Berlini edhe një herë u shpreh qartë dhe i drejtëpërdrejtë me kryeministrin Edi Rama, i cili me maxhorancën e tij parlamentare u bë mburojë ndaj Belinda Ballikut.
Me 82 vota maxhoranca rrëzoi sot kërkesën e SPAK për t'i hapur rrugë arrestimit të Belinda ish zv/kryeministres e marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera në mënyrë të përsëritur, dhe për të cilën SPAK ka prova se ajo ka kërcënuar dëshmitarët dhe prishur provat.
Në reagimin e saj ambasada gjermane shkruan e zeza në të bardhë se integrimi bazohet tek ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë të jetë i shpejtë dhe pa pengesa dhe se prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet që ta garantojë këtë proces.
Reagimi i Ambasades Gjermane:
Lidhur me vendimin e sotëm të Parlamentit shqiptar rreth heqjes së imunitetit Ambasada Gjermane deklaron:
Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve.
Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces.
Edhe ambasada britanike pati një reagim të ngjashëm para se të niste votimi në kuvend duke nënvizuar se Imuniteti nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit.
Ndërkohë u vu re se bojkoti që diplomatët ndërkombëtarë i bënë seancës së sotme plenare.
Çfarë ndodhi sot në Kuvend?
Ndonëse PS ka 83 mandate deputeti, në ndihmë të saj këtë herë ishte PSD-ja, pasi disa prej socialistëve nuk ishin në sallë.
Përveç Belinda Ballukut, e cila zgjodhi që sot mos të ishte në seancë, mungonin dhe ish-ministrja Elisa Spiropali, deputeti Fatmir Xhafaj, dhe Bledi Gonxhja.
Në Kuvend, 82 vota ishin pro rrëzimit të kërkesës së SPAK dhe 47 vota nga opozita. Sakaq, pro rrëzimit të kërkesës së saj ishte dhe PSD-ja, e cila ka 3 deputetë.
Berlini rrit presionin ndaj Ramës
Qëndrimi i Gjermanisë ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është ashpërsuar ndjeshëm, duke e vendosur vendin përballë një momenti kritik në negociatat për anëtarësim.
Sipas qëndrimit të Berlinit zyrtar, Shqipëria do të vazhdojë të konsiderohet në një “prag kritik” deri në momentin që të marrë një vlerësim pozitiv në raportin e ndërmjetëm të standardeve, të njohur si IBAR, nga Komisioni Evropian. Ky raport shihet si kushti formal që vendi të mund të nisë fazën e mbylljes së kapitujve të negociatave.
Por shqetësimi kryesor i Gjermanisë lidhet me zhvillimet e fundit në politikën shqiptare dhe me një seri skandalesh korrupsioni të profilit të lartë që kanë përfshirë ministra, deputetë dhe zyrtarë të lartë. Berlini po i trajton këto raste më ashpër se shumë vende të tjera të BE-së, duke kërkuar që zyrtarët e dyshuar jo vetëm të largohen nga detyra, por edhe të hetohen plotësisht nga strukturat e drejtësisë, përfshirë prokurorinë speciale kundër korrupsionit.
© SYRI.net