Shembja e rrugëve/ 'Bizneset në kolaps', Buxhuku: Dëmi qindra mln euro, cenohet siguria kombëtare

15:32, 25/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shembja e një pjese të aksit rrugor Librazhd-Prrenjas ka shkaktuar një goditje të rëndë për ekonominë dhe sigurinë kombëtare, duke izoluar të gjithë rajonin juglindor të vendit.

I ftuar në edicionin e mesditës në Syri Tv, kreu i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku, ka dhënë alarmin për pasojat shkatërrimtare afatshkurtra dhe afatgjata, duke e krahasuar situatën aktuale të infrastrukturës me atë të një vendi në luftë.

Sipas Buxhukut, pasojat ekonomike janë të menjëhershme dhe të rënda, ku bizneset në zonën e prekur janë praktikisht në kolaps, industritë hasin pamundësi për të realizuar kontratat e tyre dhe qytetarët janë të shkëputur nga pjesa tjetër e vendit.

Goditja më strategjike i është dhënë Korridorit 8, thekson Buxhuku, një nyje kyçe për pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë. Dëmi i shkaktuar përllogaritet në qindra milionë euro, por humbja më e madhe është ajo e besueshmërisë.

 Kjo krizë infrastrukturore vjen pas investimeve që, sipas vlerësimeve, i kalojnë 4.3 miliardë dollarët në dekadën e fundit, duke ngritur pikëpyetje serioze për cilësinë e punimeve.

Duke e quajtur situatën një “tragjedi të vërtetë” dhe një “emergjencë kombëtare kritike”, Buxhuku propozoi si zgjidhje të vetme kontraktimin urgjent të një agjencie ndërkombëtare profesionale për menaxhimin e krizës.

Pasojat ekonomike janë mjaft të rënda, janë pasoja ekonomike, ta quajmë në afatshkurtër, të menjëhershme, të cilat praktikisht përkthehen në rritje të problematikave për qytetarët, të cilët jetojnë në këto zona, të cilat janë të shkëputura nga pjesa tjetër e Shqipërisë zyrtare. Bizneset të cilat funksionojnë në këto zona, praktikisht janë në gjendje kolapsi, për arsyen e vetme sepse nuk ëh punojnë në tregun e njësuar shqiptar. Industritë janë në vështirësi sepse kanë pamundësi objektive për të realizuar kontratat që ata mund të kenë lidhur me pjesët, me partnerët e tyre tregtarë në pjesën tjetër të territorit të tregut shqiptar. Ajo që është më e prekshme, është fakti se u prek nyja strategjike që vë në shërbim pasurinë më të madhe që ka Shqipëria, që është pozicioni i saj gjeostrategjik.

Pra, goditja që i është dhënë pikërisht në gjurmën e Korridorit 8, ku ndodhet edhe rruga në fjalë, ëh, është e tillë, e cila në qoftë se do të përllogaritet në afatgjatë, shkakton qindra milionë euro dëme. Sepse mungon tashmë besueshmëria dhe sikur ajo të rregullohet sot, mungon besueshmëria e bizneseve tregtare për të kaluar nga kjo rrugë. Nuk ke besueshmëri që kjo nuk do të ripërsëritet më, ty të është goditur besueshmëria e përdorimit të këtyre rrugëve. Ju keni parë që janë dhjetëra kamionë të cilat bëjnë transitin e mallrave nga lindja në perëndim dhe nga perëndimi në lindje duke shfrytëzuar korridorin shqiptar, që janë të bllokuara në rrugë. Ju mendoni që ata mund ta rimarrin përsipër edhe një herë tjetër një aventurë të tillë? Kemi të bëjmë me një, ta quajmë një tragjedi të vërtetë, të pamendueshme, se mund të përsëritej në Shqipërinë e viteve e shekullit të 21-të, e cila realisht kushton dëme të përllogaritura në çdo sekondë të zgjatjes.

