SYRI TV
Një ditë pasi lajmëroi ndryshimet, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një mbledhje prej 30 minutash këtë të premte me kabinetin e tij qeveritar. Mbledhja u braktis nga Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu ndërkohë që morën pjesë, Albana Koçiu, Besfort Lamallari, Blendi Gonxhe. Më pas kryeministri u zhvendos në vilën 31, duke tentuar të shmangë mediat. Ndryshimet pritet të shkojnë në presidencë për dekretim dhe më pas të votohen në parlament.
Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar këtë të premte ndryshimet në qeveri, të cilat i propozoi në mbledhjen e grupit parlamentar tek Pallati i Brigadave.
Pasi e shtyu disa herë, ai mblodhi kabinetin e tij qeveritar në një mbledhje e cila ka zgjatur përreth 30 minuta.
Të informuar për shkarkimin, Pirro Vengu dhe Elisa Spiropali e kanë braktisur mbledhjen e këshillit të ministrave. Albana Koçiu e cila do të zëvendësojë Belinda Ballukun ishte e pranishme, ndërkohë si në mbledhjet e fundit, ish-zv.kryeministrja nuk mori pjesë. Në godinën e kryeministrisë u panë të hynë Besfort Lamallari i cili do të marrë postin e ministrit të brendshëm, Blendi Goxhe, Mirela Kumbaro dhe Andis Salla.
Më pas kryeministri u zhvendos në vilën 31, ku qëndroi përreth 3 orë, I shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij Linda Rama dhe më pas u kthye sërish në zyrën e tij në kryeministri.
Kryeministri Rama pritet që t’i çojë ndryshimet në qeveri për firmë te presidenti Bajram Begaj. Pas dekretit të presidentit, ministrat e ri do të votohen në parlament dhe do të betohen në presidencë.
© SYRI.net