Meta: Ndryshimet në Qeveri e Polici, rezultat i protestave të opozitës - Populli të marrë pushtetin. Krenar për 2 Marsin

18:09, 02/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një intervistë ekskluzive të Syri.net, Presidentit Meta tha se ndryshimet në qeveri e polici janë rezultat i protestave të opozitës. Ai nxit popullin të marrë pushtetin ndërsa shprehet se është krenar për 2 Marsin.

Z.Meta, sot që është 6-vjetori i 2 Marsit, si ndiheni që ndodheni në burg?

Jashtëzakonisht krenar për atë akt të papërsëritshëm që mund të bëjë një President, në ato rrethana kërcënuese nga një Parlament monist prej 122 kartonash që në çdo moment mund të më shkarkonin apo nga kërcënimet e grupit të strukturuar diplomatik që kërkonin heshtjen e Presidentit të Republikës dhe noterizimin te Lana të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Fakti që populli e sidomos qytetarët e Tiranës iu përgjigjën thirrjes time si President i detyroi puçistët të tërhiqnin projektligjin për “betimin te Lana” të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe moskapjen e saj totale para zgjedhjeve të përgjithshme në Maj 2021, pasi do ta përdornin për të legjitimuar zgjedhjet e paligjshme lokale të 2019-tës, ku as 5% e qytetarëve nuk morën pjesë e ku rezultatet mezi u shpallën pas 27 ditësh.
Nëse nuk do e kisha bërë 2 Marsin, do isha i penduar sot, sepse do kisha bërë një akt tradhëtie ndaj vendit, demokracisë, Kushtetutës dhe bindjeve të mia politike.
Kur Heroi i Francës, në Luftë e Parë Botërore, Mareshali Petën, pranoi pushtimin nazist, një vartës i tij, deri atëherë i panjohur mirë, Gjenerali De Gol, iu drejtua publikisht se për të firmosur një akt poshtërimi Franca nuk kishte nevojë që këtë ta bënte Heroi i Verdunit (Mareshali Petën), por mund ta kishte firmosur cilindo.
Dhe fatkeqësisht, heroi i Luftës së Parë Botërore të Francës, në moshën 87 – vjeçare, firmosi atë akt me të cilin nënshkroi trashëgiminë e tij si kolaboracionist në histori.
Jo më kot ne e kemi një shprehje se burri deri ditën e fundit të jetës ka kohë për t’u turpëruar (ose koritur).
Si mund të pranoja unë, student i Dhjetorit '90, të noterizoja përdhosjen e Kushtetutës dhe kapjen totale të shtetit me qëllim asgjësimin e pluralizmit politik, por edhe të sovranitetit shtetëror e kombëtar.
Ashtu si më parë kisha refuzuar projektin për gjymtimin e Kosovës që gjoja na ishte një projekt “amerikan”, po ishte projekt i Sorosit dhe lobit serb të integruar edhe në administratën e asaj kohe, por që të bëhej i realizueshëm duhej një përkrahje e Shqipërisë zyrtare, të cilën ata e morën vetëm nga Edi Rama, sepse edhe Ditmir Bushati u ç'emërua se doli kundër këtij projektit të ndryshimit të kufijve.
Shihni editorialin e fundit ku vasali i bashkëngjitet shefit për të folur me një “gjuhë”ndaj BE.
Nuk ka asnjë ngjashmëri midis dy vendeve tona, ndërkohë që Serbisë, në çdo rast, për t'u bërë anëtare në një mënyrë apo tjetër, do t'i duhet të njohë Kosovën e të mos pengojë anëtarësimin e saj në BE.
Po kështu, Serbia për shkak të traditës (Titos) kërkon të “luajë” me të gjithë e të përqafojë nga të tërë.
Ndërsa Shqipëria e ka të përcaktuar përkatësinë e saj europiane dhe euro-atlantike duke qenë prej 17 vjetësh edhe anëtare e NATO-s.
Po kështu, përkrahja për integrimin europian në Shqipëri është gati totale, ndërsa në Serbi e kundërta.
Njëkohësisht Shqipëria s’ka asnjë problem real me fqinjët.
Por Edi Rama urren Kriteret e Kopenhagenit që nga zgjedhjet e lira, lirinë e medias dhe shprehjes, llogaridhënien dhe pavarësinë e institucioneve e sidomos pavarësinë e drejtësisë.
Kjo politikë e tij personale synon zhvendosjen gjeopolitike të Shqipërisë, e ka nisur që me takimin e Nishit dhe “Ballkanin e Hapur”

Z. Meta, çfarë do t'i ndryshonit sot qëndrimit tuaj në 2 Mars?

Asgjë, as qëndrimit madje as fjalimit si substancë.
Por do më duhej të freskoja disa shifra të përmendura në atë fjalë 6-vite më parë.
Së pari, nuk janë më 400.000 shqiptarë të larguar nga sekti në fuqi, por gati 1 milionë.
Po kështu, stoku i dosjeve të qytetarëve shqiptarë nuk është më 40.000 por mbi 200.000 falë Ramaformës.
Padyshim jemi rekord në Europë për numrin e të paraburgosurve, ndërsa vendin e parë për korrupsionin nuk ja “lëshojmë” askujt.
Mjafton t'i referohemi rënies prej 11 vendesh në raportin e fundit të Transparency International.

A besoni se protestat e opozitës do të jenë të suksesshme?

Pa dyshim, nëse vazhdojmë me konsistencë dhe kreativitet.
Ndryshimet e fundit në Qeveri dhe polici janë rezultat i këtij presioni.
Kur bien institucionet, ngrihet populli dhe populli është i pavdekshëm.
Të papushtetshmit duhet të rimarrin pushtetin që ua ka dhënë neni 2 i Kushtetutës se “në Republikën e Shqipërisë, sovraniteti i përket popullit”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco