Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, lideri opozitar Sali Berisha deklaroi se politikat për mbështetjen dhe integrimin e të diplomuarve në Perëndim do të rikthehen fuqishëm në programin e tij qeverisës.
I pyetur nga një qytetar i shkolluar jashtë vendit, i cili shprehu zhgënjimin për mungesën e mbështetjes në vitet e mëparshme, Berisha theksoi se gjatë qeverisjes së tij numri i të diplomuarve jashtë vendit në administratën shtetërore u rrit nga 1.6% në 22%, falë masave si bonuset për strehim, shtesat në paga dhe lehtësitë në punësim.
Ai shtoi se do të rikthejë këtë model, duke garantuar se të rinjtë dhe profesionistët e formuar në universitetet perëndimore do të kenë rol të rëndësishëm në administratë dhe drejtimin e vendit.
Deklarata për media:
Engjëll Gishti: Edhe dikur në vitin 2005, premtuat se ne të shkolluar në Perëndim do drejtonim Shqipërinë. Unë jam nga të parët e shkolluar në Perëndim në vitin 1988 dhe në vitin 2006 u ktheva, por askund nuk gjeta mbështetje nga qeveria juaj. Pse duhet t’u besojmë sot?
Sali Berisha: Të falënderoj Engjëll! Por unë mund të them një gjë, qeveria ime, kur erdhi në pushtet, gjeti se në administratën shtetërore kishte vetëm 1.6% të shkolluar jashtë vendit dhe me ato masa që përcaktuam, me një shtesë në rroga, me një bonus për strehimin, me punësimin dhe lehtësime të tjera ne arritëm që numri i të shkolluarve në Perëndim në administratë të arrijë në 22%. Përveç kësaj, unë ndjej keqardhje që ju nuk keni përfituar dot nga këto masa.
Por përveç kësaj, në vitin 2005, në universitete kishte gjithsej 6 mijë pedagogë dhe asistentë. Ne arritëm me hapjen e universiteteve të reja, me hapjen e programeve të reja, degëve të reja, që numri i pedagogëve dhe studentëve të arrijë në rreth 11.300, pra pothuaj të dyfishohet.
Dhe kjo u bë në tërësi me të rinj dhe të reja nga jashtë vendit.
Ka pasur një politikë aktive në këtë drejtim, ndjej keqardhje që ju nuk keni përfituar, por qëllimi ka qenë të përfitoni.
Dhe siguroj se ne do i kthehemi fuqishëm kësaj politike.
Mund të them se edhe në qeveri, edhe në drejtim, kjo kategori zuri vende shumë të rëndësishme dhe do zërë përsëri vende të rëndësishme.
© SYRI.net