SYRI TV/ Inceneratori i Tiranës, manipulimi me dokumentet zyrtare

16:15, 28/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Institucionet qeveritare në dokumente zyrtare manipulojnë faktin se inceneratori i Tiranës është në proces ndërtimi, por në realitet ai nuk ekziston.

Në një dokument të prillit 2025, të siguruar nga “Syri”, në një paragraf Agjencia Kombëtare e Mjedisit citon se impianti i trajtimit të mbetjeve është në fazë ndërtimi. Por që prej miratimit të kontratës në vitin 2016, ndërtimi i inceneratorit nuk ka nisur aspak. Ky fakt është i dukshëm në terren dhe është pranuar edhe nga hetimet e Prokuroria e Posaçme.

Në prill të vitit 2025, Agjencia Kombëtare e Mjedisit miratoi kërkesën e kompanisë koncesionare Integrated Energy BV për realizimin e konsultimit publik për projektin e zgjerimit të hapësirës për depozitimin e mbetjeve urbane në periferi të Tirana. Në atë dokument thuhet se faza e operimit të qelizës shtesë mund të zgjasë deri në 10 vite.

Pika më problematike e raportit është paragrafi: “Pasi të ndërtohet impianti i trajtimit të mbetjeve me rekuperim të energjisë, i cili aktualisht është në fazë ndërtimi, sasia e mbetjeve urbane që depozitohen në landfill do të reduktohet ndjeshëm”. Kjo do të thotë që, sipas dokumentit zyrtar, impianti i trajtimit të mbetjeve me rikuperim të energjisë, i njohur si incenerator, është në fazën e ndërtimit.

Në të vërtetë, prej miratimit të kontratës koncesionare për landfillin e Sharrës në vitin 2016, ndërtimi i inceneratorit nuk ka nisur.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të programit elektoral të qeverisë në shtator 2025, nuk e përmendi termin “incenerim”, duke deklaruar se do të rikthehet tek projektet e landfillëve sanitarë.

Bashkitë e qarkut të Tiranës paguajnë çdo muaj një tarifë prej 29 euro për ton mbeturina të depozituara në landfillin e Sharrës, pagesë që përfshin edhe shërbimin e incenerimit. Opozita, por edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, kanë ngritur shqetësimin se kjo tarifë është abuzive, për sa kohë kompania koncesionare nuk e ka ndërtuar inceneratorin.

Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës kreu pagesën e radhës për koncesionarin, në shumën rreth 830 mijë euro.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco