Boçi: Rama i ka dhënë me koncesion qeverisjen Ballukut, ndryshimet në qeveri vetëm makiazh

18:46, 27/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ndryshimet e bujshme në kabinetin qeveritar, të ndërmarra pas kritikave të ashpra vendase dhe ndërkombëtare në adresë të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, nuk janë gjë tjetër veçse një “makiazh” për të fshehur krizën dhe një lëvizje e negociuar mes kryeministrit dhe vartëses së tij.

Kështu deklaroi nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçano Boçi, në SYRI DIGJITAL me moderatorin Bled Marku, ku ndër të tjera u shpreh se Rama kërkon të paraqitet edhe si një njeri që nuk e ka shitur Ballukun.

Sipas tij, këto lëvizje janë të negociuara mes kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas kritikave të forta vendase dhe ndërkombëtare.

Boçi theksoi se qeveria nuk përfaqëson më programe politike, por interesa të ngushta, duke akuzuar Ramën se po përpiqet të ruajë kontrollin mbi sektorë kyç dhe të pengojë hetimet e mundshme nga SPAK, përfshirë çështjen e imunitetit të Ballukut.

Boçi: 

Janë thënë shumë përcaktime, rrokadë, pudër, në një fytyrë të pistët të një qeverisje që është dëshmuar tërësisht e korruptuar. Unë do të doja ta shihja në një këndvështrim tjetër. Rama ka kaluar në një stad tjetër, e ka dhënë me koncesion edhe qeverisjen e tij. Kujt ja ka dhënë? Ja ka dhënë zëvendës kryeministres në raport me kërkesat që ka ai ndaj saj, për të heshtur dhe për të mos ta nxjerrë Ramën atje ku ai është në fakt, që është kreu i aferave korruptive. Dhe pse e them këtë? Sepse emërimet, po t'i shohësh në tërësi, emërimet kryesore që lidhen me infrastrukturën, që lidhen me Ministrinë e Jashtme dhe që lidhen patjetër dhe me dikastere të tjera, apo me largimin e ndonjë ministre, duket qartazi që janë kërkesa të diskutuara dhe të pranuara si koncesione nga ana e Ramës përkundrejt Ballukut, sepse është ajo tashmë që ka vendosur dhe vendos se si do formatohet një qeverisje, për shkak të asaj situate në të cilën është zhytur Rama vetë. Ndërkohë që vendosja e njerëzve të tjerë pastaj që janë ndërrime vendesh pa asnjë lloj vlere dhe madje çuditshme, është thjesht i lidhur me qëllimin për të krijuar një lloj konfuzioni në opinionin publik, por duke i hedhur hi syve ndërkombëtarëve që ai është i gatshëm që të bëjë ndërrime në qeverinë e tij për të kapërcyer këtë lloj situate krize.

Ndërkohë që kërkon të paraqitet edhe si një njeri që nuk e ka shitur Ballukun, thjesht nuk e ka shkarkuar, por thjesht ka bërë një ndërrim të, të themi, kabinetit me një pjesë të madhe qeveritar, pa kuptim, pas pak muajve qeverisje, por që atij i shërben në këtë lloj drejtimi të lojës politike. Ajo që thatë ju është shumë e saktë. Këto janë njerëz që janë besnikë të zëvendës kryeministres. Nga vijnë këta njerëz? Sepse kjo nuk është një qeveri më politike. Pra, aty s'ka njerëz më që kanë mbrojtur programe politike përgjatë kohës në fushatë dhe zbatojnë pikat e një programi politik, që është edhe detyrimi i qeverisjes, në fakt në raport me qytetarin. Kemi një qeveri tanimë interesash. Rama është i bindur, duhet të ruajë vazhdimësinë e interesave, sikurse është i bindur që koha e tij është e shkurtuar dhe brenda kësaj kohe ai kërkon të maksimizojë interesin e tij. Të ruajë dominancën te AKSHI, me personin që ka vendosur në krye, që ka po të njëjtën lidhje. Të ruajë dominancën në infrastrukturë, që ka po të njëjtën lidhje, sikurse të ruajë dominancën edhe pse jo, në pjesë të tjera të qeverisjes, atje ku është seti më i madh i investimeve dhe i buxhetit të qeverisjes.

Jemi në një qeverisje interesash totale, të kapur nga Rama dhe dhënë me koncesion përballë situatës së rënduar që është Rama. Shpesh PD-ja ka thënë, Balluku normal, është një aferë korruptive shumë e madhe, por AKSHI është akoma dhe akoma më e madhe sepse ai ka qenë portofoli apo, themi kofshi personal i Ramës dhe aty ai është i zhytur në mënyrë akoma më të dukshme. Sikurse është ky njeriu që bën korrupsion gjeostrategjik, ose kështu e pranojnë analistët e tij dhe Rama jo vetëm që do kërkojë të ruajë paranë dhe interesat, por kërkon të ruajë njëkohësisht duke mbrojtur zëvendës kryeministrin dhe tarabezin, informacionin që vjen nga këto ministri, i cili normal do jetë target i hetimeve të SPAK-ut, por gjen forma dhe mënyra se si të krijon pengesa ndaj këtij hetimi me qëllim që ky të mos jetë aq i plotë dhe të mos nxjerrë në pah pikërisht atë që ne e themi, këtë gjë që është vërtetuar, që Rama e ka pranuar vetë, që është ai krye i korruptuarit, ai që jep urdhër, ai që udhëzon, ai që orienton dhe përcakton diçka, gjithçka në këtë vend. 

Dhe fakti që ende nuk shprehet për heqjen e imunitetit të zonjës Balluku, për të lejuar arrestimin e saj, nuk është se ai nuk ka një vendim edhe s'ka lexuar raportin. Është ai që përgatit raportin e Manjës apo dikujt tjetër, por kërkon të përfitojë kohë, kërkon të testojë dhe kërkon edhe të negociojë pikërisht me kë? Me Ballukun, e cila ka pasur kërkesat e saj, Rama ja ka realizuar, por normal janë kërkesa që mund të shtohen edhe përgjatë këtyre orëve në ditët e fundit para datës 5 Mars kur shqyrtohet edhe heqja e imunitetit të zonjës Balluku. Pra, jemi në një situatë atipike.

Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë kështu, me një qeverisje e kapur tërësisht në një rrjet korrupsioni, ku kanë rënë të gjithë brenda dhe ku krye i korruptuari lëviz fijet njëkohësisht për të mos prishur rrjetën, sepse është vetë brenda, por njëkohësisht për të përfituar sa më maksimalisht nga koha që ai ka në dispozicion. Tashmë e shkurtuar, ju përmendët reagimin e faktorit ndërkombëtar, jo vetëm faktori ndërkombëtar, reagimi qytetar ka qenë një ndër arsyet që drejtësia ka lëvizur dhe një ndër arsyet që vetë Rama ka hedhur hapin e parë të dorëzimit të tij, megjithëse kërkon ta shesë si jo dorëzim, por si lëvizje normale, sikurse dhe veprimet e ardhura tek nga drejtësia kanë ndikuar në formën dhe mënyrën e tyre në raport me këto ndryshime që janë bërë në kabinet. 
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco