'Rama i frikësuar nga drejtësia', Lela: Fjalimi i kryeministrit tregoi panik dhe përçarje të mundshme brenda PS

14:48, 26/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një fjalim të gjatë përpara grupit parlamentar socialist, Kryeministri Edi Rama mori në mbrojtje ish-zyrtarë të qeverisë së tij dhe sulmoi drejtësinë, duke kulmuar me deklaratën se “më e rrezikshme është lufta ndaj korrupsionit se vetë korrupsioni”.

Por, përtej mbrojtjes dhe sulmeve, ky fjalim fsheh mesazhe të tjera, të lidhura me një frikë të dyfishtë të kryeministrit: atë nga drejtësia dhe atë nga një përçarje e mundshme brenda partisë së tij.

Sipas drejtorit të komunikimit të Partisë Demokratike, Alfred Lela, thelbi i të gjithë fjalimit ishte “frika reale” e Ramës nga“laku i drejtësisë, i cili i ka shkuar shumë afër dhe po i afrohet gjithnjë e më shumë”.

Në Intervistën e mesditës në Syri televzion, Lela argumenton se pavarësisht përpjekjeve të kryeministrit për të shpërndarë vëmendjen, fjalimi ishte një shprehje e qartë e frikës ndaj asaj që mund të vijë nga organet e drejtësisë.

LEXO EDHE: I poshtëruar nga Balluku dhe me sytë te Ulsiu/ Halli i një njeriu nuk mund të bëhet halli i një vendi

Në këtë këndvështrim, fjalimi i Ramës interpretohet si një “goditje parandaluese” (preemptive strike) kundër drejtësisë.

Ky konsiderohet si hapi i parë në një ndryshim të retorikës dhe narrativës së tij, në përgatitje për një përballje të ardhshme. Por fjalimi nuk ishte vetëm një mesazh për drejtësinë.

Ai ishte gjithashtu një komunikim i drejtpërdrejtë me deputetët e tij, ku u vunë re shenjat e para të një “moskohezioni” dhe një çarjeje të mundshme në grupin socialist.

Lela identifikon dy momente kyçe që e dëshmojnë këtë. Së pari, Rama pranoi se disa deputetë socialistë ia kishin thënë troç se ai është përgjegjësi për faktin që drejtësia po godet kolegët e tyre. Kjo tregon për ekzistencën e zërave kritikë dhe një presion në rritje brenda partisë.

Së dyti, duke folur për një “udhëkryq” që paraqet rreziqe, Rama u bëri thirrje të vetëve për “disiplinë të fortë” dhe për gjetjen e një “zgjidhjeje”.

Kjo tregoi, sipas Lelës, se kryeministri për herë të parë shpalosi publikisht frikën për një ndarje të mundshme në Partinë Socialiste, një parti e cila është goditur ndjeshëm nga hetimet e SPAK, veçanërisht gjatë vitit të fundit. 

LEXO EDHE: Rama nuk lejon arrestimin e Ballukut: Nuk do ketë dorëheqje në këtë fazë revolucionare të drejtësisë

Deklarata e plotë:

"Shiko, Rama bëri një ekskursion të gjatë, por unë mendoj që kryefjala, në gjithë atë përpjekje për t'u humbur në shumë fjalë, ose ajo që mbeti është frika reale e tij, pra e kryeministrit të vendit, nga laku i drejtësisë, i cili i ka shkuar shumë afër dhe po i afrohet gjithnjë e më shumë.

Pavarësisht përpjekjes për t'u shpërndarë te Karçanaj, te Prenjasi, etj dhe gjuha e tij e dikurshme qendron në fjalimin e tij sot, një fjalim i gjatë, i cili nga ana e vet edhe detrakton atë që Rama mundohet të fshehë, (droja) madje mund të thuhet më plotësisht frika ndaj asaj që ai ka frikë se do të vijë.

Rama po bëhet gati, për një përballje me drejtësinë dhe kjo për mua mendoj, është vetëm faza e parë e ndryshimit, duke filluar me ndryshimin e gjuhës, me ndryshimin e retorikës, narrativës, për të kaluar pastaj në lëvizje të tjera të cilat ai i paralajmëroi sot.

Pra, ajo që pamë sot ishte ajo që në anglisht quhet 'preemptive strike', pra një goditje parandaluese e Ramës.

Kishte edhe disa shenja të tjera që unë i dallova, por ndoshta gjatë bisedës edhe do kemi mundësi t'i trajtojmë.

Shenja tek gjuha, sepse mimika, pavarësisht se një hije gri që i ka rënë kohët e fundit sigurisht kishte batutat e hidhura, por nuk ishte ai Rama që i shoqëron hokat ose shakatë ose batutat edhe me një vetëpëlqim, pra edhe me një ndriçim që ia lejon fytyrës për t'i thënë vetes se sa të fortë e kishte batutën, gjë që sot i mungonte.  

Pra edhe kjo mund ta tregojë shqetësimin që ka kapluar Ramën.

Unë mendoj që Rama sot me atë fjalim të gjatë, nuk e kishte vetëm me drejtësinë, por e kishte edhe me të vetët, e kishte me grupin parlamentar.

Është një moment ku ai paralajmëron këtë çarje të grupit, ose këtë moskohezion. Pra duket se janë disa zëra aty, disa aktorë ndër socialistët që po i bëjnë presion.

Në një moment tha që disa prej jush ma kanë thënë troç se je ti përgjegjësi për këtë. Pra, je ti përgjegjësi që drejtësia po na i merr kolegët, shokët, miqtë në Partinë Socialiste.

Ky është momenti i parë.

Momenti i dytë është kur Rama flet për udhëkryq dhe ju thotë të vetëve që gjendemi në një udhëkryq i cili paraqet rreziqe, por dhe këtu mendoj unë që është fjala kyç, kërkon disiplinë të fortë nga ana jonë, pra ju bën thirrje të vetëve për disiplinë, por edhe një zgjidhje.  Pra udhëkryq, disiplinë dhe zgjidhje.

Unë mendoj se këtu është Rama për herë të parë shpalos publikisht, një frikë për një përçarje të mundshme në Partinë Socialiste, e cila duhet thënë se është goditur nga SPAK, sidomos në këtë vitin e fundit, ku ka pasur edhe një, po themi një lloj kthese në hetimet, paditë e SPAK-ut".

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco