Protesta e banorëve të Baks Rrjollit (Velipojë) për mbrojtjen e pronave të tyre ku parashikohet ndërtimi i një resorti vijon prej më shumë se tre javësh, ndërsa dalin në dritë akuza të rënda dhe prapaskena të negociatave të dështuara me kompaninë ndërtuese.
Në një lidhje direkte për 'Kafe Shqeto', një prej banoreve, Luçiana Kokaj, ka deklaruar se familjet e zonës janë pronarë autoktonë dhe shekullorë të tokës, duke hedhur poshtë çdo pretendim tjetër.
Sipas zonjës Kokaj, familja e saj e zotëron pronën me dokumente që datojnë që nga blerja prej katragjyshit, dhe se ata nuk po “pretendojnë” pronësinë, por po mbrojnë atë që u takon me të drejtë.
“Ne nuk e pretendojmë atë pronë, ne e trashëgojmë atë pronë prej brezash. Ne jemi pronarë autoktonë aty,” u shpreh ajo.
LEXO EDHE: Lirohen 6 banorët e Baks Rrjollit, Banori: Hera e 10 që shoqërohem! Tokën e mbrojmë me çdo çmim
Në qendër të akuzave të saj është një ish-zyrtar i lartë lokal, Fatmir Shpëzaj, ish-drejtor i hipotekës dhe zyrtar politik në Malësinë e Madhe, i cili, sipas banores, ka falsifikuar dokumentet për të përvetësuar tokën.
Ajo tha se Shpëzaj ka përdorur në mënyrë abuzive ekzistencën e disa varrezave të vjetra të ushtarëve turq në zonë për të krijuar një lidhje të rreme trashëgimie.
“Personi që ka falsifikuar letrat nuk ka asnjë lidhje me atë vendin, thjesht ka gjetur disa varreza ushtarësh turq aty dhe i ka përdorur sikur janë të të parëve të tij,” deklaroi Kokaj, duke shtuar se këto varreza janë respektuar prej shekujsh nga komuniteti.
Një tjetër pikë e nxehtë e konfliktit janë negociatat me kompaninë ndërtuese “Gener 2”. Kokaj konfirmoi se banorët janë takuar tre herë me përfaqësuesit e kompanisë, por marrëveshja ka dështuar për shkak të një oferte që ajo e cilëson të padrejtë dhe absurde.
“Nuk mund të më thuash mua do përdor 152 dynym dhe do bëjmë pazar për 152 dynym tokë, ndërkohë që leja e ndërtimit është për 1500 dynym. Domethënë, ti po thua bëjmë pazar vetëm për 10% të tokës,” shpjegoi ajo, duke zbuluar se banorët e kanë refuzuar në mënyrë kategorike këtë propozim.
Deklarata e plotë:
"Po bëhemi gati për të vazhduar protestën edhe sot, siç kemi bërë çdo ditë për tre javë dhe do vazhdojmë deri në momentin që do na jepet e drejta jonë edhe do ndalohen punimet.
Ne nuk e pretendojmë atë pronë, ne e trashëgojmë atë pronë prej brezash, ne jemi shekullorë aty.
Dhe sa herë që thuhet pretendohet, më duket sikur na cënohet e drejta jonë, se në të vërtetë ne jemi pronarë autoktonë, duke qenë se ajo është pronë që është blerë nga katragjyshi dhe personi që ka falsifikuar letrat nuk ka asnjë lidhje me atë vendin, thjesht ka gjetur disa varreza ushtarësh turq aty dhe i ka përdorur sikur janë të të parëve të tij, por nuk ka asnjë lidhje me atë gjënë.
Ai zotëria ka ardhur nga shumë larg dhe ka falsifikuar gjithë dokumentet për ta bërë pronën e vet. Kështu që ne nuk e pretendojmë, ne ne e kemi atë pronë, e kemi të trashëguar, e kemi të në përdorim dhe e zotërojmë prej vitesh.
Që është prona jonë dhe shteti në fakt duhet të ndërhyjë vërtetë këtu për të bërë drejtësi dhe jo për të na shqetësuar ne përditë.
Ne kemi qenë në bashkëbisedime me kompaninë që do ndërtojë resortin, madje kemi qenë tre herë në zyrën e Gener 2-shit dhe na ka pritur tre herë në zyrë.
Pronarët e Gener 2-shit janë vetë veriorë dhe ne e dimë shumë mirë që në veri shumë herë pronat janë ndarë edhe me gojë dhe pa dokumenta, në gjithë Shqipërinë, dhe nuk cënohen kufijtë e njëri-tjetrit.
Domethënë, më fal që po them në veri se ngaqë janë vetë nga këtu dhe domethënë e di shumë mirë këtë gjënë.
Edhe tani ne e kemi të ndarë në mënyrë gojore. Unë jam çuditur kur kam parë dokumentat që kishte familja ime, sepse unë jam nuse këtu dhe normalisht nuk i dija që në gjenezë të gjësë.
Pronarët e Gener 2-shit kanë pyetur edhe bashkëfshatarë të tjerë dhe janë të sigurt që është prona jonë, përderisa na kanë pritur në zyrë dhe na kanë takuar tre herë.
Por marrëveshja që ata ofruan me neve ishte 'not fair', nuk ishte një marrëveshje e drejtë dhe aty ne i dhamë ofertën tonë, ata e refuzuan në mënyrë kategorike.
Kështu që normalisht ti nuk mund të vish të ndërtosh në tokën time pa rënë dakord me mua përpara.
Nuk mund të më thuash mua do përdor 152 dynym dhe do bëjmë pazar për 152 dynym tokë, ndërkohë që leja e ndërtimit është për 1500 dynym. Se është diferencë shumë e madhe".
© SYRI.net