E ftuar në emisionin “Kush Paguan” në Syri TV me moderatoren Klaudia Karabolli, inxhinierja Senada Mehmeti e cilësoi shembjen e rrugës Librazhd-Prrenjas si një situatë të paralajmëruar teknikisht dhe pasojë të drejtpërdrejtë të keqmenaxhimit institucional.
Ajo theksoi se asnjë rrugë nuk bie nga shiu, por nga projektimi i dobët, mungesa e studimeve gjeoteknike e hidraulike dhe mosrespektimi i faktorëve të sigurisë. Sipas saj, infrastruktura është themeli i ekonomisë dhe i sigurisë kombëtare, ndërsa abuzimi me lejet për shfrytëzimin e inerteve në shtratin e lumit Shkumbin ka përkeqësuar ndjeshëm stabilitetin e zonës.
Senada Mehmeti: Kjo ishte një situatë e paralajmëruar nga ana teknike dhe totalisht një keqmenaxhim institucional. E them me përgjegjësi si inxhiniere që asnjë rrugë nuk bie as nga shiu, as nga një element tjetër natyror, por bie vetëm nga një projektim i dobët dhe një keqmenaxhim i situatës. Sigurisht rruga për të cilën po flasim, e dimë të gjithë që ra nga korrupsioni dhe kur korrupsioni shemb një rrugë, janë qytetarët ata që paguajnë fatura shumë të rënda. Flas këtu që infrastruktura është A-ja e çdo ekonomie. Pra nuk është thjesht asfalt, por është një siguri kombëtare. Dhe kur siguria kombëtare tek shteti bie, janë qytetarët ata që paguajnë miliona euro dhe paguajnë edhe taksa.
Normalisht një qytet shumë serioz të Bashkimit Europian aty ku ne aderojmë që të shkojmë, do kishin rënë këmbanat e alarmit dhe do ishte ngritur një grup hetimor dhe që të vendosen personat përgjegjës përpara veprës penale që ata kanë kryer. Por tek ne pasi ndodh fatkeqësia, vijnë fadromat, por drejtësia nuk vjen kurrë. Terreni është një terren të cilin e dinë të gjithë që kur është projektuar. Është dashur të marrin të merren masa si për menaxhimin drenazhesh, pra kullimit të presionit të ujërave si nëntokësor, si mbitokësor. Është dashur që të merren masa si për mbrojtëset dhe muret anësore, si dhe të llogaritet ai që quhet faktori i sigurisë. Faktori i sigurisë, që njihet në terma teknike, duhet të dali 1.3-1.5. Në qoftë se ky faktor sigurie ka dalë nën këto shifra, atëherë kemi të bëjmë me kolaps, ashtu siç edhe na ka ndodhur. Normalisht kur realizohet një rrugë, kalon në disa studime, që është si fillim është studimi, pra disa shumatore, disa studimeve, që është studimi i fizibilitetit, studim gjeoteknik, studim gjeologjik, studim hidroteknik, hidraulik si dhe studim topografik që tregon vijën e terrenit. Tani, pyetjet që shtroj unë këto janë, a është bërë studim gjeoteknik dhe kush e ka bërë? A është llogaritur faktori i sigurisë FOS-së që quhet në termat teknikë dhe inxhinierik dhe sa ka dalë? A janë bërë studime hidraulike për të matur se sa janë ujërat mbitokësor dhe nëntokësor? Dhe a janë realizuar drenazhet në këtë zonë pasi pjesa e shpateve se si pra formacionet gjeologjike, a janë bërë studime laboratorike të sakta apo janë kaluar si një copy-paste të studimeve?
Ne kemi dhe një fatkeqësi tjetër sepse dokumentacioni nuk është se na vihet në dispozicion për ta parë në qoftë se janë bërë realisht këto apo nuk janë bërë. Tani në qoftë se duhet që ne ta riparojmë këtë rrugë dhe të shohim ku qëndron problemi, nuk i kemi një dokumentacion të saktë që nga A-ja e deri tek Zh-ja për të parë se ku çalon problemi. Nuk është fatkeqësi natyrore pasi shohim edhe pamjet, lumin që është një ndër lumenjtë më të mëdhenj që ka Shqipëria. Të gërmosh 3.5 milionë metër kub zhavorr, të nxjerrësh nga ai lum, nuk është fatkeqësi natyrore. Dikush i ka dhënë atë leje, nuk është vetëm një leje shfrytëzimi, janë pesë leje shfrytëzimi që janë dhënë për grryerjen e atij lumi, ëh, nuk është njësoj si të grryesh lumin, si të grryesh malin. Në qoftë se pjesën e malit ka më shumë impakt mjedisor, pjesa, dëmi që është bërë në gryerjen e lumit dhe shfrytëzimin pa kriter të atij lumi, pasojat po i vuajmë tani.
© SYRI.net