58 mijë euro për një charter drejt Gjadrit - Sa kushton transferimi i migrantëve nga Italia në Shqipëri

58 mijë euro për një charter drejt Gjadrit - Sa kushton transferimi i migrantëve nga Italia në Shqipëri

14:24, 27/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

Mbi 58 mijë euro ka kushtuar vetëm një fluturim charter për transferimin e migrantëve të ndaluar nga Italia drejt qendrës së riatdhesimit (CPR) në Gjadër. Shërbimi i është besuar një kompanie private që jep avionë me qira, sipas dokumenteve zyrtare të autoriteteve italiane.

Fluturimi është nisur nga Roma më 17 shkurt dhe në bord ndodheshin fillimisht 20–30 migrantë të parregullt, të shoqëruar nga 90–100 efektivë policie. Pas një ndalese në Bari, numri i të transferuarve drejt Tiranës arriti në 30–40 persona. Kjo do të thotë se vetëm kostoja e transportit ajror, pa përfshirë shpenzimet e personelit, logjistikës dhe administrimit, përkthehet në mijëra euro për çdo person të transferuar.

Nëse përllogaritet ndarja e 58.212 eurove për rreth 35 persona mesatarisht, kostoja bruto e fluturimit arrin mbi 1.600 euro për person pa përfshirë TVSH-në dhe pa llogaritur shpenzimet e sigurisë. Në bord, sipas të dhënave, numri i eskortës policore ka qenë disa herë më i lartë se ai i migrantëve, çka rrit më tej koston reale të operacionit për buxhetin publik italian.

Ky transferim është pjesë e zbatimit të marrëveshjes Itali–Shqipëri për menaxhimin e migrantëve dhe aktivizimin e CPR-së në Gjadër, e cila aktualisht strehon rreth 90 persona – numri më i lartë që nga hapja e saj.

Kostoja ekonomike e operacioneve të tilla po shton debatin publik në Itali, veçanërisht në një kohë kur qendrat e ndalimit (CPR) brenda territorit italian rezultojnë jo plotësisht të mbushura. Kritikët pyesin nëse transferimi në Shqipëri justifikohet financiarisht dhe administrativisht, apo nëse bëhet fjalë për një operacion me kosto të lartë simbolike dhe politike.

Mbi funksionimin e qendrës në Gjadër rëndojnë edhe pikëpyetje ligjore, pasi çështja e përputhshmërisë së ndalimit jashtë territorit të BE-së me direktivat evropiane është ende në shqyrtim nga Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian.

Me rritjen e numrit të transferimeve dy operacione me rreth 35 persona secili vetëm në dy javët e fundit kostoja totale e charter-ave pritet të rritet ndjeshëm nëse ky model vazhdon. Çdo fluturim i ri nënkupton dhjetëra mijëra euro të tjera nga fondet publike.

Pyetja që mbetet është nëse ky mekanizëm është një zgjidhje afatgjatë efektive për menaxhimin e migracionit, apo një operacion i kushtueshëm që do të vazhdojë të prodhojë më shumë debat sesa rezultate konkrete.

Ndërkohë sot një delegacion parlamentarësh i Forca Italia mbërrin në Gjadër për të parë nga afër si funksionojnë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco