Berisha në bashkëbisedimin me qytetarët në rrjete sociale theksoi se dorëheqja dhe largimi i Edi Ramës nga pushteti është kushti kryesor që Shqipëria të rigjejë paqen, të rikthejë zgjedhjet e lira dhe të ecë drejt normalitetit.
Lideri i opozitës shprehu mirënjohjen e tij ndaj qytetarëve dhe protestuesve që po qëndrojnë përballë “regjimit antishqiptar të Ramës”, duke vlerësuar angazhimin dhe qëndresën e tyre për shpëtimin e vendit.
Sipas Berishës, kjo betejë nuk ka lidhje me individë të tjerë në qeveri, por drejtohet drejtpërdrejt kundër kreut të asaj që ai e cilëson si organizatë kriminale qeveritare, duke nënvizuar vazhdimësinë e kryengritjes paqësore deri në largimin e Ramës.
Pjesë nga bashkëbisedimi:
Aleks Kapllaj: Dëshiroj të falënderoj nga zemra të gjithë qëndrestar dhe protestuesit shqiptarë që po qëndrojnë përballë regjimit antishqiptar të Edi Ramës. Atyre u jemi mirënjohës gjithë jetën. Ju falënderoj për çdo gjë që po bëni për të shpëtuar Shqipërinë.
Sali Berisha: Jam shumë mirënjohës për mesazhin tuaj inkurajues. Është një betejë e vështirë, por është një mision i madh në të cilin po bashkohen çdo ditë e më shumë shqiptarët. Dhe me këtë rast dua t’u rikujtoj shqiptarëve se kjo betejë nuk lidhej me Lubi Ballukun, në asnjë rast. Kjo betejë lidhet me kreun e organizatës kriminale të qeverisë shqiptare që është Edi Rama. Ndaj dhe ne këtë betejë do ta vazhdojmë gjersa Edi Rama të largohet nga pushteti. Dorëheqja e tij dhe largimi i tij nga pushteti është kushti i të gjitha kushteve që Shqipëria të rigjejë paqen, të rikthejë zgjedhjet e lira dhe të ecë në rrugën e normalitetit.
© SYRI.net