I ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto', eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli komentoi situatën e fondeve IPARD në Shqipëri dhe parregullsitë që janë identifikuar nga zyra anti-mashtrimit financiar OLAF në Bruksel. Ai theksoi se këto fonde, që i përkasin taksapaguesve të Bashkimit Europian, duhet të përdoren në mënyrë transparente dhe të rregullt, pasi çdo parregullsi mund të sjellë pezullim të ndihmave ose kërkesa për rikthimin e shumave të mëdha.
Çoçoli kujtoi edhe rastin klasik të Bullgarisë, ku për shkak të parregullsive u kërkua kthimi i 850 milionë eurove, ndërsa pas negociatave, Bullgaria pagoi vetëm 35 milionë euro.
Ai paralajmëroi se situata në Shqipëri nuk është e ndryshme, duke evidentuar se parregullsitë në përfitimin e fondeve IPARD 3 kanë vënë vendin në një pozicion të dyshimit dhe monitorimi nga Bashkimi Europian.
Eksperti shpjegoi se shumë biznese shqiptare që kanë përfituar fonde për bujqësi nuk kanë zbatuar plotësisht rregullat, duke sjellë dyshime për abuzime dhe shkelje të ligjit.
Ai nënvizoi se për këtë arsye, OLAF dhe strukturat e tjera të auditimit janë duke vëzhguar me kujdes përdorimin e çdo centi, për të garantuar që fondet e dhëna nga BE-ja për bujqësinë shqiptare të përdoren për qëllimet e synuara dhe jo për interesa private.
Fatos Çoçoli përfundoi duke thënë se për Shqipërinë ky është një moment vendimtar: vendi duhet të përmirësojë sistemin e mbikëqyrjes dhe menaxhimit të fondeve, për të shmangur abuzimet dhe korrupsionin, dhe për të siguruar që ndihmat e Bashkimit Europian të mbeten një instrument real zhvillimi për bujqësinë dhe ekonominë shqiptare.
Deklarata e plotë:
“ Unë për vete në shtëpi jam i parregullt. Kjo s'do të thotë se duhet të vijë dikush të më hetojë edhe larg qoftë dhe të më burgos.
Pra, nuk zbatoj disa rregulla të shtëpisë ta quajmë kështu. Mund të flasim në mënyrë që të gjithë qytetarët e nderuar që të ndjekin, thjesht që të kuptojmë.
Çfarë ka ndodhur para tre vjetësh, e përmendi dhe Eduardi. Është një zyrë që quhet zyra anti-mashtrimit financiar, OLAF quhet, në Bruksel. Dhe këta Flavio, janë hetues të mirëfilltë, janë auditues dhe shikojnë çfarë?
Shikojnë interesin e taksapaguesve evropianë sepse këto fonde që jepen me këto ipardet, janë para të atyre që domethënë nga 420 milionë qytetarët e Bashkimit Europian paguajnë taksa në atë 27 vendet anëtare dhe një pjesë e këtyre parave shkon në buxhetin e Brukselit dhe ndihmon edhe vendet që janë në fazë anëtarësimi siç jemi ne. Kështu që, ata shikojnë me kujdes që këto para që janë të taksapaguesve të tyre, të përdoren si duhet.
Parregullsi, ka shumë si të thuash shkelje të vërejtura prej tyre dhe që i kanë vënë ata në një pozicion të një dyshimi të arsyeshëm Flavio, për të thënë që këtu duhet pezulluar gjëja. Nuk është se është hera e parë, ka ndodhur disa herë.
Rasti më klasik është para nëntë vitesh me Bullgarinë, ju pezulluan të gjitha ndihmat në bujqësinë bullgare.
Kërkuan 850 milionë euro kthim parash nga këto para që ishin dhënë Bullgarisë për nja pesë vite rresht.
Bullgaria arriti ta mbylli me 35 milionë euro që pagoi mbrapsht. Të shikojmë se si do të eci rasti ynë. Për neve është lajmi i mirë me aq sa kuptuam që në 9 mars përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, të qeverisë sonë pra, do ta diskutojnë mundësinë e hapjes kujt?
Të Ipard 3 sepse, në insertin tuaj ju dhatë me shumë të drejtë i dashur Flavio, që janë 71 milionë euro që janë dhënë disa vite më përpara. Ka patur parregullsi në thithjen e këtyre fondeve sa të duash dhe kjo, si të thuash këto shkelje rregullash i kanë futur në hetim ata.
Atëherë, unë jam një kompani që merrem me bujqësi dhe kërkoj fonde nga Ipard 2-shi, flas për katër vite përpara, për pesë vite përpara.
Dhe AZHBR-ja e famshme, pra, ajo struktura qeveritare nën Ministrinë e Bujqësisë që merret me projektin që unë kam çuar më thotë, ti do të marrësh nga paratë e Bashkimit Europian, sepse ajo e ka të drejtën që të vendosi, kuptohet mbikëqyret edhe nga Bashkimi Europian të vendosja, ti do të marrësh le të themi 30, dhe unë pasi i marr këto 30.000 euro, së bashku edhe me një pjesë të buxhetit që kam investuar unë, sepse janë disa kushte që t'i marrësh këto para, dyfishin duhet ta fusësh ti, bëj sikur investoj ose investoj shumë më pak sesa ç'kam deklaruar.
Këto janë ato që quhen parregullsi, ku ti me të drejtë thua që mund të ketë edhe raste abuzimi flagrant edhe raste korrupsioni. As që diskutohet që mes këtyre 71 milionë eurove të dhëna në tre, katër vitet e mëparshme, bëhet fjalë gjithnjë para 2023-shit ë, se në 2023-shin u bllokuan".
© SYRI.net