Dedaj: Ndryshimet në qeveri fasadë për të mbuluar dështimet dhe aferat e korrupsionit

17:33, 27/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar pas pezullimit të ministres Belinda Balluku me kërkesë të SPAK, nuk përbëjnë një zgjidhje politike, por thjesht një manovër teknike për të menaxhuar një krizë të thellë ku është përfshirë mazhoranca socialiste. Kështu është shprehur në një intervistë në SYRI TV me Armela Ferko, gazetari Reldar Dedaj, sipas të cilit këto lëvizje janë shenjë e një modeli autoritar qeverisës, ku ministrat shërbejnë si zbatues të projekteve të oligarkisë, ndërsa vëmendja publike orientohet drejt figurave të caktuara si Balluku, e cila po “viktimizohet nga sistemi që e prodhoi atë”.

Duke analizuar situatën aktuale, Dedaj argumenton se mazhoranca ka prodhuar një krizë të mirëfilltë politike, të dëshmuar nga aferat e mëdha të korrupsionit dhe situata e rënduar ekonomike e sociale. Në këtë kontekst, pritej një zgjidhje politike, por në vend të saj u bënë ndryshime teknike. Ai thekson se problemi qëndron te modeli i qeverisjes.

Reldar Dedaj: Mendoj që me pezullimin e zonjës Balluku, pa diskutim, do të kërkohej një rifreskim i kabinetit qeveritar. Ishte totalisht e kuptueshme që do të bëhej një ndryshim. Por problemi qëndron që tek ndryshimet jemi tek ndryshimet teknike. Pra, në kriza politike, sepse tashmë mazhoranca socialiste ka prodhuar një krizë politike. Këtë e vërtetojnë aferat e mëdhaja të korrupsionit dhe denoncimet që janë bërë, por edhe niveli ekonomik dhe social në shoqërinë shqiptare. Pra është totalisht në një krizë shumë të thellë. Do të kërkohej realisht një zgjidhje politike. Pse zgjidhje politike? Sepse ajo çfarë akuzohet dhe ajo çfarë vihet re te kjo qeverisje është pikërisht modeli autoritar që ka ngritur figura, kryeministri figurën e tij. Çfarë do të thotë një figurë autoritare?

Do të thotë që askush nuk guxon të thotë jo apo po për një projekt i cili nuk shkon në interes të qytetarëve shqiptarë. Pra, ne kemi ministra teknikë, por që vendimet dhe projektet i marrin vatra të tjera pushteti, siç janë oligarkia ekonomike tashmë dhe këta shndërrohen thjesht në plotësues dokumentacioni. Pra, ne nuk kemi ministra apo një kabinet qeveritar që orienton politika drejt ë zhvillimit të shoqërisë dhe drejt emancipimit të saj, apo në funksion të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por kemi një grup qeveritar i cili është aty për të zbatuar projektet që grupet e interesit apo vatra të caktuara të pushtetit që është oligarkia ekonomike tashmë, për hir të së vërtetës që i ka marrë frymën ekonomike dhe kriminale për hir të së vërtetës.

Kjo shihet te shpërndarja e tenderave. Kjo e bën shumë të vështirë zgjidhjen e kësaj situate. Do të kishte qenë perfekte një zgjidhje politike. Pse zgjidhje ministra politik, pra një staturë politike? Së pari do të kishte një integritet të figurës, do të ishte një figurë që e ka mbyllur ciklin e tij, pra ciklin e karrierës, shkollimin, eksperiencën e punës, profesionalizmin, krijimin e një brendi në fushën e caktuar, por së dyti ka edhe një angazhim në politikë dhe ka vota. Duke pasur vota, ka dhe një mbështetje të madhe dhe një autoritet ose një gravitet shumë të madh në shoqëri. Në mungesë të kësaj figure ne jemi kemi shkuar te tekniku, i cili për hir të së vërtetës, si vjen A-ja, apo vjen B-ja, si ndërrohen, si ikin, nuk lënë asnjë shenjë në dikasterin që kanë drejtuar. Dhe problemi më i madh i këtij kabineti qeveritar është pikërisht emra anonimati, ose emra të cilët vijnë gjoja si ekspert, por që nuk kanë mbyllur as ciklin e ekspertizës apo ciklin e karrierës së tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco