Çfarë fshihet pas elegjisë së Edi Ramës për Ballukun?!

Çfarë fshihet pas elegjisë së Edi Ramës për Ballukun?!

11:33, 01/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Belind Këlliçi

Edhe sot, Edi Rama ushqeu elegjinë për të larguarën Balluku, kur u shpreh për punët e saj të mira (1.1 miliardë euro abuzim vetëm në 11 procedura) dhe kur u përbetua se në rrethana të tjera nuk do ta kishte zëvendësuar.

Po si ka mundësi që ranë të gjitha parimet e qëndrimet e mëparshme, për përgjegjësi personale e për mos-avokati në rast problemesh me drejtësinë? Pse Edi Rama publikisht po manifeston këtë nënshtrim? Pse dardhat dhe kumbullat e Belës, nuk qenkan si ato të Ahmetajt, të Veliajt, apo të shumë të tjerëve me të cilët ai ka larë duart sapo BKH është shfaqur në dyert e tyre?

Natyrisht nuk ka këtu asgjë njerëzore, cilësi humane, apo grimca sentimentale. Përjashtohen këto ndjesi në rastin e një autokrati të lidhur me krimin e korrupsionin.

Edi Rama thjesht po konfirmon para qytetarëve se është i kapur nga e pandehura dhe e akuzuara për korrupsion, aq shumë, sa duhet ta manifestojë besnikërinë ndaj saj dhe në publik. Deri në venerim.

Pra nuk mjafton që t’i garantohet vijueshmëria e biznesit duke caktuar mashat e saj në pikat kyçe të qeverisjes, por kjo ndërvarësi e Ramës duhet të jetë e dukshme, e zëshme, ta shohin njerëzit. Ta dinë të gjithë këtë efekt.

Kjo fuqi e Belës vjen nga përfshirja e Edi Ramës në aferat për të cilat po heton SPAK. Eshtë kaq e thjeshtë. Mjaftueshëm kanë dalë deri më tani prova ku vetë palloshi urdhëron dhe orienton tenderat e ndarjen e milionave. Shumë më tepër ka që nuk i kemi parë akoma.

Shqipëria është në krizë të rëndë për shkak të korrupsionit dhe lidhjeve kriminale të qeverisë. Imagjinoni ç’do të ndodhë në vijim kur i njëjti kryeministër që i ka shkaktuar këto probleme, është dhe i kapur, i komanduar nga dikush, zyrtarisht e pandehur, e cila do të bëjë gjithçka për t’i shpëtuar burgut. Dhe karta më e fortë që ka Balluku për të ndalur drejtësinë, është padyshim lojtari i saj kryesor, zari i saj, Edi Rama.

Ikja e Ballukut, pa Ramën, vetëm e thellon krizën.

Largimi i kryeministrit është e vetmja rrugë për të dalë nga kjo situatë që zgjat agoninë e qeverisë por dëmton vendin dhe qytetarët me një kosto të paimagjinueshme!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco