Banorët e Thumanës protestojnë për rrugën, Kalaja: Këtu rrezikohet jeta e fëmijëve. Do bllokojmë autostradën

Banorët e Thumanës protestojnë për rrugën, Kalaja: Këtu rrezikohet jeta e fëmijëve. Do bllokojmë autostradën

11:40, 28/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Banorë të zonës së Gramsit, Shkofetit, Thumanës dhe Dervenit kanë dalë ditën e sotme në protestë duke kërkuar zgjidhje për gjendjen e mjeruar të një segmenti rrugor 500-metërsh, i cili është kthyer në një rrezik të përditshëm për jetën e tyre.

Në deklaratën për media, aktivisti Aulon Kalaja tha se situata u tensionua më tej kur një ditë para protestës së paralajmëruar, autoritetet ndërhynë duke hedhur një shtresë çakëlli në rrugë, një veprim që banorët e cilësojnë si tallje dhe zgjidhje joserioze.

“Imagjinoni, këtu kalon kamioni çdo ditë,” shprehet njëri prej organizatorëve, duke demonstruar me një lëvizje të lehtë të këmbës se si çakëlli zhvendoset menjëherë duke krijuar gropa. “Kjo është situata e rrugës. Ky nuk është standard evropian,” shtoi ai.

Problemi thellohet kur bëhet fjalë për sigurinë dhe emergjencat. Banorët shprehen se në këtë rrugë rrezikohet jeta e fëmijëve dhe e të moshuarve.

Sipas tyre, një ambulance i duhen të paktën 25 minuta për të përshkuar këtë segment dhe për të arritur në fshat, ndërkohë që në kushte normale udhëtimi do të zgjaste vetëm 5 minuta.

Kjo rrugë, e cila sipas tyre përshkohet nga rreth 2,000 kamionë të tonazhit të rëndë (trajlerë) në ditë, nuk mund ta përballojë këtë fluks me një shtresë të thjeshtë çakëlli.

Të vendosur për të mos u tërhequr, Kalaja tha se banorët kanë paralajmëruar se nëse autoritetet nuk ndërhyjnë për ta shtruar rrugën me asfalt, ata do të mbledhin vetë fondet për ta bërë këtë, duke sjellë si shembull një rast të ngjashëm në Urën e Gjolës ku komuniteti shtroi vetë rrugën.

Paralajmërimi shkon edhe më tej. Në rast se zëri i tyre nuk dëgjohet, ata kërcënojnë me përshkallëzim të protestave, përfshirë edhe bllokimin e autostradës.

Deklarata e plotë:

"Në Grams, banorët e zonës, jo vetëm të Gramsit, Shkofetit, vendas, bregut të lumit, por edhe disa banorë të Thumanës dhe të Dervenit, kanë dalë sot për me kërkuar një të drejtë legjitime.

Këta që qeverisin sot e kanë marrë vesh që ne do organizojmë protestë edhe ditën e djeshme kanë ardhur kanë hedhur çakull.

Tani do ju lutesha ta fokusojmë pak. Domethënë, imagjinoje këtu kalon kamioni çdo ditë.

Unë do bëj vetëm këtë lëvizje, shih si shkon çakulli. Kjo është situata e rrugës që po them. Ja ku u bë gropa vetëm me një lëvizje këmbe.

Në rast se këta, domethënë, këta e quajnë standard evropian këtë lloj rruge, ne po tërhiqemi apo po ikim krejt te shtëpia.

Në rast se ai drejtori i ARRSH-së vjen këtu e kalon me makinën e vet, po këta e bëjnë përditë këtë punë. Pra kjo është rruga që shtrojnë këta.

Prandaj thirrja nuk është për çakull. Pra të vijnë ta shtrojnë, janë të mirëpritur se për 500 metra rrugë e kanë lënë këtë punë e prandaj u bë vargu i makinave tani. Se edhe këta s'kanë qejf me ju nxjerrë jetën robve po i ka nxjerrë halli këtu.

Edhe janë njerëz që e bëjnë përditë këtë rrugë. Këtu rrezikohet jeta e fëmijëve të këtyre, jeta e këtyre moshave të treta sepse ambulanca këtu do të paktën 25 minuta me ik në fshat. Në një rrugë normale do shkonte për pesë minuta. 500 metra rrugë nuk e shtrojnë dot. Kjo është pyetja.

Në rast se këta nuk e shtrojnë dot, do të çohen banorët vetë pastaj me i mbledhur lekë me e shtru vetë. Me asfalt. Se atje në Urë të Gjolës e morët vesh dje që kishin çuar, e kishin shtruar vetë rrugën.

Po kur s'ka shtet. I lejnë banorët se pastaj i bëjnë procedim penal me i çu brenda për punime të paligjshme.

Hajde ta shtrojnë rrugën këtu, 500 metra rrugë është. Në rast se këta nuk do reagojnë, do ketë protesta të tjera, siç e tha edhe Gjergji edhe të gjithë banorët e tjerë. Do bllokohet autostrada këtej djathtas pastaj, kjo rruga e vjetër.

Tani, unë nuk e di se cili është qëllimi që e lënë rrugën në këtë lloj forme. Po besoj se edhe banorët e shprehen që është me kalu te ajo rruga tjetër. Po çfarë borxhi i kanë këta banorë kësaj Shqipërisë që kalojnë trajlerat këtu? 2000 trajlera në ditë përllogaritet trafiku i rrugës".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco