Dhjetëra qytetarë, mes tyre edhe disa të mitur, janë shoqëruar në komisariate të ndryshme të Tiranës pas protestës së opozitës.
Avokatja Adriana Kalaja, e cila po ofron ndihmë ligjore për të ndaluarit, tha se policia u ka bërë të miturve pyetje me sfond politik, duke i pyetur nëse kishin qenë në selinë e Partisë Demokratike.
Në një prononcim për Syri Tv nga ambientet e Komisariatit Nr. 1, Kalaja dha detaje për katër të miturit e shoqëruar, dy prej të cilëve 15 vjeç dhe dy 16 vjeç. Sipas saj, adoleshentët kanë mohuar kategorikisht pjesëmarrjen aktive në protestë, duke deklaruar se thjesht ndodheshin në zonën e Piramidës.
Kalaja akuzoi Policinë e Shtetit se është kthyer në një organizatë në mbrojtje të krimit dhe zyrtarëve të korruptuar. Sipas saj, të katër të miturit pritet të lihen të lirë.
Avokatja i bëri thirrje forcave të rendit të distancohen nga veprimet arbitrare dhe të dënueshme, duke paralajmëruar se Partia Demokratike do të qëndrojë në krah të çdo protestuesi dhe do të ndjekë ligjërisht çdo efektiv që shkel ligjin dhe shpërdoron detyrën.
Ajo gjithashtu i bëri thirrje Ministrit të Brendshëm të distancohet nga veprimet e dhunshme. Ndërkohë, bëhet e ditur se mes të shoqëruarve është edhe një person nga Korça, si dhe tre të tjerë në Komisariatin Nr. 3, dy prej të cilëve nga Kruja. Sipas avokates, policia po tenton të “fryjë” numrin e të shoqëruarve duke arrestuar edhe persona pa lidhje me protestën, për t'i raportuar statistika ministrit.
Për momentin po merren në pyetje katër të mitur. Dy janë 15 vjeç dhe dy janë 16 vjeç. Të katër të miturit mohojnë në mënyrë kategorike pjesëmarrjen në protestë, kanë qenë në zonën e piramidës. Ndërkohë që po kështu mohojnë në mënyrë kategorike edhe ë, të kenë gjuajtur me sende të forta apo të kenë gjuajtur me lëndë piroteknike. Ajo që më bëri përshtypje në fakt, nga marrja në pyetje që iu bë këtyre personave të mitur, në prani të familjarëve, ishte fakti se oficeri i policisë gjyqësore bënte një pyetje që unë ja vura në dukje, se a kishin qenë sot në selinë e Partisë Demokratike. Ato në fakt u përgjigjën në mënyrë negative, por është e papranueshme që në një komisariat policie të pyetet nëse ke qenë apo jo në një seli të një force politike, e cila nuk është as organizatë terroriste, as organizatë kriminale.
Fatkeqësisht e kundërta ndodh në fakt, që policia është kthyer në një organizatë në mbrojtje të krimit dhe të të zyrtarëve të korruptuar dhe Partia Socialiste po ashtu. Kështu që jemi në momentet e procedurave të fundit për të katër të miturit, të cilët me procesverbalet që janë mbajtur do ndiqen në gjendje të lirë dhe po kështu në momentet e fundit marr informacion që kanë shoqëruar dhe një person nga një fshat i Korçës, i cili është ndaluar dhe ai, është shoqëruar ë gjatë protestës. Ndërkohë unë do të doja të bëja një thirrje publike, së pari për forcat e rendit, sepse kam informacione ngaqë po shkojnë edhe po marrin, po arrestojnë njerëz për të plotësuar atë numrin e statistikave. I them të kenë distancim nga veprime arbitrare, nga veprime të dënueshme, sepse Partia Demokratike e ka thënë që përveç se do të jetë deri në fund në krah të çdo protestuesi, po kështu do të jetë deri në fund të betejës ndaj forcave policore të cilët shkelin ligjin dhe shpërdorojnë detyrën.
Unë kam informacione që nga protesta është vetëm një nga Korça dhe katër personat e mitur për të cilët sapo ju fola, pra në total pesë. Kam informacione se tre persona janë shoqëruar në komisariatin numër tre. Nga këto, njëri është nga Tirana, dy nga Kruja dhe statistikat janë në vështrim të vazhdueshme, po këto informacione po konfirmojnë që Policia e Shtetit po bën të pamundurën për të kapur dhe persona të cilët nuk kanë lidhje fare me protestën, por, siç e kanë bërë dhe herë të tjera, për të treguar numrin e lartë të të shoqëruarave dhe për të treguar atë figurën e mirë ndaj ministrit.
© SYRI.net