Me nisjen e diskutimeve për një reformë të re zgjedhore, opozita ka vënë në tryezë pikat kyçe që i konsideron thelbësore për të garantuar zgjedhje të lira dhe për të parandaluar manipulimet.
Muharrem Cakaj, Anëtari i Komisionit Rregullator, nga studioja e 'Kafe Shqeto' tha se problemi themelor qëndron te ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor në korrik të vitit 2020, të cilat deformuan sistemin dhe shtrembëruan vullnetin e votuesve.
Cakaj argumentoi se ndryshimi i sistemit në vitin 2020 theu konsensusin e vitit 2008, i cili parashikonte garimin me koalicione dhe lista të përbëra.
Kjo lëvizje, e miratuar pa votat e opozitës së kohës por me ato të deputetëve zëvendësues, ndryshoi thelbin e sistemit zgjedhor dhe konsiderohet si shkaku kryesor i problematikave aktuale dhe disproporcionit mes votës popullore dhe përfaqësimit në pushtet.
Në kuadër të reformës së re, opozita ka tre kërkesa të panegociueshme: 1. Ndarja e shtetit nga partia: Përdorimi masiv i burimeve shtetërore gjatë fushatave zgjedhore është një shqetësim madhor. Fenomene si dhënia e bonuseve, falja e gjobave apo alokimi i fondeve për banesa sociale pak para zgjedhjeve, krijojnë një avantazh të padrejtë për partinë në pushtet.
Pavarësisht qindra denoncimeve të faktuara në zgjedhjet e fundit, sistemi ndëshkues ka rezultuar pothuajse inekzistent, me vetëm një rast të dënuar me një gjobë simbolike.
Kjo pandëshkueshmëri duhet të marrë fund përmes normave të qarta dhe sanksioneve efektive.
Deklarata e plotë:
“Jemi ende herët. Nuk duhet ta paragjykojmë. Reforma zgjedhore sapo ka nisur.
Atëherë, ajo çfarë unë mund të them me siguri është që ka filluar punën grupi i ekspertëve të opozitës. Ne jemi mbledhur disa herë.
Paraprakishtnë rekomandim edhe të kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë, ne kemi filluar punën me ligjin për financimin e partive politike.
Sigurisht ka sfida, ka problematika dhe besoj nëse ka vullnet politik dhe nga të gjitha palët, varet edhe se sa do të duan ta shtrijnë vullnetin e tyre politik, nuk ka çështje tabu, nuk ka çështje të cilat nuk duhet të preken në Kodin Zgjedhor.
Pra, praktikisht janë të gjitha në tryezë, çështje për diskutim, për prekje dhe sigurisht për ndryshim dhe përmirësim.
A ka problematika? Patjetër ka problematika. Unë kam pasur fatin të jem edhe ekspert në Këshillin Politik, në vitin 2019-2020, kur fatkeqësisht nuk ishte pjesë e parlamentit shqiptar opozita.
Dhe unë besoj se ne arritëm atëherë një marrëveshje shumë të mirë, marrëveshja e 5 qershorit, e cila duhet thënë se u prish në mënyrë të njëanshme, patjetër nga mazhoranca, por jo nga ajo pjesë e opozitës, e cila përfaqësonte opozitën në parlament në atë kohë.
Besoj ajo ka sjellë problematikë shumë të madhe dhe ka shtrembëruar vullnetin edhe të ligjvënësit, i cili daton që nga viti 2008, por ka shtrembëruar dhe rezultatin zgjedhor në këndvështrimin tim.
Kodi zgjedhor i vitit 2008 ishte konceptuar, një nga elementët thelbësorë të Kodit Zgjedhor të vitit 2008 ishte garimi i partive politike me koalicione me lista të përbëra.
Dhe në nenin 67 të Kodit Zgjedhor normohej në mënyrë të qartë dhe shteruese që çdo parti politike mund të shprehë vullnetin e saj me lista të përbëra.
Pra, mund të jetë pjesë e një koalicioni dhe të ketë listën e saj individuale për të promovuar programin e saj individual politik, projekte, ide ashtu si ajo e gjykonte të arsyeshme, duke u fokusuar në target grupe të ndryshme, shoqërore, sociale, politike e të tjerë.
Ky formulim me me propozimin e hapjes së listave, u ndryshua në 23 korrik të vitit 2020. Dhe kjo, në gjykimin tim personal si ekspert zgjedhor, ndryshoi vullnetin e ligjvënësve të vitit 2008, kur miratuan Kodin Zgjedhor. Praktikisht ndryshoi thelbin e sistemit zgjedhor dhe sigurisht dhe rezultati do të ishte i transformuar, i ndryshuar.
Pra, nuk ishte ky qëllimi i ligjvënësve dhe i partive të cilët dakordësuan këtë formulë të sistemit zgjedhor. Dhe kjo u shtrembërua në mënyrë të njëanshme. Unë besoj se ky ka qenë problemi kryesor.
Nën maskën e hapjes së listave dhe jo me votat e përfaqësuesve të opozitës, por përfaqësuesve zëvendësues, u ndryshua sistemi zgjedhor. Kjo është pasoja kryesore që ka sjellë këtë gjithë këtë problematikë deri më tani.
© SYRI.net