Nuk duhet ta vlerësojmë të shkëputur këtë çka ka ndodhur me korridorin e rrugës të korridorit tetë ta quajmë, shqiptar, me atë çka po ka ndodhur në infrastrukturën kritike ëh, edhe në zona të tjera të vendit, sepse nuk është e vetmja. Kjo tregon që nuk kemi të bëjmë me një rast të shkëputur, kemi të bëjmë me raste sistematike të problematikave, të cilat janë duke u shfaqur në një periudhë shumë të shkurtër kohore dhe që kanë kushtuar, sipas vlerësimeve mbi 4.2, 4.3 miliardë dollarë. Një shumë jashtëzakonisht e madhe për buxhetin dhe për xhepat e shqiptarëve. Pra, është një situatë që është realisht një situatë e vështirë, ekonomikisht, por që në thelbin e saj prek edhe sigurinë kombëtare, në mënyrë të padyshimtë.

Është kosto e madhe edhe për ribërjen e këtyre veprave infrastrukturore, por e thashë, mbi të gjitha është fakti jo thjesht e ribërjes së tyre. Edhe në qoftë se këto do të ribëhen, të thashë, nuk kanë besueshmëri që korridori shqiptar mund të përdoret me të njëjtën frekuencë, me të njëjtën ngarkesë nga ëh, kompanitë transite të biznesit. Këtu flitet fakti që çdo sekondë e bllokimit të këtyre akseve përkthehet në humbje, në para, për bizneset, për qytetarët, për industritë e kështu me radhë. Sepse ato janë tashmë të veçuara nga pjesa e tregut të përbashkët shqiptar. Ato janë detyruar të shkojnë në Maqedoni duke rritur, për të vajtur në Tiranë, për të vajtur në Durrës, për të vajtur në Shkodër, në Vlorë e kështu me radhë, detyrohen të kalojnë nga Maqedonia, duke rritur kostot. Janë detyruar të shfrytëzojnë korridoret e Greqisë.

Përkthehet çdo sekondë e humbur përkthehet në para. Prandaj ajo që unë dua të them në këtë rast, është që hapi i parë që duhet të bëjë ekzekutivi në këto momente, është që të sa më shpejt të kontraktojë një agjenci ndërkombëtare profesionale që do ta zgjidhi këtë problematikë. Sepse duhet zgjidhur urgjentisht. Çdo sekondë e humbur është humbje për ekonominë, është humbje për bizneset, është humbje për qytetarët shqiptarë në vlerë financiare, në radhë të parë për qytetarët shqiptarë. Në vlerë financiare. Të kontraktojnë agjenci të profesionale ndërkombëtare. Institucionet e shtetit shqiptar, me këtë që ndodhi dhe me rastet e tjera të ngjashme sepse nuk ka rënë vetëm korridori tetë, ta quajmë, ura e famshme e korridorit tetë. Po këtu kanë rënë, tunele, ura, rrugë që kanë rënë në një periudhë shumë të shkurtër kohore.

Institucionet shqiptare e kanë treguar me fakte që janë të paafta profesionalisht në radhë të parë për t'i dhënë zgjidhje, sepse janë ato të cilat e kanë çuar në këtë kolaps dhe së dyti, ato nuk janë të interesuara që ta zgjidhin. Prandaj hapi i parë i përgjegjësisë së ekzekutivit është që detyrimisht të kontraktojë një agjenci ndërkombëtare, profesionale për të zgjidhur këtë emergjencë kombëtare, kritike. Kjo është e para gjëja që duhet bërë në këto kushte. Theksojmë, jemi përballë një bilanci lufte. Vetëm në raste lufte mund të ndodhin këto, ky kolapsim i shumëfishtë i infrastrukturës kritike, strategjike, kombëtare, rrugore. Në rrugë, tunele, ura. Vetëm Ukraina dhe ndonjë shtet tjetër në luftë mund të pasonte këto dëme. Ndërkohë që ne këto ia kemi shkaktuar vetes në kohë paqeje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco