Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, e cilësoi protestën e fundit të opozitës si një sukses me një skenar tërësisht të ndryshëm nga të mëparshmet. Ai deklaroi se protesta e së shtunës ishte vetëm fillimi, duke paralajmëruar se "vala e protestave është hapur" dhe se një tjetër do të organizohet "shumë shpejt".
Gjatë bisedës me moderatorin e emisionit Flavio Qarri deputeti Gjoni tha se, “protesta e fundit ndryshoi rrjedhën e tubimeve të tjera pasi nuk pati fjalime, por ishte konceptuar si një marshim me një skenar të përgatitur nga Partia Demokratike”. Ky marshim, shpjegoi ai, preku pika kyçe dhe institucione si Kryeministria, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Parlamenti dhe Drejtoria e Policisë së Tiranës. Gjoni theksoi se këto institucione u vunë në shënjestër pasi konsiderohen "pjesë e problemit politik sot në Shqipëri".
Duke komentuar reagimet e shumta nga mazhoranca, Gjoni u shpreh se ato erdhën për shkak të skenarit të panjohur për publikun dhe strukturat e policisë. Ai përmendi gjithashtu se një reagim i veçantë erdhi edhe nga faktori ndërkombëtar, specifikisht për "pjesën simbolike" të zhvilluar pranë ish-banesës së diktatorit, duke shtuar se reagimi i disa ambasadave nuk ishte brenda "kornizave që duhet të jetë".
Deputeti demokrat konfirmoi se vala e protestave do të vazhdojë. Ai argumentoi se protestat tashmë po japin rezultate, duke u atribuar atyre ndryshimet e fundit në qeveri. Sipas tij, mobilizimi i qytetarëve shqiptarë, jo vetëm simpatizantëve të PD-së por edhe të atyre që "ndjehen njëkohësisht të poshtëruar nga kjo qeverisje", ka sjellë këto pasoja politike.
Flavio Qarri: Ka qenë fundjavë goxha interesante kjo politikisht. Mbi të gjitha vazhdojnë të jenë ende pasojat e asaj proteste të hapur për debat, nga struktura, nga ecuria deri tek gjithçka ndodhi në shesh. Keni një koment paraprak?
Gjin Gjoni: Protesta e ditës së shtunë në fakt ndryshoi të gjithë rrjedhën e protestave të tjera, për arsyen e thjeshtë nga mënyra se si u organizua dhe skenari i cili ishte përgatitur nga ana e Partisë Demokratike, dha një mesazh komplet të ndryshëm nga të gjitha protestat e tjera, pasi në këtë protestë mungonin fjalimet dhe kishte një skenar marshimi i cili preku pikat kryesore të institucioneve të cilët janë sot të implikuara dhe padyshim që janë pjesë e problemit politik sot në Shqipëri. Duke filluar nga kryeministria, te Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Parlamenti, Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe institucionet e tjera të cilët ky marshim preku gjatë udhëtimit të tij ditën e shtunë.
Flavio Qarri: Ndërkohë, sigurisht ka pasur edhe emocione të shumta dhe të shtuara, zoti Gjoni, mbi të gjitha nga reagimet e llahtarshme kësaj radhe, të eksponentëve të mazhorancës. Pse kaq shumë reagime këtë herë?
Gjin Gjoni: Reagimet kanë ardhur faktikisht vetëm për mënyrën e e realizimit të kësaj proteste, sepse skenarët ishin të panjohur për pjesën më të madhe të shoqërisë, ashtu edhe për strukturat e policisë, por padyshim edhe për faktorin ndërkombëtar, të cilët vetëm në lidhje me pjesën simbolike të ish-banesës së diktatorit, u ndodhi një reagim i cili normalisht nuk është një reagim brenda kornizave të cilat duhet të jetë për disa ambasada.
Flavio Qarri: Megjithatë, a do të donit që ambasada të kishin reagime të tjera?
Gjin Gjoni: Jo, të them të drejtën, gjërat që priteshin. Protestat të cilat zhvillohen edhe në vende të tjera, kemi institucione të cilët përfshihen nga këto protesta, dhe ne kemi parë raste të tilla edhe në Paris, edhe në Bruksel, edhe në Athinë, edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian dhe padyshim që këto protesta janë për shkak të revoltës së njerëzve të cilët janë të përfshirë dhe sidomos grupeve të interesit, por gjithmonë brenda një kuadri i cili është i lejueshëm. Dhe padyshim, protesta e ditës së shtunë, ishte një protestë e cila, në pikëpamjen time, ishte brenda kornizave të cilat duhet të kishte çdo protestë dhe revoltë popullore. Dhe padyshim pritshmëritë në lidhje me këtë protestë ishin të kënaqshme, të paktën për organizatorët e Partisë Demokratike, sepse dha një mesazh shumë të fortë në raport me qytetarët e Tiranës, por edhe të gjithë Shqipërisë, por edhe njëkohësisht edhe me faktorin ndërkombëtar.
Flavio Qarri: Ndërkohë, ndryshe nga protesta dhe kalimi midis datës 20 dhe 28, këtë herë nuk është njoftuar një protestë tjetër apo ka një datë?
Gjin Gjoni: Jo, nuk është njoftuar, por unë them që tani vala e protestave është hapur. Padyshim që do kemi një protestë shumë të shpejtë të njoftuar nga kryetari i Partisë Demokratike. Ai e la të hapur mundësinë e një proteste. Kërkesa e qytetarëve është që protestat të vazhdojnë në mënyrë të pandërprerë. Padyshim që do ketë një protestë e cila do zhvillohet në ditët e ardhshme dhe ne do marrim shumë shpejt edhe datën në të cilën do zhvillohet. Ka një interes të shtuar të qytetarëve në lidhje me protestën, pasi rezulton që për shkak të protestave ka disa ndryshime të cilat ne ja atribuojmë edhe protestave të realizuara nga ana e Partisë Demokratike dhe mobilizimit të qytetarëve shqiptarë, jo vetëm simpatizantëve të Partisë Demokratike dhe anëtarëve, por edhe asaj pjese të cilët sot ndjehet njëkohësisht e poshtëruar si dhe demokratët nga kjo qeverisje 12-13 vjeçare.
© SYRI.net