ramiz Alisë, dhe sot blloku u kthye brenda vetvetes. Domethënë, ju rikthye simbolikës së errët që ka patur për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe po ta vinit re, çdo rrugë dhe ishte zënë nga policia që ne mos të hynim në bllok. Ishte mbrojtur më së miri AKSHI që është vatra e turpit dhe e korrupsionit në Shqipëri. Por sigurisht që Partia Demokratike, opozita ka detyrën e shenjtë që t'i udhëheqë shqiptarët si i vetmi institucion ende i pakapur dhe i paprishur për të mbrojtur të drejtat njerëzore të qytetarëve e të një populli që po shkon e përsëris në drejtim të paditur.
© SYRI.net