Sulmet e SHBA/ Shehu: Irani mban gjallë terrorizmin e Hamasit, Hezbollahut, i rrezikshëm për sigurinë globale

18:12, 01/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu ka komentuar në një intervistë në Syri tv zhvillimet e fundit pas sulmeve të SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit.

Sipas tij, regjimi iranian paraqet një kërcënim të dyfishtë. Brenda vendit, ai është përgjegjës për “gjakderdhje” dhe shtypje të dhunshme të lëvizjeve popullore, siç u pa në protestat e fundit ku mijëra qytetarë dhe studentë që kërkonin të drejta themelore u vranë. Ky regjim akuzohet se keqpërdor fenë për të ruajtur pushtetin politik dhe për të ushtruar represion, duke e mbajtur Iranin në një gjendje “obskurantizmi” dhe izolimi.

Ndërsa në arenën ndërkombëtare, Irani shihet si një qendër e rrezikshme që nxit destabilitet. Shehu tha se, “konsiderohet se regjimi i Iranit, bazon ekzistencën e tij në mbështetjen e terrorizmit rajonal, duke mbajtur gjallë grupe si Hamasi dhe Hezbollahu, të cilat janë faktorët kryesorë të konfliktit në zonë. Frika më e madhe mbetet mundësia që ky regjim “jashtë kontrollit” të zotërojë armë bërthamore, një skenar me pasoja të paparashikueshme për sigurinë globale.

Aksionet e fundit të administratës amerikane, përfshirë eliminimin e një lideri të lartë iranian, nuk duhet të shihen si një pengesë për diplomacinë. Kjo qasje synon të detyrojë Teheranin të ulet në tryezën e bisedimeve. Argumentohet se regjime të tilla diktatoriale nuk i përgjigjen dialogut nëse nuk ndjejnë presionin e forcës dhe rrezikun real të shpërbërjes së tyre totale.

Deputetit demokrat tha në bisedën e tij me moderatorin Bled Marku se, “çmontimi i regjimit aktual nuk konsiderohet vetëm në të mirën e popullit iranian, i cili përshkruhet si një popull me histori të lashtë dhe vlera të mëdha intelektuale, por edhe si një hap thelbësor për stabilitetin e rajonit dhe të botës”.

Bled Marku: Si po i shihni ju këto zhvillime?

Tritan Shehu: Është, është një përpjekje e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të çmontuar një regjim kriminal, diktatorial, shumë të rrezikshëm jo vetëm për atë zonë dhe më tej, aq më tepër në qoftë se ky regjim do të ketë në dorën e tij armë bërthamore. Pra, është një veprim preventiv i SHBA-së pikërisht për të ndaluar më të keqen e mundshme, për të bllokuar këtë regjim në revanshin e tij të jashtëm, por edhe të brendshëm. Ju keni parë çfarë gjakderdhje ka krijuar ky regjim para pak javësh ndaj një lëvizje popullore duke vrarë me mijëra  qytetarë, studentë, njerëz të thjeshtë, të cilët po protestonin për të drejtat themelore të tij, për të nxjerrë Iranin nga obskurantizmi,  Për të nxjerrë Iranin nga shtypja e Ayatollahëve, të cilët në mënyrën më djallëzore keqpërdorin fenë për pushtet politik, për për për represion mbi qytetarët dhe për ta mbajtur Iranin kështu të shtypur dhe të izoluar duke e kthyer në një qendër të rrezikshme për rajonin dhe për botën, sepse realisht në qoftë se Irani do ketë armë bërthamore, një regjim i tillë është jashtë kontrollit dhe asnjë nuk mund të mendojë se çfarë do të mund të krijohet në botë nga një armatosje e tillë e Iranit. Pra, unë mendoj se është një veprim i administratës së Trump në përpjekjet që po bën prej kohësh, njëherë në Venezuelë, kundër Maduros, i cili ishte një narkotrafikant, një diktator aty. Tashmë në Iran, për të çmontuar përsëri një regjim diktatorial, që, siç duket, që është një regjim i fortë realisht, por që tashmë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një aksion në shkallës së gjerë, i cili po vazhdon dhe sot. U vra dje lideri i tyre, Ayatollahut, dhe një sërë personalitetesh të tjera rreth tij. Por që, që të çmontohet ky regjim nuk është kaq e lehtë. Ndërkaq ka filluar një lëvizje popullore në Iran prej kohësh që u shtyp me gjak përpara disa javësh, po dhe jashtë Iranit, nga iranianët, të cilët kërkojnë ndryshime demokratike të thella të Iranit. Shpresojmë që kjo të arrijë. Shpresojmë që Irani të dalë nga ky qerfull diktature, nga ky qerfull shtypje, nga ky qerfull kthimi në një vend që transmeton konflikte, destabilitet në rajon, terrorizëm, dhe të futet në një rrugë normale të zhvillimit të tij, sepse realisht populli iranian është një popull me një histori të lartë, të gjatë, të lashtë, me një kulturë të gjerë, me vlera të mëdha intelektuale, me njerëz shumë të spikatur në fusha të ndryshme të profesionit, të shkencës, të artit, por që fatkeqësisht, në atë shtypje që i është atij regjim, shumica dërrmuese kanë ikur jashtë, por ama janë kapacitete të mëdha të atij populli, i cili ka vlera të mëdha historike, kulture dhe tradite.

Bled Marku: E qartë. Më përmendët pak çaste më parë edhe për çështjen bërthamore. Ne e dimë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani tashmë janë në bisedime për armët bërthamore iraniane dhe këto sulme a e vështirësojnë disi edhe arritjen e një marrëveshje apo duke treguar muskuj të mund të ketë një lloj ulje edhe në tryezë dhe pranim kërkese amerikane?

Tritan Shehu: Është, strategjia e Presidentit Trump, “Shkopi dhe karrota”. Pikërisht për ta detyruar për t'u ulur në, tryezë, sepse regjime si regjimi iranian, diktatoriale, kriminale, nuk ulen në tryezë, nuk mund të pranojnë këto gjëra në qoftë se nuk e ndjejnë forcën dhe nuk gjejnë rrezikun e çmontimit të tyre total. Shiko, kjo është filozofia dhe psikologjia e këtyre regjimeve. Nuk kemi të bëjmë me një regjim demokratik i cili ulet në tryezë normalisht, bashkëbisedon, bën një marrëveshje. Kemi një regjim i cili fund e krye është i përfshirë në gjakun e brendshëm të vrarëve aty. Një regjim i cili bazon ekzistencën e tij në terrorizmin që krijon përreth dhe në destabilitetin e rajonit. Është pikërisht Irani që mban gjallë, që ka mbajtur gjallë terrorizmin e Hamasit, terrorizmin e Hezbollahut.

Kështu që çmontimi i atij regjimi është padyshim jo vetëm në të mirën e madhe të popullit të Iranit, siç thashë një popull me kulturë të lashtë, me vlera të mëdhaja, por është në të mirën e madhe dhe të stabilitetit të këtij rajoni dhe shumë më gjerë të botës mbarë, sepse i ikën një rrezik i paparashikueshëm çfarë mund të ndodhi, meqë ra fjala që Irani do rritej të ketë armë bërthamore…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco